Letërsi

Greqia - Nga Sulejman Mato

Hera- herës e huaj,

hera- herës armike.

Greqia e varfër dhe e lirë,

me kitarat e saj drithëronjëse…

Po ç’kanë buzuqet që sonte vajtojnë?

Çfarë u ka humbur kitarave vetmitare?

Ja, në çast nis vallja Çamiko.

E pasoi Sirtaki, vallja e palikarëve.

Greqia ime këndon e vallzon.

Greqia, që në ditët më të vështira,

priti si mysafyre varfërinë shqiptare.

Po të më pyesni mua: Kujt i ngjan Greqia?

Greqia i ngjan dhe qiellit dhe detit.

T’i dua kaq shumë këngët e tua, Greqi,

sa më duket se dhe vetë kam lindur paragrek.

Jam përkundur në djepin pellazgjik të Homerit,

në djepin e lashtë të Fidias dhe Diogjenit,

në djepin e drunjtë të Pirros dhe të Boçarëve,

në Epirin e palikarëve…