Letërsi

Na të birtë e shekullit të ri - Nga Migjeni

Na të birtë e shekullit të ri,

që plakun e lamë në “shejtnin” e tij

e çuem grushtin për me luftue

ndër lufta të reja

dhe me fitue…

Na të birtë e shekullit të ri,

filizat e një toke së rimun me lot,

ku djersë e ballit u dikonte kot -

se dheu ynë qe kafshatë e huej

dhe në marrzi duhej shum shtrejtë t’u paguhej.

Na të birtë e shekullit të ri,

vllazën të lindun e të rritun në zi,

kur tinglloi çast’ i ynë i mbramë

edhe fatlumë

ditëm me thanë:

S’duem me humbë

në lojë të përgjaktë të historis njerzore,

jo! jo! s’i duem humbjet prore -

duem ngadhnim!

ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!

S’duem, për hir

të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,

të zhytemi prap në pellgun e mjerimit

që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,

kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis –

të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.

Na të birtë e shekullit të ri,

me hovin ton e të ndezun peshë,

ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë

dhe për fitore kem’ me ra fli.