Letërsi

Eh, ç'atdhe! - Nga Roland Gjoza

Eh, ç'atdhe! 
më thërret
eja, pse s'vjen, plazhet me mut i kam
dhe një park s'gjen që të ulesh
se janë shtuar shumë derbederët dhe zorzopët
derrat e derrit që s'ngopen!
po ti eja
të më vësh nje pece në balle se kam temperaturë

s'kam më drurë
veç shkurre dhe ç'mbijnë vetiu prej keqardhjes së zotit
pelikani kaçurrel dhe krilla e Lasgushit
më kanë fluturuar
jam në eklips
jam një atdhe në eklips te pafundmë
dhe minjtë e gjirizit më janë shtuar shumë
eja të më vësh një pece se kam temperaturë
më shqyhen dhe kockat më shkulën
pikë gjaku s'më ka mbetur në trup
faqen e re që nisi
nuk duan ta shkruajnë me bojë
po me barut
sikur s'kemi lindje, po mort

po ti eja
do të shohësh shumë zuzarë dhe trutharë
që i mbajnë për të ditur
do të presin me tritol të telekomanduar
mund të biesh rastësisht
se luftë është
ngushëllohu
varrin do ta kesh në atdhe
jo në vend të huaj

në ylber ngjyrat janë bashkë
të pandara
e kuqja, bluja, e bardha
te njeriu im ylberor
njëra tjetrën ato hanë
prandaj moti s'hapet

këtu dhe Nobelin e zenë me gurë
mallkoj veten
mallkoj barkun që i polli
po ti eja 
të më vësh një pece se kam temperaturë

s'jam atdhe patriot
gjysma ikën e më lanë
gjysma tjetër po më ha
nxirrmë një vizë 
se kam djemtë në Amerikë