Letërsi

Severina Albanese - Tregim Pj. 1

Nga: Avdulla Kënaçi

Një makinë “Doxh karavan”, gjashtë vendëshe, u shkëput prej autostradës Trans-Kanada dhe po ecte në drejtim të kundërt të rrjedhës së lumit Bow. Qielli ishte i kthjellët dhe stacionet meteorologjike kishin njoftuar se në dy javët e ardhshme nuk parashikoheshin shira. Ujrat e lumit Bow njihen si më të pastrat e të kthjellëtat në tërë rrafshnaltën e provincës së Albertës. Ato zbresin nga liqenet malorë midis tre majave me lartësi mbi dy mijë e pesëqind metra secila, në lindje të qytetit Kalgari.

- Tani fillon gjelbërimi i përjetshëm, - tha Sindi, ajo vajza zeshkane, me mollëzat e faqeve të tërhequra e flokët gështenjë të ndara më dysh, - në vazhdim do të shohim vetëm bredha, kedër, pisha dhe okër. E dini si i thonë gjelbërimit në gjuhën e aborigjenëve Siksika? Kananashis.

Të katër vajzat, të përfshira në debatin gjuhësor, as që e vunë re fushën me kallama që shtrihej në gjithë bregun e majtë të lumit. Drejtuesi i makinës, Marku, rregulloi pak më mirë pasqyrën e mesit për të shquar sa më qartë portretin e studente Severina Albanese e cila kishte zënë vend në fund fare. Sipas Markut, ajo ishte më simpatike ndër katër shoqet e saj. Elegante, me qafë të gjatë, lëkurë të lëmuar dhe dy sy të mëdhenj e të zezë si ulli. Shquhej për bukuri dhe finesë. Në vendin e parë qëndronte drejtuesja e projektit, Marina, mes-hollë, me këmbë të drejta e lëkurëbardhë. Po ta shikoje me kujdes, fytyrën e kishte paksa të shtypur, por ajo e dinte këtë “defekt” dhe kujdesej vazhdimisht që flokët t’i binin mbi gjysmën e faqes. Fotografët dhe kameramanët e televizioneve, si bleta mjaltit, gjithmonë i suleshin Olgës e cila disa herë kishte fituar konkurset lokale të bukurisë në gjithë Universitetin e Kalgarit. Kishte sy të mëdhenj e plot shkëlqim, fytyrën si alabastër dhe flokët dyllë të verdhë e gjithë onde. Padyshim, ajo ishte një top-modele e vërtetë. Pas saj, me sy gjysëm të mbyllur e ëndërrimtarë, plot mirësi e finesë qëndronte Sindi hokatare për të cilën thoshnin se mbi kurmin e saj duhej të vendosej koka e Olgës që ajo të mund të cilësohej si “Miss Bota”. Të katër vajzat ishin pjesë e grupit folklorik të vallëzimit në Universitetin e Kalgarit.

Mungonin dy prej tyre të cilat ishin nisur me pushime në Kankun të Meksikës. Marku, ky djalë tridhjetë e tre vjeçar që ato njëzëri e thërrisnin “koç” (coach) ishte trainieri i tyre. Dy javë rresht grupi do të jetonte në kampingun buzë liqenit Luizë drejt të cilit ishin nisur qysh herët në mëngjes. Vetëm Sindi i njihte ato vende, ndërsa gjithë të tjerët i vizitonin për herë të parë. Sa më lart që ngjiteshin, aq më vështirë e kishin të kuptonin se ku mbaronin liqenet e ku niste lumi Bow. Rruga herë humbiste në pyll e herë gjarpëronte frikshëm buzë shkëmbinjve. Më të rrallë këmbeheshin me ndonjë kamion apo veturë. Pas 180 kilometra udhëtim, përpara tyre u shfaq liqeni Luizë, blu, në formë eliptike, rrethuar me pyje të gjelbër të cilët shkonin deri në gjysmën e tre maleve me maja të zbardhura nga dëbora. Ky vend kishte një bukuri mahnitëse, aq sa Severina e quajti “Syri i Zotit”.

- I ngjan bukurisë së Priceshë Luizës, prandaj e kanë quajtur të tillë, - tha Marina me zë të lartë e të sigurtë.

