Letërsi

Ah, mi zyshe, ç’më bëre! - Nga Albana Lifschin

Rilindasit tanë qenë atdhedashës. Dhe romatikë. Ata i këndonin atdheut, bukurive të tij natyrore, maleve e fushave, gjesë së gjallë... Kujtoni Naimin “O malet e Shqiperisë e ju o lisat e gjatç… Fushat e gjëra me lule që u kam ndër mend ditë e natë.

Dhe ndërsa mësuesja e letërsisë na shpjegonte mësimin, ne e përfytyronim poetin ulur në bythë të një peme me vështrim tej nga atdheu, sipas një skice që kishim parë në librin e shkollës. Dhe unë dhe shoqet e mia e “përkufizuam” veten si romantike, dmth e dashuruar pas natyrës e çdo gjëje të bukur.

Erdha në Amerikë e fillova të kërkoj punë. Nuk lashë gazete pa hapur. I mësova përmendësh agjensitë e punësimit. Dhjetra telefona do kem bërë e vazhdoja non-stop deri sa të gjeja punën që isha në gjendje të bëja. Natyrisht ishin punëra emigrantësh. As që mund të prisja më shumë në atë fillim, pa patur një kualifikim minimal, si në Amerikë. Por edhe nga këto biseda të shkurtra në telefon mësova shumë ashtu sikurse edhe në intervista pune. Ato të shkretat mund t’i humbasësh pa e marrë vesh pse-në. Gjithë halli është që ne vijmë nga një botë tjetër me mentalitet të ndryshëm.
Një ditë lashë një mesazh në një numër telefoni që kërkonte një "hauskeeper", thënë shqip, punëtore shtëpie. Kisha dëgjuar që merrnin 10 dollarë në orë, pagesa shkonte deri 80 dollarë në ditë, gjë që ishte shumë mirë për mua që nuk kisha shumë që ndodhesha në New York. 
Pasditen e asaj të shtune, bie telefoni. Një zotëri u mundua të shqiptonte emrin tim. 
-Po, thashë,- unë jam. 
-Ju kërkoni punë si “hauskiper? 
- Po. 
- Çfarë pune keni berë në vendin tuaj? 
- Mësuese, -u përgjigja, pa menduar se mos dilja e papërshtatshme për atë punë apo e superkualifikuar. 
- Çfarë keni dhënë ? 
-Letërsi, i thashë unë pa e zgjatur. 
- Oh! Mamaja ime ka qënë mësuese letërsie, tha ai 
-Çfarë keni lexuar nga letërsia amerikane? 
-Teodor Drajzerin, u përgjigja me vrap. 
-Kë? pyeti ai 
-Drajzerin!- thashë përsëri duke bërë siguri t’ia jepja shqiptimin e emrit të saktë. 
Ai nuk u përgjigj. 
-“An American tragedy”, sqarova më tej për t’iu përgjigjur më konkretisht. 
Ai nuk foli. 
-Po tjetër? 
-Xhek Londonin- Thundra e hekurt! 
Heshtja e tij këtë radhe më çoroditi fare. Si nuk i bëkan përshtypje këtij shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës? 
- Stefan Kingun, e keni lexuar? 
-Ke quan King ky ? Mos e ka fjalën për Stefan Cvajgun? thashë me vete.. e sidoqë kisha një ndjenje se po flisnin për dy gjëra të ndryshme, përsëri për t’i treguar që njoh edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenj botërorë thashë: 
- Po, sigurisht, kush nuk e ka lexuar “24 orë nga jeta e një gruaje!” 
-24 orë nga jeta e një gruaje? Jo, s’e njoh këtë. 
“Eh c’me gjeti! Po ky dreq nga më doli letrar? Unë s’po kërkoj punë për mësuese letërsie ! 
Burri heshti një copë herë, pastaj lëshoi një pyetje tjetër: 
-Çfarë tipi keni qenë në shkollë të mesme? 
“Po kjo tani? Ç’i duhet këtij se ç’tip kam qenë unë në gjimnaz?
Duke ndjerë heshtjen time ai u nxitua të sqaronte.
-Më falni, nuk dua të hetoj, mos më keqkuptoni, por unë jetoj me mamanë, e nëqoftëse do t’u merrnim në punë, duam që të kemi dikë që të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë. E shumicën e kohës do t’i bëni shoqëri mamasë sime, ndaj ju pyes. Ajo do donte një grua që jo vetëm të bënte punë në shtëpi por edhe që ta pëlqente si personalitet. 
Oh, e kuptova më në fund! Dhe vendosa t’i lija përshtypjen e një gruaje të qetë, e të këndshme. 
-Ok, tha ai, pse s’e bëjmë keshtu: Më mirë më flisni ju për veten tuaj. Si do ta karakterizonit ju veten tuaj. 
“Eh, i thashe vetes,-tani po nuk dite ta “shesësh” veten tende, haram e paç!”
Dhe unë fillova: 
-Po ja, unë në gjimnaz kam qenë një nxënëse shumë e mirë. Më falni për mungesën e modestisë, por po them të vërteten. Lexoja shumë. Më pëlqente letërsia sidomos ajo e romantizmit dhe edhe në universitet po ashtu. 
-Jeni tip romatik? 
- Po.. shumë! E sapo matesha t’i thoja që unë pëlqej çdo gjë të bukur, ai më ndërpreu: 
- Keni bërë dashuri që në gjimnaz? A keni ndonjë bojfrend tani, në kohën që po flasim?
Unë u hutova fare. Heshta. M'u duk se çdo gjë qe kthyer përmbys. Ç’dreq bojfrendi më thotë ky? Unë e varfra po kërkoja punë të paguaja qeranë e apartamentit, e jo bojfrend 
-Me sa duket duhet të keni.. Jeton me ju? 
S’po flisja më.
-Desha të di zonjushe, pasi e kishim një “hauskiper” më përpara këtu dhe ajo s’e kishte mendjen në punë as tek mamaja ime, por tek bojfrendi i saj. Rrinte gjithë ditën në telefon në vend që të kujdesej për mamanë dhe desh na dogji shtëpinë. Faleminderit për sinqeritetin!- tha amerikani dhe mbylli telefonin. 
Vonë e kuptova që amerikanët e përdorin fjalën “romantizëm”, kryesisht për marrdhëniet dashurore, e nuk e përkufizonin siç na kishte thënë zysha e gjimnazit: Dashuria për natyrën, atdheun … Eh! Kishin kaluar disa dekada nga ajo kohë.
Ah, mi zyshe, ç’më bëre!

*Shkëputur nga dorëshkrimi i librit “Ura mbi oqean” botuar në 2007, Tiranë.

 

Tagged under Albana Lifschin