Letërsi

Mbi Epigonizmin në letërsi-Nga Vangjush Ziko

Fenomeni i epigonizmit letrar është një dukuri e njohur, që shoqëron krijimtarinë letrare pafundësisht. 

Në krijimtarinë letrare në FB dhe, jo vetëm, e ndeshim çdo ditë dhe vazhdimisht, bile edhe kopjimin flagrant të krijimtarisë të të tjerëve. Fjalorët e ndryshëm na shpegojnë se ky term vjen nga fjala greke “epigon” që të thotë “i paslinduri”, kurse fjala “epigonizëm”: krijimtari jo origjinale, që pason krijimtarinë e dikujt tjetër. 

Midis epigonizmit dhe imitimit letrar ka njëfarë ndryshimi. Studiuesit, që janë marrë me këto dukuri, bëjnë dallimin midis imitimit epigon “të adaptuar” dhe atij “mekanik”,

Rasti i parë nënkupton një perifrazim të ndërgjegjshëm, kur një autor i shfrytëzon për qëllimet e veta krijuese disa motive letrare. Një gjë e tillë ka ndodhur dhe ndodh edhe me shkrimtarë të shquar, të cilët perifrazojnë në veprat e tyre motive ose subjekte nga vepra të shquara të antikitetit apo të periudhave të ndryshme. Në këtë rast kemi të bëjmë me përpunim të veprës të një tjetri, duke ia nënshtruar personalitetit të vet krijues.

Rasti i dytë, “epigonizmi mekanik” është, thjesht, një kopjim, riprodhim i karakteristikave të jashtme të një vepre letrare në mënyrë të thjeshtëzuar. Ky epigonizëm, vërejnë studiuesit, shfaqet në mënyrë jo të qartë, në kopjimin e disa praktikave konkrete të ndonjë autori ose të ndonjë tradite krijuese, mund të riprodhohen tipe të caktuara rimash, ritme, sintaksa poetike, metafora etj. Ky imitim epigonesk vjen si rezultat i mjeshtërisë së ulët të epigonit, nga paaftësia, nga ngërçi krijues vetjak.

Epigonizmi, zakonisht, dallohet nga paaftësia e të shprehurit qartë, ai përpiqet të fshihet, të sfumohet. Ky epigonizëm shfrytëzon subjekte, kompozime, mjetet stilistike shumë të zakonshme për syrin e lexuesit dhe të kritikës.
Në krijimtarinë epigone mungon individualiteti krijues.

Epigonizmi, si rregull, synon krijues dhe vepra, stile më të spikatura letrare, që dominojnë aktualisht në krijimtarinë lerare.
Antidoti ndaj yshtjes për të imituar dhe kopjuar krijimtarinë e tjetrit, “profilaksia” ndaj epigonizmit kërkon thellimin në erudicionin individual kulturor, leximin sistematik, leximin e vazhdueshëm, thellimin në arritjet e më të mirëve, punë këmbëngulëse dhe të palodhur për të gjetur vetveten, individualitetin e vet, kërkon një ndjenjë përgjegjësie ndaj lexuesve dhe, patjetër, sedër dhe moral, etikë shembullore personale.