Letërsi

Manolo Roçario - Tregim nga Ilir Levonja

Manolo Roçario po transportonte një orendi salloni nga ato të stilit kolonial, që zotërinjtë i mbajnë në koridoret e mëdha, thjesht si relike dhe si shtojca të enëve të rralla, ose për ndonjë foto të veçantë nën hijen e abazhurëve antikë.

-Me kujdes more djalë se do ma gërvishësh, - tha gruaja së cilës po i shërbente.

Vuri re që e pati afruar shumë platformën metalike me rrota, gati sa të prekte mjetin e saj. Qe një Jaguar në ngjyrën e ullirit të papjekur, me tapiceri meshini bojë mjalti, shumë e mirëmbajtur, me portretin prej bronxi të Sir Williams Lyons një nga krijuesit e tij, përkrah instrumentëve të tjerë të cilët vepronin akoma me një ndjeshmëri brilante të nervit njerëzor. Dridheshin si fijëza floku mes puhizës duke iu përshtatur mërmërimës së motorit aty përpara e që të linte pa ndonjë shkak të veçantë atë sigurinë e pranisë së një burri të fortë.

Monolo Roçario ndryshe nga tipat e drojtur të një provinciali nga Andet e Amerikës së Jugut, qe zhdërvjelltësuar aq shumë në këtë punë, sa e kthente më kollajllëkun më të këndshëm një mllef të brëndshëm për shkak të lodhjes apo diçka tjetër, në një ujvarë fjalësh të ëmbla që mund të zbusnin edhe gruan më mistrece që njeh dita njerëzore. I lavdëroi mjetin duke e krahasuar me një vepër arti që rrallë po i sheh më syri, ndaj ajo ishte një grua me shije që dinte se çfarë zotëronte dhe si ta mirëmbante. I tha se vlera që mund të kishte tani mund të ishte përrallore aq sa atij mund të t'i duhej një jetë për ta siguruar.

-Nuk jam aq e pasur sa mendon, -ia ktheu ajo nxitimthi. -Punon im shoq me këto zgafella të kohës. Po t'i kisha kaq shumë qejf nuk do ngarkoja këtë mobilje kineze.

Manolo e mori hopa orendinë, e ktheu përmbys, futi në fillim dy këmbët paralele nga anash pastaj e shtyu brenda me delikatesën e një njeriu laboratori.

-Po ty të lumtë, je një mjeshtër për të shitur. Edhe këto mobilje dikur ishin si relike. Më kujtohet gjyshja ime, mbante suveniret. Gjëja e parë sa hyje në shtëpinë e saj, të shfaqej një e tillë. Kurse unë e dua për në banjo, të mbaj koshat e rrobave të palara, - tha ajo dhe qeshi me të madhe.

I zgjati Manolos një kartmonedhë pesëdollarshe dhe iku duke i dhënë një të puthur me dorë.

Burri i ri krruajti kokën e djersitur dhe mori të kthejë mbrapsht platformën metalike duke i thënë vetes formulën shekullore të amerikanëve, në lidhje me pesëdollarshin, më mirë diçka se sa fare pa 'të. Mjafton të fuste në xhep diçka.

Sapo vendosi këmbën në derë, dëgjoi zërin e shefit që e thirri përmes autoparlantit kryesor për në zyrën e tij. ''Po ky ç'dreqin më do tani?'', foli me veten Manolo. Ishte djersitur i tëri aq sa bllanja të mëdha i patën dalë sipër bluzës. Donte edhe dhjetë minuta që të shkonte pesë. Mezi po priste. Sapo u rregullua diku me një dhomë më vete, një tip garsonjerë në anë të një shtëpie të madhe private. Kishte për të sistemuar ato pak plaçka dhe i duhej të blinte një jastëk për të fjetur.

-Manolo, njëra nga banjot e grave është e bllokuar dhe blerësit po ankohen, të lutem shko bëje këtë punë shpejt e shpejt. Gjithmonë ajo e grave bllokohet. Këto dreqka grash vetëm për zallamahi janë. Duhet të mbarosh në kohë mundësisht para orës pesë. Asnjë minutë më vonë sepse e kam me pikatore paranë për këtë javë. Më dëgjon? Se pesë minuta ti, pesë të tjerët është goxha para. Kështu që në pesë e pesë të kesh mbaruar dhe mirupafshim për sot. Shko në shtëpi.

