Letërsi

Monolog - Nga Ismail Kadare

Në natën plot acar një zjarr desha të ndez

Por, nata ishte e ftohtë, ah ç’tmerr i zi që ish,

Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rrebesh

Diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht

 

Ndaj si shtegtari murg, që shkarpat mbledh në terr

Unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët pa pushim.

Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht

Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim

 

Se s’bëhej ndryshe, dot, se s’bëhej ndryshe, eh,

Se duhej që dikush ta mbante atë flakë.

Në flakëzën-delir që veç vajsosja sjell

Të frikshme pamje ndritnin e dridheshin përqark.

 

I shihnit vallë ato, dallonit vallë diçka

Ndërsa rreth meje nata me terr e ujq u mbush.

Se donin të gjithë të fiknin atë zjarr,

Dikush me ligësi e me padije dikush.

 

Të tjerë majë kodrash ku dielli kishte rënë,

Të tyret zjarre ndiznin dhe qeshnin që përtej,

Se s’donin të kuptonin se ç’bëhej këtu brenda,

Se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr.

 

I lodhur nganjëherë kam thënë: shuhu pra,

Në qoftë se nuk të duan, të bjerë natë e pafund.

Të verbrit sytë tuaj kështu ndoshta do t’jenë

Në terrin absolut pa shqetësim kurrkund.

 

Po prapë diçka më shtynte të ngrihem si somnambul

Si murgu shkretimtar që shkarpat verbaz mbledh,

Dhe sipër zjarrit prap’ të hedh gjymtyrët akull

Dhe copërat një nga një të shpirtit tim të hedh.