- E kush ishte Luiza? E bija e mbretëreshë Viktorias. Pse emri i saj duhej t’i ngjitej këtij liqeni kur ai kishte një emër me të cilin e kishte pagëzuar fisi Sisika? - e kundërshtoi Severina. Këto fjalët e fundit i pëlqyen pa masë Sindit e cila qeshi me të madhe. “Severina gjithnjë ka mendimin e saj të pavarur, por edhe guximin për ta thënë hapur atë çfarë ndjen, i lumtë”, mendoi ajo.

- Po ti Olga, nga cila anë je? - pyeti Marina që donte sa më shumë përkrahës të idesë së saj.

- Me Priceshën, por Marku nuk ka folur ende, - tha ajo e vendosur duke ndjerë se fitoren e vendoste pikërisht ai. Trainer Marku nëpërmejt pasqyrës kryqëzoi shikimin mbi Severinën dhe pa se si ajo i buzëqeshi me nënkuptim e ëmbëlsi.

- Unë mendoj, - tha ai - emërtime të reja mund të vendosim aty ku nuk ekzistojnë, por jo aty ku ka prej shekujsh. Çdo lloj ndryshimi është njëfarë dhunimi ndaj traditës.

Ndërkohë makina doli nga pylli dhe mori rrugën përmes lëndinës që zbriste butë-butë buzë liqenit. Njëra prej tabelave tregonte drejtimin e kampingut dhe lartësinë 1600 metra mbi nivelin e detit. Kishin arritur në destinacion. Pranvera e vonuar kishte pushtuar edhe këto lartësi. Aguliçet ua kishin lënë vendin luledeleve dhe “dhëmbit të luanit”. Asgjëkundi nuk të zinte syri bar të shkelur nga këmba e njeriut. Dukej sikur asfalti i rrugës kishte hyrë dhunshëm përmes livadhit, por ai zhdukej pas një kthese duke ia lënë vendin kaltërsisë së liqenit. Vajzat kishin zbritur nga “Doxhi” dhe nuk ngopeshin duke kundruar atë copë parajsë në pëllëmbë të maleve. Aty gjeje gjithçka, pyll të gjelbër, livadh të lulëzuar, ujra si kristali dhe akoma më lart shkëmbinj të thepisur e bardhësi dëbore. Bukuri e virgjër. Ajri i pastër të mbushte mushkëritë dhe trupin e ndjeje të lehtë si një pupël. Të gjithë ishin të lumtur që do të kalonin këtu dy javë. Pa zhurma, pa celularë, pa gazeta dhe televizion. Lamtumirë botë e zhurmshme e moderne. Ende pa e marrë veten nga habia prej bukurisë së këtij peisazhi, qetësinë e prishi zëri i Markut:

- Vajza, kemi kohë të shijojmë “parajsën”, duhet të shpejtojmë të ngremë kampin. Pesë kilometra më tej, sipas hartës është fshati turistik Logan me rreth njëmijë banorë. Duhet të shkojmë atje së bashku, të furnizohemi me pajisje dhe ushqime, pastaj të kthehemi përsëri këtu.

Një nga një, përsëri ato i hipën “Doxhit” dhe Marku vazhdoi rrugën buzë liqenit. Me lehtësi e gjetën qendrën tregtare “Samson Mall” ku u furnizuan me çadra, ushqime dhe rroba sportive si edhe me një makinë mekanike për korrjen e barit. “Merrni edhe këtë skarën, do ju duhet për gatimet mbi zjarr dhe mos harroni, ushqimet i mbani të gjitha në makinë, mos kini frikë se ju prishen, nata këtu është e ftohtë”, i porositi shitësi babaxhan i qendrës së vogël tregtare.

