Letërsi

RRUGËTIMI IM (fragment poeme)

Nga: Kristaq Turtulli

V

Rrugëtimi im i pandierë,

Në çerek botë

Ndodhi, kur hëna e ftohtë,

Thëthiu vesën me etje.

Të bëhej tokë buke.

Mbërtheva gozhdën e mendimeve

në shkëmb dhe vara xhaketën.

Përqark ishte hedhur kuverta e trashë,

Vazhdonte të binte borë,

Te bënte ngricë, ftohtë,

Foshnja motake,

Në sqepin e një pulëbardhe,

Qante me dënesë

Zbritën prej gërxheve çakejtë.

Qyteti gërmuqej si plak kockëdalë.

Mërdhinte, rrufiste çaj të ngrohtë,

Kollitej dhe ngrinte mbi supe

Pelerinën e ngrirë të plogështisë,

Të shqyer prej teheve të mprehta të thashethemeve.

 

VI

E trishtuar iku, me natë,

Mbretëresha e ujërave.

Liqeni i mjellmave s’ishte më.

Peshqit e artë i futi në trastë,

Mbushi xhepat më këngë,

Legjendat e fundit i fshehu nën pelerinë.

Nuk mund të qëndronte më,

Liqeni po thahej prej kërleshjeve të rëndomta të mërive,

Prej fateve të pazgjidhura të rastësive.

Prej brengave dhe shqetësimeve,

Të njëzeteshtatë vjetëve në turbullirë,

Më kot grinden të ikurit në fletën e ronitur të një gjetheje ...