Ai nuk foli, doli kokëulur. Përbrenda vlonte me buburricka një inat gati nga përtej jetës, i tillë sikur po e përbuznin, po ia bënin qëllimisht duke i adresuar punë si këto.Nuk ishte hera e parë! Ky inat sikur nuk po i shqitej, i rrinte pezull, herë brenda, herë jashtë. Por gjithmonë me 'të.

Manolo mori kovën me rrota, rradacen e madhe dhe iu përvesh punës. Nuk harroi të vinte shënjat udhëzuese që banjo përkohësisht ndodhej jashtë përdorimit.

Hapi kapakun e pusetës së vogël, zakonisht ai ka përmasat e një ore tavoline. Shtupra letre higjenike, leshra flokësh, ishin ngatërruar e bërë njësh. I hoqi shpejt e shpejt dhe derdhi brenda një shishe të tërë me klor të lëngshëm. Thau dyshemenë, vendosi kapakun prej rrjete kromi në vendin e vet dhe doli nxitimthi. Ora në panel shënonte plot pesë e pesë minuta. Ia doli edhe kësaj radhe.

Nxitoi me qejfin e garsonjeres që do ta kishte të tërën. Aty ku ndenji gjithë këto vite, bëheshin shumë. Nuk vinte era shtëpi. Një lloj kapanoni brigadash në fushatat e kallam sheqerit dhe ananasit. Mirëpo mu tek hyrja e madhe, priste Higuani majë një kamioni ford ngarkuar deri në grykë me pllaka bari të freskët. Në kabinë ndodheshin edhe dy djem të tjerë.

-Merr makinën dhe më ndiq, -tha ai.

-Për ku?, -pyeti Manolo.

-Nuk të pres shumë, po deshe para eja, po nuk deshe ik se boll i kam këta të dy, -tha ai dhe i dha gaz mjetit.

Manolo vrapoi në parking ndezi makinën e vet dhe iu vu pas kamionit me bar. E zuri që në kryqëzimin e parë. Bënë gati një orë rrugë. Dielli flatronte në të kthyer me një lloj përtese plot delikatesë duke mos dashur të largohej nga ai kënd qiellor për shkak të kënaqësisë që i jepte bluja e pafund.

Kamioni me bar u fut në një lagje plot pemë katana aq sa të krijohej përshtypja se po futeshe në një pyll të stërmadh drurësh dhe gjethurinash, i cili frymosej në mënyrën më njerëzore të mundshme me korin e papagajvë dhe bluxhejëve me bishta si erashka zonjash të kohës. Higuani i nxorri krahun dhe i bëri me shenjë se shtëpia në të majtë ishte vendi ku do të punonin. Disa djem të tjerë sapo kishin hequr thuajse gjysmën e barit të vjetër.

-Muço trabaco Higuanito, muço, - u ankua njëri nga ata.

Por Higuani iu kthye ashtu nxitimthi siç e kishte zakon ai.

-Amigo, deri dje më luteshe për punë dhe unë të mora. Tani ngele duke thënë shumë punë, shumë, shumë. Edhe pse unë të paguaj çdo ditë trefishin e shumës që do merrje në muaj atje në Honduras. Kjo është puna, nëse do rri nëse nuk do ik.

-Jo nuk e kam aty por edhe veglat sikur nuk kemi.

-Veglat e të tjerat unë i di, nuk kam hallin se nuk kam para për t'i blerë..., por duhet vend për t'i mbajtur. E unë po gjeta këtë vend, do paguaj qera pastaj. Dhe nga kjo qeraja nuk shpëton as ti se do ta ul ca rrogën. Eshtë llogari jeta, ti je dhe mësues, i di këto gjëra. Kështu vëlla. Tani eja të mbarojmë punën se po perëndon dielli. Çfarë e dini Amerikën ju hajde këtu dhe vil dollarë nga pemët e mangove. Ja dhe ky shoku, sapo mbaroi tek puna tjetër tani erdhi të shtrojë bar me ne. Pse? Para vëlla, para... Këtë bën për ditë ky dhe kur vete në darkë në dhomë, nuk e di se kë ka komshi se e ka këputur gjumi. Megjithatë sonte do t'ju jap edhe nga një birrë me naços tek Maria Sarrazola. Corri, corri....

