Letërsi

Severina Albanese – Tregim Pj. 2

Nga: Avdulla Kënaçi

Sa kaloi java e parë e kur gjithçka dukej se ecte sipas programit, në mesnatë u ndje një zhurmë jo e zakonshme. E para u zgjua Sindi. Mbajti vesh: “Kërr, kërr, këëërrrr…” Zhurma përsëritej ritmikisht. Mos ndonjë ari po tentonte të hapte bagazhin e makinës ku ishin ushqimet?! “Kërrrr, këërrr…”, vazhdonte zhurma. Ishte aq e fortë sa u zgjuan edhe vajzat e tjera.

- Kam thënë unë, kjo është fantazmë, është zhurmë fantazme. Sikur diçka po grricet me thonj, vetëm shpirtrat e ligj bëjnë kështu, - tha Sindi me zë të dridhur. Edhe pse shoqet nuk e besuan, një ngjethësirë ua përshkoi tej e tej trupin dhe gjumi u ishte arratisur kushedi se ku.

- Të njoftojmë menjëherë Markun, - tha Severina.

- Po shkoj unë, - tha Olga dhe pa pritur përgjigje u nis. Marku ishte në gjumë të thellë kur ndjeu se dikush e kishte kapur për krahu:

- Çohu, zoti Mark, diçka ka ndodhur, një zhurmë e ligë po vjen nga pylli, është zhurmë e çuditshme. Të gjitha jemi zgjuar, kemi frikë, na ka pushtuar ankthi. Sindi thotë se janë fantazma.

- Budallallëqe…, - tha Marku duke u veshur. Edhe pse nën pushtetin e frikës, Olga pa një trup mashkulli muskuloz e të fuqishëm. Iu kujtua dreri mashkull me brirë të përdredhur. Marku mbajti vesh, vërtetë vinte ajo zhurmë nga pylli?

- Qetësohuni, mos kini frikë, e zgjidh unë, - u tha ai i sigurtë.

Mbajti vesh përsëri dhe përcaktoi drejtimin nga vinte zhurma. Ndezi makinën dhe u nis në atë drejtim. Shkoi gjer afër pyllit dhe hapi dritat e gjata. Bëri para, mbrapa, pastaj u ndal. Fashat e dritave të makinës ndiçonin një radhë pemësh duke çarë errësirën e thellë të pyllit. Tetë sy e ndiqnin plot frikë dhe kureshtje: “Po sikur t’i ndodhë gjë, mos o zot, larg qoftë!”, i shkoi ndërmend Severinës. Zhurma ndjehej gjithnjë e më afër në veshët e Markut… Ja ku e zbuloi shkakun: Dy degë të thata të një pishe ishin palosur mbi njëra tjetrën dhe duke u fërkuar shkaktonin atë zhurmë. Po pse nuk bënin “kërr-kërr” gjatë netëve të tjera? Sepse atë natë frynte një erë e lehtë nga lindja. Kur u kthye, ua shpjegoi arsyen e zhurmës. Ato sikur u bindën, por Sindi as që e besoi. Ajo ishte e vendosur: Ishte me pa tjetër një fantazmë e vetmuar.

Erdhi mëngjesi me një dritë të artë magjike dhe dukej sikur gjatë natës nuk kishte ndodhur asgjë. Provat, gjimnastika, shëtitjet, goditjet me hark vazhdonin si zakonisht. Pas pushimit të drekës Markun do ta gjeje gjithmonë në vendin e tij të preferuar duke gjuajtur. Shpesh, ulur pranë tij i bënte shoqëri Severina e cila bënte pyetje pa fund për llojet e grepave, ushqimet që kishin qejf troftat dhe llojet e tyre. I vinte keq kur ndonjë peshk i vogël binte në grep dhe ajo kujdesej për ta kthyer përsëri në liqen. E ndjente veten të lumtur pranë tij. Pastaj e pyeste nëse ai besonte në fantazmat. Markut i pëlqente ai zë i butë e delikat; buzëqeshte dhe i përgjigjej se ai besonte vetëm tek shkenca. “Fantazmat kanë lindur në imagjinatën e njerëzve primitivë që nuk kanë alternativa shkencorë për të shpjeguar fenomenin, Severina”, i tha një ditë. Mirëpo përpara se sa të flinin, Sindi e vendosur përsëriste: “Në se doni të shpëtojmë prej fantazmave, duhet të shkojmë të falemi në Malin e Tempullit, përballë”. Vajzat e tjera herë anonin nga ajo e herë nga Marku që e kundërshtonte prerë.