***

Bisedat me zë të lartë dhe të qeshurat pushuan kur secilës vajzë iu caktua nga një detyrë. Marina do të ndihmonte Markun për të hapur çadrat, Sindi dhe Severina do të mblidhnin dru për zjarrin dhe Olga do të merrej me korrjen e barit. Pastaj të gjithë së bashku do të sistemonin ushqimet dhe çadrën e kuzhinës. Ato mbetën të habitura se me sa shkathtësi “koçi” hapi çadrën, e fiksoi dhe shtroi dyshekët prej ajri përtokë. Të katër vajzat do të flinin së bashku dhe ai më vete, nga ana e pyllit, për t’i mbrojtur nga çdo e papritur, sidomos nga arinjtë, por këtë arsyen e fundit nuk ua tha. Më në fund u ngrit edhe çadra e kuzhinës me dy tavolina e gjashtë karrige portative. Edhe pak dhe disku i zjarrtë i diellit do të fshihej përtej majës së malit të Tempullit. Sindi dhe Severina po mundoheshin të ndiznin zjarrin brenda një gjysëm fuçie metalike, por nuk ia dilnin dot. Marku u erdhi në ndihmë duke zgjedhur ca shkarpa të holla e të thata. Flaka, në fillim e vogël sa një thua, erdhi e u zmadhua duke lëshuar shkëndija në ajër të cilat humbisnin në errësirë. Të katër vajzat në ato momente mendonin një lloj: “Si do t’ia dilnim ne pa këtë mashkull kaq praktik?”. Heshtjen e prishi e para Olga:

- Koç, keni marrë pjesë edhe tjetër herë në kampingje?

- Jo, por kam eksperiencën e ushtrisë, kam qenë një vit në Afganistan, - u përgjigj ai duke ua shuar kureshtjen aty për aty.

- Nuk ma priste mendja se një trainer vallëzimi di edhe të luftojë, - tha Olga paksa ironike.

- Jemi me fat që kemi midis nesh Markun, - tha Severina me një farë krenarie dhe admirimi.

Marku kishte shumë pak kohë që merrej me këtë grup folklorik. Ai punonte si instruktor vallëzimi në një kolegj. Gjatë një koncerti ishte njohur me Severinën e cila kishte një motër më të vogël në grupin folklorik që drejtonte ai. Pikërisht kur atyre iu duhej një trainer zëvendësues, ajo propozoi Markun të cilit i pëlqeu ideja e kampingut. Pas dy javësh projekti i Marinës mbyllej dhe ato së bashku vendosën të shfrytëzonin mundësinë për të shpenzuar ato dollarë që kishin mbetur. Dhe ja ku kishin mbërritur tek liqeni Luiza. Ishin pak të hutuara, por të gjitha të gëzuara. Darka i shijoi aq shumë sa ishin gati t’ia nisnin nga fillimi. Ishte një eksperiencë e re që ato e përjetonin në mënyra të ndryshme. Marku, të cilin e takonin për herë të parë, me përjashtim të Severinës, ishte një zbulim. Të katërta mendonin rreth tij. Digjeshin nga dëshira të dinin sa më shumë hollësira.

Temperaturat në mbrëmje dhe gjatë natës, buzë liqenit, zbresin gati aty afër zeros. Edhe pse ishte mesi i verës, ato ndjenin si flladi i freskët i liqenit u përshkonte lëkurën. Hodhën mbi supe dikush një bluzë e dikush një xhup. Flakët e zjarrit u ndriçonin fytyrat dhe secilës i jepnin një pamje fantazmagorike. Rrotull, perandoria e errësirës kishte vendosur pushtetin e saj, vetëm aty në horizont, dritat e një hoteli turistik reflektonin e përthyheshin në sipërfaqen e liqenit duke kombinuar një ylber ngjyrash. Midis vajzave, binte në sy e shquhej portreti i Olgës i cili ishte tjetërsuar: flaka i kishte stampuar mbi faqe një ngjyrë trëndafili që asaj gjithmonë i mungonte. Me zgjedhjen që kishin bërë, edhe pse ishin të lodhura, ndjeheshin të kënaqura. Marku i porositi për të fundit herë të mos mbanin në çadër asnjë lloj ushqimi, sidomos bukë dhe mjaltë. “Aromën e tyre ariu e ndjen që larg”, u tha ai. Kjo i frikësoi, por duke qenë çadra e tyre në mes, ishin disi më të sigurta. Sindi, kur mendonte pyllin, errësirën dhe shpellat, e harronte rrezikun nga ariu, mendja i shkonte tek fantazmat, ato ishin të rrezikshme sipas saj, por këtë nuk ua tha shoqeve. Ajo e para u zhduk nën batanie me të cilën mbuloi edhe kryet.

