Letërsi

Dy llojet e poezisë lirike dhe procesi i poetizimit

Nga: Vangjush Ziko

Historia e letërsisë na dëshmon se në epoka të ndryshme kemi qasje të ndryshme ndaj krijimtarisë poetike të kushtëzuara nga faktorë letrarë dhe jashtëletrarë. Këta kanë prodhuar dy lloje të lirikës poetike: poezinë thelbësore dhe poezinë e aplikuar.

Ky dallim nuk vë në diskutim aspak talentin poetik të krijuesit, por raportin e tij ndaj brendisë dhe formës së veprës letrare. Në historinë e poezisë sonë dhe në krijimtarinë e poetëve kemi periudha kur ka mbizotëruar njëra apo tjetra prej tyre. Ose tek i njëjti autor i gjejmë të dyja. Për këtë ka ndikuar vetë historia e kombit tonë, etapat nëpër të cilat ka ecur zhvillimi i tij historik dhe kulturor.

Është fakt i padiskutueshëm që në këtë aspekt, në poezinë tonë ka mbisunduar poezia e aplikuar. Mund të themi se edhe në ditët tona ajo është më e shumta në sasi, jo vetëm në faqet e shtypit elektronik, në Fb, por edhe në botimet në letër. Studiues të ndryshëm pohojnë se poezia e aplikuar e përdor formën poetike për t'u shërbyer , kryesisht, detyrave jo estetike, por politiko-publicistike, informative-përshkruese, propagandimit moral, etik dhe politik, ku hyn edhe politika kombëtare. 

Poezia aplikative trajton tema dhe probleme shoqërore apo morale, tema të aktualitetit të përditshëm për qëllime utilitare të ditës. 
Kjo poezi respekton formën poetike, prozodinë, ritmin, tropet dhe figurat poetike, por nuk i kushton vëmendjen e duhur funksionit poetik, poetizimit, duke synuar, në radhë, të parë të jetë e kuptueshme nga masa e lexuesve, që kanë të kultivuar një kulturë artistike dhe estetike të cekët. 

Kjo poezi i ngjan për nga pikësynimi, shkencës së aplikuar divulgative, që kërkon të përcjellë në mënyrë sa më të kuptueshme për çdo njeri njohuri dhe koncepte.  Qëllimi kryesor i kësaj poezie është përcjellja e një mesazhi politik, etik apo moral. Në këtë lloj poezie paraprin ana utilitare ndaj asaj poetike dhe estetike. Poezia nuk është thjesht një renditje fjalësh dhe mendimesh në vargje. 
Gjuha e poezisë nuk është gjuha e ligjërimit të zakonshëm. Qëllimi parësor i poezisë nuk është shpegimi dhe interpretimi i botës dhe njeriut si qenie. Këto janë detyra të shkencës dhe të filozofisë. Poezia, në radhë të parë, është gjuhë e figurshme, gjuhë emocionale.

Pushkini e thotë thjesht: “Fjalët ekzistojnë në fjalor, por vetëm kombinimi i tyre është poezi”. Poeti Moikom Zeqo shkruan: “fjalët e mia u shndërruan në gra, për të lindur njëmijë Krishtër!”.
Poezia thelbësore përqëndrohet në zgjidhjen e detyrave të veta, synon rikrijimin me gjuhën dhe mjetet e saj të botës që na rrethon dhe të botës shpirtërore njerëzore. Dhe kjo kërkon një ngjeshje të gjuhës, një komprimim të saj për të arritur aftësinë maksimale për të shprehur “të pashprehurën”. Vetëm në këtë mënyrë poezia thelbësore arrin të komunikojë një informacion estetik. Vetëm në këtë mënyrë, gjuha poetike, në dallim nga gjuha e zakonshme, e modelon përmbajtjen e vet, krijon “një sistem dytësor të modeluar” (J.M. Llotman). Moikom Zeqo thotë: ”shkruaj fjalë, për të qenë një mobilim inteligjent i zbrazëtirës dhe heshtjes!”.

Optika e vërtetë poetike ndryshon krejtësisht nga pasqyrimi mekanik i mendimeve dhe ndjenjave, nga fotografimi i realitetit. Ajo mbështetet në kritere estetike të pasqyrimit të së bukurës apo të shëmtuarës në poezi. Jetën dhe natyrën që na rrethon i përjetojmë emocionalisht, jo si robotë. 
Çdo gjë në jetë është komplekse dhe enigmatike, me befasi dhe me të papritura, me përplasje të përhershme, më shumë me vuajtje dhe me dhimbje dhe pak gëzime ose më mirë, me gëzime efemere. “Planeti ynë është shumë pak i pajisur për një jetë të gëzuar” (Majakovski). 
Gjuha poetike e arrin këtë, në radhë të parë, duke zbuluar struktura të reja fonetike, fjalë të reja, ritme, të cilat u japin një ngjyrim të ri estetik fjalëve.

Karel Sabina, poet i shquar çek, pohon: “Poetikja është e pranishme kur fjala ndihet si fjalë dhe jo vetëm si paraqitje e objektit, ose si hedhje emocionesh, kur fjala me kompozimet e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përftojnë gjithçka edhe vlerën në vetvete duke qëndruar e pavarur nga realiteti”.
Poeti, studiuesi, linguisti ruso-amerikan, Roman Jakobson, në studimin e tij “Ç'është poezia?” nënvizon se fjala nuk mbetet thjesht një fjalë (send apo emocion) që na përcjell një domethënie neutrale. Kjo gjatë procesit të poetizimit merr një peshë dhe vlerë të veçantë, ridimensionohet. Jakobson sjell një krahasim konkret se si vaji bimor i jep një cilësi të veçantë një pjate me peshk: “peshku i kaurdisur nuk është më peshk, e ka humbur kuptimin e parë, ai tashmë është një peshk i tiganisur me vaj”. Rolin që luan “vaji” në kuzhinë e luan “poetikja” në poezi. Kjo arrihet nëpërmjet antonimisë, duke pohuar dhe mohuar njëherësh.

Mjeshtër i pakapërxyer i poetizimit në poezinë tonë lirike mbetet Lasgush Poradeci. Le ta ilustrojmë me dy vargje të tij: “s'dashuroja as unë as ti/po dashuronte dashuria”. 
Në këto dy vargje kemi dy elementë që vihen përballë njëri-tjetrit: “shenjën” dhe “sendin”, siç i quan Jakobson, “vaji” (as unë as ti) = poetikja dhe “sendi” (dashuria”), por “poetikja” nuk mund të njehsohen llogjikisht me “sendin”, ato janë antonime. Përqasja e dy sendeve apo dukurive të ngjashme nuk na shkakton asnjë emocion.
“Nga kontrastet lind harmonia,-pohon Jakobson,- nga ndeshja e stihive (fenomeneve të pakontrolluara) përbëhet bota dhe sa më të mprehta që janë kontrastet, në të cilat ka një afërsi të fshehur midis tyre, aq më shumë ajo (poezia) është origjinale dhe aq më shumë efektivisht e lëviz botën.”

Është i padiskutueshëm roli i prozodisë, i sintaksës poetike, i figuracionit poetik, por poetizimi, gjuha poetike, është “tharmi” i poezisë lirike. Është, pikërisht poetizimi, funksioni poetik, atributi më kryesor i procesit krijues, që e dallon poezinë e vërtetë lirike. Jo vetëm i jep kësaj frymëmarrjen e vërtetë, por e shpëton këtë nga ftohtësia, patetika, pompoziteti, deklaratizmi dhe didaktika.