***

Projekti do të mbyllej për pak ditë. Vajzat gjithnjë e më tepër e ndjenin veten më të lira e të pavarura, zot të vetes. Thuajse ato ishin përshtatur për bukuri me jetën në natyrë. Dielli malor, erërat dhe flladi i liqenit në luginë, deri diku i kishin tjetërsuar duke ua hequr nga fytyra atë shtresë kremrash të yndyrshme. Lëkura u kishte marrë një ngjyrë të lehtë bronxi. Ishte një eksperiencë e re, gjurmëlënëse për secilën. Këtë gjë e përsërisnin shpesh me njëra tjetrën, sidomos përpara gjumit.

Atë mbasdite Marku nuk kishte dalë për të gjuajtur peshk, por mbi shkëmb, tek pozicioni i tij ishte “ngulur” Severina. Tashmë ajo ia kishte marrë dorën dhe gjuetia po i kthehej në pasion. Olga po e imitonte në çdo hap dhe u nis drejt saj me shpresën se Marku së shpejti do të kthehej tek shkëmbi. Severina, e përqendruar tek grepi i zhytur në ujë as dëgjonte, as shihte se çfarë ndodhte rrotull. Filispanja po lëkundej sa majtas-djathtas dhe asaj iu shtuan shpresat se një peshk i madh po tentonte t’i binte grepit. Sa shumë do të krenohej përpara grupit e sidomos përpara Markut. Po sikur ai të ishte aq i madh sa të mos e tërhiqte dot? Po pse u vonua kaq shumë ky djalë? Kallami u tund dhe mend i shpëtoi nga dora. Ndjeu zemrën t’i rrihte fort, kur befas dëgjoi një ulërimë të thekshme që mbushi gjithë luginën: “Fantazma, fantazmaaa, fantazmaaaa…”, ishte zëri i alarmuar i Olgës. U ngrit e trembur, fillispanja iu mpleks nëpër duar dhe njëra këmbë i rrëshqiti mbi trung i cili u rrotullua gjer buzë shkëmbit. Ajo humbi ekuilibrin dhe sa hap e mbyll sytë, u hepua, zgjati duart në ajër dhe gëlldup ra në ujë gjithë tërsëllimë si një gur i rëndë. Marku e pa së largu çfarë i ndodhi dhe u vërsul si shigjetë drejt liqenit. Diçka i thirri Severinës në vrap e sipër, por fjalët nuk iu morën vesh. Ajo po luftonte me këmbë e duar duke shkumbëzuar ujët dhe harroi që thellësia aty nuk shkonte as një metër e gjysëm. Ishte e tëra e pushtuar nga paniku. Mendoi vdekjen. Nuk merrte dot frymë, po mbytej, iu duk se ishte në ëndërr. Kur i kishte humbur shpresat, ndjeu një dorë të fuqishme t’i kapte krahun. “Me siguri dora e Markut”, mendoi për të fundit herë dhe i ra të fikët. Të gjitha vajzat vrapuan buzë liqenit të lebetitura dhe po ndiqnin lëvizjet e Markut me sy. Ai e kapi Severinën me njerën dorë, e ngriti mbi ujë dhe po ecte drejt tyre duke e mbajtur në duar. Kullonte ujë. Ajo kishte humbur ndjenjat. Marku, pa dalë nga liqeni, kërkoi t’i sillnin një batanije. Njëra nga vajzat ia solli përpara se ai të dilte në breg. Ai i shqeu rrobat e lagura, ia flaku tej dhe e mbështolli të gjithën me batanie. As nuk e kishte mendjen tek hijeshia e kurmit të saj të derdhur. Një dhimbje therëse i shpoi zemrën. I hapi gojën dhe i tërhoqi gjuhën që i kishte bllokuar fytin. Pastaj i bëri frymëmarrje gojë më gojë. Severina ishte në kllapi, por instiktivisht lëvizi dorën dhe kapi krahun e Markut, pastaj hapi sytë. Të gjithë morën frymë të lehtësuar që ajo ishte gjallë. Përmes lotëve, Olga e puthi në ballë. Ndjehej fajtore për aksidentin që i ndodhi.

- Ti e ke fajin, - i tha Stela duke e parë me neveri.

- Ju betohem se fantazma më doli përpara, e pashë me këta sy, tek hundët kishte dy brirë si drapër, ishte e zezë si nata, - u shfajësua vajza e mjerë duke mos duruar dot tërë ata sy qortues që e shponin nga të katër anët.

- Unë e besoj që ishte fantazmë, - tha e sigurt Sindi - ajo nuk ka për t’u ndarë deri sa të shkojmë e të falemi tek Mali i Tempullit.