- Severina, - pyeti Olga me zë të ulët, - di gjë, i martuar është ky koçi?

- Aq sa më ka thënë ime motër, Marku ka pasur një grua shumë të bukur, edhe ajo balerinë. U aktivizua në një film të Hollivudit dhe nuk u kthye më. U lidh me një aktor amerikan, por edhe prej atij është ndarë.

- Ky është një burrë i pashëm dhe shumë korrekt, për mendimin tim, duhet të jetë familjar i mire. Unë të mos kisha boyfriend, do ta pranoja me kënaqësi, - tha Marina.

Olga e përfytyroi në krah të vet dhe me imazhin e tij në sy e zuri gjumi, ndërsa Severina solli ndërmend momentin kur e kishte takuar për herë të pare. Iu duk aq i afërt e i përzemërt, i çiltër si një fëmijë. Pastaj ajo kujtoi vështrimin e tij energjik nga pasqyra e makinës gjatë udhëtimit, vështrim i cili vetëtimthi e shpoi si një shigjetë.

***

Sapo fashat e arta të diellit mëngjesor ranë pjerrtas mbi suprinën e liqenit, vajzat njëra pas tjetrës u zgjuan duke kërkuar me sy Markun, por ai nuk ishte aty rrotull. Ku mund të gjendej? Makina ndodhej në parkim, e palëvizur. Nuk kaloi shumë kohë dhe Severina thirri e gëzuar:

- Po vjen Marku, shiheni, po zbret nga ajo kodra afër pyllit.

- Kur unë vura re çadrën e tij bosh, nuk di, por ndjeva një zbrazëti të madhe në shpirt, - tha Olga duke psherëtirë thellë. - Si do ishte fati ynë pa praninë e këtij mashkulli?

Pas mëngjesit, Marina i mblodhi të gjithë dhe u komunikoi orarin e gjimnastikës, pushimit, vakteve të ushqimit, jogës dhe provave të grupit. Katër orë prova duhet të ishin të mjaftueshme. Këtë agjendë vunë në zbatim qysh ditën e parë. Marku, gjithë kohën e lirë e shpenzonte duke gjuajtur peshk me grep, një nga hobitë e tij të hershme. Liqeni ishte i pasur me trofta që binim me lehtësi në grackë. Peshqit e zënë, sipas radhës ato i pastronin, i gatuanin ose i piqnin në skarë. Sindi zotëronte aftësi të rralla në pjekjen e peshqve në prush. Ndërsa Olga kishte korrur në livadh një rrethore bari që nga larg ngjante fiks si një podium. Aty nisën provat e vallëzimit. Muzika vinte nga dy bokse të lidhura magnetofonit të makinës. Marku kishte zgjedhur një valle të re me të cilën ky grup do të konkuronte në festivalin rajonal. Disku brenda magnetofont nisi të rrotullohej dhe lugina ushtoi nga një klarinetë që mbushi tërë hapësirën rrotull. U duk se zogjtë i ndalën cicërimat e tyre. Ajo muzikë u dha të gjithëve ndjesinë e valëzimit të ujrave të liqenit, shushurimave të pyllit dhe dallgëzimin e barit të pakorrur.

- Është valle e Shqipërisë së Jugut, - shpjegoi Marku - në Kanada thuajse nuk njihet. E dini se ku bie Shqipëria? Tri prej tyre ngritën supet, ndërsa Severina tha:

- Është një vend i vogël përballë Italisë. Janë ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, kanë gjuhën, këngët e vallet e tyre të veçanta që nuk ngjajnë me asnjë tjetër në botë.

- Ti je shqiptare me origjinë? - pyeti e habitur Olga me origjinë ruse.

- Jo, tre breza më parë prindërit e mi kanë ardhur nga Roma dhe ata gjithnjë e kanë quajtur veten italianë, - u përgjigj ajo jo fort e sigurtë. Marku buzëqeshi. “Me siguri ata janë me origjinë shqiptare, nuk ka si shpjegohet ndryshe mbiemri Albanese”, mendoi ai.

