Sport

Montreal: FORMULA 1 - Vettel triumfon

Sebastian Vettel ka triumfuar në Grand Prix du Canada duke parakaluar me 1 pikë rivalin e tij, Hamilton, në garën për pilotin më të mirë në Formula 1. Gjermani i Ferrarit dominoi tërësisht pistën nga fillimi i garës, ku u nis nga pole position, duke u ngjitur në podium para Bottas të Mercedes si dhe Verstappen të Red Bull. I katërti e ka mbyllur garën piloti tjetër i Red Bull, Riccardo, që ka lënë pas shpine Hamilton dhe pilotin tjetër të Ferrarit Raikkonen, të cilët e mbyllën garën respektivisht në vendin e 5-të e të 6-të.

Me 3 gara të fituara për vitin 2018, Vettel ka 121 pikë, duke lënë pas rivalin e tij Hamilton me vetëm 1 pikë larg, ndërsa janë edhe 14 gara për t’u zhvilluar. Ndërkohë që Mercedes vijon të kryesojë në renditjen për skuderi, duke pasur 206 pikë në total, 17 pikë më shumë se sa Ferrari. Për t’u theksuar gjatë garës është edhe ai aksident i frikshëm mes pilotit të Torro Roso, Hartley dhe Williams të Stroll, por fatmirësisht pa pasoja të rënda për ta.

Këtë vit u shënua 40-vjetori i Formula 1 në Montreal që është sinkron me festimet dhe fillimin e sezonit veror të qytetit. Pista në të cilën u drejtua gara motorike ndodhet në zonën Gilles-Villeneuve, e vendosur në Île Notre-Dame në Parkun Jean-Drapeau, në zemër të lumit madhështor Saint Lawrence.

Pilotët e Formula 1 duhet të mbulonin 4,361 metra të qarkut në më pak se një minutë dhe 15 sekonda, me shpejtësi që mund të arrijë më shumë se 300 kilometra në orë. Montreali shënoi ndalesën e shtatë në kalendarin e Formula 1, i cili këtë sezon përfshin 21 gara. Për shkak të 14 kthesave të forta që vënë në punë frenat e makinave, zona Gilles-Villeneuve është mjaft e njohur për të favorizuar shumë gabime lëvizëse dhe parakalime. Grand Prix du Canada provoi një garë emocionuese dhe spektakolare.

Burimi: Montreal Gazette

Përgatiti: Albanian Montreal Press