- Lëvizni, nuk është çasti për debate, dikush duhet të ndezë zjarrin, hidhni sa më shumë dru, nuk shihni si është mavijosur shoqja juaj?! Ka të dridhura, - tha Marku me një zë të rreptë e urdhërues, por fjalinë e fundit e shqiptoi me ton të ulët e të dhimbsur. U vunë të gjitha në lëvizje. Pas pak zjarri bubulloi dhe ato u mbodhën hark pas kurrizit të Severinës që akoma i dridhej mjekra nga të ftohtit. Sindi foli përsëri:

- Duhet të largohemi sa më parë prej këtu, ua kam thënë që në fillim, këtu ka fantazma.

- Çfarë budallallëqe llomotit, - iu hakërrye Marku, i egërsuar si një dem, - Ti u ke shtirë frikën shoqeve, je ti shkaku i kësaj situate idiote. Ta vërtetova njëherë “teorinë” tënde, tani po ta them përsëri, Olga ka parë një derr të egër, të zi, mashkull, ato që ajo quan brirë janë dy dhëmbë të gjatë, dy çataj. Derrat zbresin për të pirë ujë tej shkëmbit, i kam parë edhe unë. Mos i bini më qafë kot së koti. Nuk e shikoni që edhe ajo është e tronditur?!

Fjalët dhe dhe argumentat që solli Marku e qetësuan Olgën dhe e shfajësuan në sy të shoqeve të cilat në një farë mënyre mendonin mos ajo e kishte trembur qëllimisht rivalen. “Sa i mirë është ky traineri, ai jo vetëm shpëtoi Severinën nga vdekja, por edhe mua më lehtësoi nga kjo barrë dyshimi”, mendoi ajo duke e përpirë me dy sytë e saj të bukur, gri në të kaltër. “E mbytura” dalëngadalë po e merrte veten. Afshi i flakëve po e gjallëronte, por ende ishte nën stres. Erdhi koha e darkës, por asnjerës nuk i hahej ushqim. A do të përsëritej edhe sonte ajo zhurma misterioze që vinte nga pylli? Për çudi atë natë nuk ndjehej asnjë zë veç bubullimës së zjarrit.

- Ne po heshtim si peshku, - e prishi qetësinë e para Stela - ne duhet të jemi të gëzuara se shoqja jonë e dashur është gjallë e midis nesh. Marku është heroi i ditës, ama ai bëri si bëri dhe e puthi në buzë, - tha me nënkuptim duke shkelur syrin. Ato qeshën të gjitha në kor, ndërsa Olga vetëm sa shpërveshi buzët. Nuk i buronte gëzimi së brendshmi. Ende nuk ishte e sigurtë: ishte derr i egër apo fantazmë? “Eh, rini, rini, sa shpejt kalon nga një gjendje emocionale në tjetrën”, mendoi Marku duke i parë ashtu të hareshme e hokatare.

***

Thuajse atë natë ato nuk mbyllën sy. Marku qëndroi gjer pas mesnatës midis tyre. Ato vetë nuk e lanë të largohej. E pyetën për kohën e shërbimit në Afganistan dhe ai u tregoi disa nga luftimet dhe ndodhitë e jetës së tij ushtarake që ishin ku e ku më larg e tragjike krahasuar me ngjarjen që u përjetua atë mbasdite. Severina nuk kishte qejf që ai të largohej, por nuk mund ta shprehte atë dëshirë në sy të grupit. Kur iku Marku, vajzat ulën zërin, por vazhduan thashethemet. “E vutë re çfarë muskujsh që kishte, çfarë busti, por sa i shkathët dhe i guximshëm”, tha Stela gazmore. “Ia patë ju një tatu mbi gjoks, nga ana e majtë? Nuk arrita të dalloj çfarë shkruhej, mos vallë ndonjë përkushtim ndaj ish gruas që e braktisi? Si nuk ia lexuam dot?”, tha Marina e brengosur. Portreti i Markut ishte rrënjosur thellë, në memorien e secilës. Të gjitha ndienin simpati ndaj tij. Urrenin ish gruan që e kishte braktisur, megjithëse asnjëra nuk e kishte parë atë balerinë mëndjemadhe e mosmirënjohëse. Ishin të sigurta se ajo kishte humbur një thesar. Një burrë të tillë model e ëndërron çdo vajzë.

Të nesërmen tufa e drerëve kishte zbritur përsëri në lëndinë, thuajse ngjitur me çadrat.

- I shkreti ky mashkull, si ua del shtatë femrave së bashku? Ne njerëzit nuk e durojmë dot këtë poligami. Por kam idenë se drerët janë muslimanë, marrin nga shtatë gra, - tha Stela duke qeshur. Të gjitha kukurisën në kor.