Tjetri nuk foli më, uli kokën dhe ashtu në djersë, këmbë e kokë, zuri të rrëmojë barin e vjetër me kazmën e gjerë që hiqte copëza të mëdha sikur të ishin luspa peshku. Higuani nxorri nga brezi një thikë xhungle dhe i tha dy të tjerëve dhe Manolos që të sillnin barin e ri se do fillonin e të shtronin. Ndërkohë porositi ata nga Hondurasi që të kishin kujdes me tubat e vaditjes së ujit që nuk ishin veç një pëllëmbë thellë nën barin e vjetër.

Manolos se si erdhi. Ndofta Higuani ka të drejtë, por prapë do të ishte më mirë që t'i fliste tjetrit pak ndryshe. Jo me ftohtësinë e bosit amerikan. Megjithëse ishte i bindur në vicklat e shumta që bëjnë njerëzit. Kjo edhe për shkak të mospërputhjes së realitetit amerikan që kanë në mendje, me atë që gjejnë. Higuani shtronte barin dhe tek-tuk priste ndonjë qoshe për të ndrequr tapetin në përgjithësi.

Pas një ore Manolo Roçario vuri re se gjithçka përreth iu bë e zezë. Ngriti sytë nga qielli por gjithçka e zezë. ''Duhet të jetë ora 8'', pëshpëriti dhe uli sytë poshtë. Errësirë edhe aty. As dorën e vet nuk mundi të dallojë. I preku njërën me tjetrën, gjithçka dukej në rregull. Veç se e pati të vështirë të shikonte. Nuk dinte se ku të vendoste këmbën.

-Higuanito, - thirri bëri dy hapa përpara. -U fikën dritat? Ku jemi? Ku po punojmë?

-Ka edhe dy orë ditë Manolo, po jepi këmbëve se mbaruam, - tha Higuani.

-Nuk u shoh, ku jeni, - foli ai i alarmuar.

-Senjor, shugër, shugër, -shtoi një nga djemtë që ishin në kamion me Higuanin.

Të tjerët mbajtën frymën. Higuani trokiti në derën e vilës. Doli e zonja, ai i tha nëse mos i ndodhej ndonjë shishe me coca-cola dhe ajo pa thënë gjysmë fjalë u kthye mbrapsht. Erdhi pas pak me një litroshkë të madhe dhe disa gota plastike.

-Pije shpejt, -iu drejtua ai Manolos duke i vendosur shishen në dorë.

Tjetri e ktheu me etje. Nuk shkoi shumë dhe sytë iu rregulluan si me dorë. Përreth bulëronte dritë e qashtër dhe dielli sapo kishte rënë prapa disa pemëve të mëdha. Higuani ndau cola për të gjithë.

-Çfarë ndodhi me mua? -pyeti Manolo.

-Shumë gjëra njëherësh, -ia ktheu duke qeshur ai që iu ankua Higuanit. -Ja, këto djersë që nuk na pushojnë së rrjedhuri. Këto e kanë fajin.

Mbaruan sapo nata preku asfaltin e rrugës. E zonja e shtëpisë i dha Higuanit një shuk dollarësh duke i thënë se kishte diçka më tepër nga pazari që bënë.

-Zoti të bekoftë zonjë, Zoti qoftë me ty..., -ia ktheu Higuani.

Pas pak kamioni dhe makina e Manolos ndiqnin njëra-tjetrën për tek lokali i Maria Sarrazolës, «El balkone del Sud», një vejushë kolumbiane, për të cilën thoshin se ishte një nga vajzat jashtë martese të kolonel Aureliano Buendias, heroit të romanit «Njëqind vjet vetmi» të Gabriel Garsia Markezit. Manolos iu duk më e bukur nga ajo që ia përshkruan burrat nga Hondurasi, sidomos kur i mori kokën dhe ia shtrëngoi në gji. Por ai e dinte që duhej të ruhej, pasi gjuetia e Maria Sarrazolës shkonte deri tek të të mbajturit lidhur në banakun e saj thjeshtë për t'i boshatisur shishet qilloshe të Coronës. Manolo piu vetëm një birrë dhe i la të tjerët në argëtimin e fjalëve dhe thumbave për njëri-tjetrin. Dikujt gjithmonë i mbetet qejfi me dikë. Edhe Maria Sarrazolës. Iu duk se burri i ri nga Ekuadori sikur e fyu me indeferencën. Kështu që nga ora dy e natës, kur i dehu të gjithë mori rrugën për tek shtëpia e Manolos. Fresku nuk ndihej gjëkundi, veç një lloj buhavime që lëshonte asfalti poshtë dhe që mpleksjej me vesën e natës nga sipër, kjo ta bënte lëkurën si të ngjitshme për shkak edhe të djersës. Maria vendosi makinën e saj pas të Manolos, fiku dritat dhe pa zbritur fare, i çoi një sms. U dëgjua deri aty përjashta biptima e telefonit të tjetrit. Por asnjë përgjigje. Zbriti dhe shkoi tek dritarja, e shtyu me të lehtë. Kanatet u hapën sikur të ishin nga ato lojrat plastike me të cilat fëmijët ndërtonin anijet të mëdha. Hyri shpejt brenda dhe në gjysmë errësirë shikonte trupin përmbys të Manolos, krejt lakuriq që flinte gjumin e të vdekurve gati shekullorë.