Vazhduan provat. Marku udhëhoqi i pari dhe të katër vajzat e ndoqën. Nuk ishte e vështirë për t’i përcjellë hapat, por ato nuk mund të uleshin e ngriheshin si ai, nuk mund të rrotulloheshin e të kërcenin me atë lehtësi dhe elasticitet si të atij. Por ishte fillimi. Kush do të ishte e para në ekzekutimin e kësaj valleje? Ndoshta as vetë Marku nuk e dinte këtë dhe priste kush do të mund të shquhej në të ardhmen.

Ditën e tretë të provave Olga e ndjeu se vendi i parë i kërcënohej. Severina kishte diçka të lindur për këtë valle: rrotullimet i kryente perfekt. Kjo ishte bërë e qartë për të gjithë, por Marku nuk ngutej ta shpallte më të mirën e këtij kërcimi. Ai vazhdonte provat ritmikisht e me durim. Ushtrime gjimnastikore, vrap, shëtitje buzë liqenit, këngë në grup, gjuajtje me hark…Të gjithë ndiheshin mirë, kurdoherë dukeshin sikur ishin kthyer mbrapa në kohë. Olga më të rrallë i kujtonte miqtë e saj. I dukej sikur kishte lindur në natyrë. Severina ishte e gëzuar që Marku në çdo analizë fliste për zellin dhe seriozitetin e saj në prova. Shpesh ajo e ndiqte mbrapa kur ai shkonte për gjueti. Sytë e tij sikur lëshonin rreze kur ndesheshin në sytë e saj. Marku kishte zgjedhur një shkëmb buzë liqenit, atje ku gjelbërimi i pyllit prekte bregun. Nganjëherë pranë tij vinte e ulej Severina, kështu ai sajoi një trung peme ku uleshin të dy. Sa herë i shikonte së bashku, Olgës i mblidhej një lëmsh në grykë dhe i sëmbonte zemra. Vriste mendjen se çfarë i lidhte këta dy njerëz? Përse ky mashkull ishte kaq indiferent karshi bukurisë dhe delikatesës së saj? Olga nuk ishte vetëm e bukur, por edhe e dalluar në mësime. E ndjente se vendi i parë i takonte kurdoherë, mirëpo ky trainer fodull bënte sikur nuk e vinte re. I vinte plasje, kafshonte thonjtë në fshehtësi dhe kur pranë Markut nuk ishte Severina, do të gjendej me patjetër ajo. Kishte një dëshirë të zjarrtë ta kapte përdore e ta shtrëngonte në gjoks. Ajo qeshte, llastohej, tregonte barcaleta dhe vraponte të plotësonte çdo kërkesë që ai bënte. Digjej nga dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes së tij. Marku kurdoherë sillej me respekt, e vështronte ëmbël, por kurrë nuk i hidhte shikime aq ledhatare si Severinës. Kështu rridhnin ditët njëra pas tjetrës.

Në një nga ato mëngjese, zëri i mprehtë i Markut i zgjoi të katër vajzat nga gjumi.

- Çohuni, na kanë ardhur mysafirë, ju lutem pa zhurmë.

Një nga një ato nxorrën kryet nga dera portative e çadrës. Një tufë drerësh kullosnin të patrazuar, shumë afër tyre, në lëndinë. Kafshët ishin aq të bukura e nazike dhe ato kurrë nuk kishin parë drerë të egër kaq afër tyre. Tufën e kryesonte një mashkull fodull me brirë të përdredhur. Tufa ecte gjithnjë pas gjurmëve të mashkullit. Ah, kur nuk kishin me vete as celularë e as aparat fotografik?! Vajzat i numruan: ishin plot dymbëdhjetë krerë. Femrat kishin nga dy vija paralele në kurriz dhe ishin më trupvogla se sa mashkulli i cili ecte në krye të tufës e mbahej më të madh si një perandor. Tufa paqësore vazhdoi rrugën pa u shqetësuar nga prania e vajzave. Do të kishte edhe ditë të tjera që kjo tufë do të dukej afër çadrave. (vijon)