- Prandaj edhe sot është aq në modë ndarja e çifteve, - ia priti Marina shumë seriozisht. Markut i dogji ajo fjala “ndarja e çifteve” dhe bëri sikur merrej me punë duke shkuar drejt “Doxhit”.

Çdo e keqe ka një të mirë. Edhe dy ditë kishin ngelur. Duhej përcaktuar kush do ta udhëhiqte vallen shqiptare. E para e mori fjalën Marina dhe votën e saj ia dha Severinës. Olga hezitoi pak, por edhe ajo ishte e të njëjtit mendim. Pas asaj që i ndodhi nuk kishte kuptim të kundërshtonte. Marku u gëzua që kjo “nyje” u zgjidh në mënyrë kaq paqësore, pavarësisht se ai, qysh në fillim, e kishte zgjedhur atë valle pikërisht për Severinën.

Në ditën e fundit mbodhën çadrat, pastruan e paketuan sendet që kishin marrë me qira, i dorëzuan në qendrën tregtare dhe për të fundit herë i hodhën sytë liqenit, pyllit dhe lëndinës me të cilën kishin ndarë dy javë nga jeta e tyre. Sindi, para se të hipte në makinë, i mbante kryet drejtuar nga Mali i Tempullit dhe diçka mërmëriste nëpër dhëmbë. Me siguri një lutje. U nisën për rrugën e kthimit. Severina u ul në vend të parë, afër Markut. Vendin e fundit e kishte zënë Olga. Secila nga vajzat komentonte përjetimin e saj, vetëm Severina dhe Marku nuk merrni pjesë në bisedë, por pas dyzet minutash udhëtim ai frenoi afër një kroi në anë të rrugës. Zbriti, pas e ndoqi Severina.

- Kush dëshiron të mbushë termusët me ujë dëbore, ja ku e kini çesmën, - u tha vajzave, por asnjëra prej tyre nuk reagoi. Debati i ndezur ishte në kulmin e vet dhe i kishte përfshirë plotësisht. Të gjitha i ishin kundërvënë Sindit rreth ekzistencës së fantazmave. Ujët e akullt dilte nga një e çarë shkëmbi, përshkonte një lëvozhgë pishe dhe përsëri përplasej çurg mbi gurë duke shpërndarë cirka të argjenda. Marku priste të mbushej termusi i tij. Severina iu afrua lehtë-lehtë si një flutur, i mbështolli duart me pëllëmbë dhe përmes gurgullimës së ujit, i foli me zemër të dridhur:

- Të dua shumë Mark, të dashuroj pa fund…Dhe jo se më shpëtove jetën. Të doja edhe më parë, por nuk guxoja të ta thoshja. Unë nuk të braktis kurrë…

- Edhe unë Severina…, - i tha ai duke marrë frymë thellë. Një valë e nxehtë e turbulloi. Ishte i dehur prej fjalëve dhe premtimit të saj. E ndjeu veten të lumtur. Sytë iu njomën nga lotët, por u përmbajt dhe i fshiu me pëllëmbë të dorës.

Pastaj ata u kthyen brenda “Doxhit” ku zienin ligjëratat. Çfarë thanë tek çesma ishte sekreti i tyre intim, madje pak më shumë, një betim. Olgës nuk i shpëtuan shkrepëtimat e syve të tyre. Për pak sa nuk i plasi zemra nga inati. Iu drodhën buzët dhe papritur e pushtoi një trishtim i pakuptuar. Në shpirt ndjente një boshllëk të madh. Askush nuk e vuri re.

“Doxhi” rrëshqiti lehtë e ëmbël në tatëpjetën malore. Marku uli shpejtësinë dhe dëshironte që ajo rrugë të vazhdonte pambarim. Të njëjtën dëshirë kishte edhe Severina. Të dy lundronin në një planet tjetër, të ndezur nga një shkëlqim i papërmbajtur, por i përmendi zëri i mprehtë e melodioz i Marinës e cila donte të këmbehej tema e bisedës:

- Mark, kur dole nga liqeni me Severinën, të pamë një tatu në gjoks si “lule gojë-ujku” dhe brenda saj shkruar diçka. Nëse është një sekret, mos na e trego.

- Përkundrazi, është diçka shpirtërore, por jo një sekret. Aty shkruhet: “Zemra ime, Shqipëri”, në gjuhën shqip. Është vendi im i origjinës nga ku kam zgjedhur edhe vallen për konkurim.

Të gjitha u mahnitën, madje edhe për Severinën ishte surprizë. Si nuk e kishte marrë dot me mend që ai ishte shqiptar?!