-Ti do që unë t'i jap zgjidhje punëve, ë? Nga ata burra je ti? Këtej ke qejf por nuk ta mban. Do që gratë të ndjekin, ë? Kështu je, i tillë! - pëshpëriti Maria Sarrazola dhe iu fut në shtrat duke e prekur deri poshtë.

Ajo kishte një trup sportisteje, lëkurë të tërhequr dhe të kuqërremtë të cilën e pastronte gati ditë më ditë me sheqer të djegur, mishin të fortë që i shkonte për shtat me dhëmbët e rregullt e të bardhë. Flokët e zinj që dukej sikur ia kishte marrë ndonjë modeli dyqani për zezaket që përdornin stilin lisho të grave europiane. Manolo Roçario ndjeu të turbullohej për më tepër në atë gjëndje gjysmë fjetur, ku diçka e përëndërrt e bëri të qeshë me botën e fëmijës në kulmin e gjumit, e mori përsipër si një mobilje dhe u mbyt tek gjokset e saj duke u futur thellë e më thellë në një natë Andesh që aq shumë e dëshironte.

Kur u zgjua qe fund e krye i qullosur në një shtrat gati-gati prej uji, dritarja qe hapur kanat duke i sjellur brenda miliona rreze dielli plot argalisje papagajsh dhe zhurmat e mjeteve në trafikun jo shumë larg nga aty. Ora për në punë qe gati mu aty tek pragu aq sa e bëri të ngrihej vringthi, e iu vërsul derës, por ajo ishte e mbyllur. Dhe më mirë sepse qe gati të dilte përjashta ashtu krejt lakuriq. U kujtua se në raste të tilla bënte mirë të merrte në telefon tek puna dhe t’u thoshte që do të shkonte me vonesë për shkak të trafikut etj. U vesh duke folur, nxorri mjetin dhe hyri në lumin e makinave me mendjen se kishte parë ëndrrën më të bukur në botë.

Në punë e përfshiu e përditshmja, doli përjashta disa herë me platformën e tij metalike, ndonjë radhë pruri brenda nga ato që blerësit i kthejnë, pasi nuk u pëlqejnë kur i vendosin në shtëpi me preteksin e ngjyrës së mureve apo qilimit etj., deri sa mbylli ditën me shpresën për të takuar sërish Maria Sarrazolën. Ditë më ditë bënte diçka. Dhomën e ujdisi për mrekulli, bile tek pullazët e dritares vendosi plot vazo me lule, pastroi pjesën përpara, gjeti në tregun e natës ndanë trotuarëve statuja ëngjëjsh të cilave u vendosi drita kopshti nga ato me rreze diellore për t'i ndriçuar rrugën Maries. Ndonjë të diel ujdisi tavolinën dyshe në kopësht, poshtë pemës të starfrutit, ku kokrrat e gjata e të verdha në madhësinë e grushtit të dorës, ngjanin më shumë me një dekor skene në teatër se sa me realitetin e natyrës njerëzore plot diell të shtetit të Floridës. Vuri bokse të mëdhenj nën degë pranë kafazit të stërmadh të papagajve, gati që, sapo Maria Sarazola të ulej, ai të lëshonte në një volum të shtruar me timbrim bas melodinë e kondorit të Andeve. Priti e priti..., por ajo nuk i erdhi më kurrë.