Letërsi

Anës lumenjve

Arratisur, syrgjynosur, 
rraskapitur dhe katosur 
po vajtoj pa fund, pa shpresë, 
anës Elbë-s, anës Spree-së.  

ku e lam' e ku na mbeti, 
vaj-vatani e mjer mileti, 
anës detit i palarë, 
anës dritës i paparë, 
pranë sofrës i pangrënë, 
pranë dijes i panxënë, 
lakuriq dhe i dregosur, 
trup e shpirt i sakatosur. 

Se ç'e shembnë derbederët, 
mercenarët dhe bejlerët, 
se ç'e shtypnë jabanxhinjtë, 
se ç'e shtrydhnë fajdexhinjtë, 
se ç'e pren' e se ç'e vranë, 
Ç'e shkretuan anembanë, 
nënë thundrën e përdhunës 
anës Vjosës, anës Bunës. 

Çirrem, digjem i vrerosur, 
sakatosur, çarmatosur, 
as i gjall', as i varrosur, 
pres një shenj' e pres një dritë, 
pres me vjet' e pres me ditë, 
se ç'u tera, se ç'u mpaka, 
se ç'u çora, se ç'u mplaka, 
larg prej vatrës dhe prej punës, 
anës Rinit, anës Tunës. 

Çakërdisur, batërdisur, 
përpëlitur dhe zalisur, 
ëndërroj pa fund, pa shpresë, 
anës Elbë-s, anës Spree-s. 

Dhe një zë vëngon nga lumi, 
më buçet, më zgjon nga gjumi, 
se mileti po gatitet, 
se tirani lebetitet, 
se pëlcet, kërcet furtuna, 
fryhet Vjosa, derdhet Buna, 
skuqet Semani dhe Drini, 
dridhet Beu dhe zengjini, 
se pas vdekjes ndriti jeta 
dhe kudo gjëmon trumbeta. 
ngrehuni dhe bjeruni, 
korrini dhe shtypini, 
katundar' e punëtorë, 
që nga Shkodra gjer në Vlorë! 

Ky ilaç e ky kushtrim 
më bën djal' e më bën trim, 
më jep forc' e më jep shpresë, 
anës Elbë-s, anës Spree-s. 

se pas dimrit vjen një verë, 
që do kthehemi njëherë, 
pranë vatrës, pranë punës, 
anës Vjosës, anës Bunës. 

arratisur, syrgjynosur, 
raskapitur e katosur, 
brohoras me bes' e shpresë, 
anës Elbë-s, anës Spree-s.

 

Fan Stilian Noli