Sport

Zvicra me shqiptarët mund Serbinë në Rusi

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë ngritur peshë zemrat e tifozëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Zvicër e mbarë diasporën kur realizuan golat në fitoren 2-1 të ekipit të Zvicrës ndaj Serbisë në ndeshjen e dytë në Botëror.

Edhe pse Serbia shënoi që në minutën e 5, Zvicra gjeti forca dhe me dy lojtarët me origjinë shqiptare arriti të përmbysë gjithçka në këtë ndeshje.

Në 45 minutat e para vendosi një gol i shënuar nga Mitroviç në minutën e pestë të ndeshjes.

Zvicra reagoi pas golit të parë, duke krijuar disa raste të mira për shënim, ku mund të veçohet një devijim i topit nga Dzemaili, i cili po shkonte në rrjetë, por në fund u prit nga portieri serb. Ndërkohë, me anë të kundërsulmit edhe Serbia është shfaqur rrezikshëm në disa raste për të shënuar edhe golin e dytë në këtë ndeshje.

Por duhet të vinte minuta e 52-të që Granit Xhaka të barazonte shifrat në 1-1. Lojtari me origjinë shqiptare lëshoi një silurë të vërtetë në drejtim të portës së Serbisë, duke mos i lënë asnjë shans reagimi portierit.

Ndërkohë, në minutën e fundit të kohës së rregullt, ishte Xherdan Shaqiri, i cili arriti të shënojë edhe golin e dytë për Zvicrën.

Me këtë fitore, Zvicra shkon në kuotën e katër pikëve dhe tashmë i duhet vetëm një barazim për të kaluar në fazën tjetër të Botërorit.

Ndërkohë mediat serbe kanë reaguar menjëherë ndaj festimit me simbolin e shqiponjës nga dy lojtarët me origjinë shqiptare të Zvicrës, Xhaka e Shaqiri, duke e quajtur si provokim. Madje “Kurir” shkruan se FIFA duhet të reagojë menjëherë ndaj “provokimeve”, siç i quajnë ata. Telegraf.rs fitoren e cilëson si rezultat të shqiptarëve dhe të gjyqtarit të takimit. 

Më tej festa e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit dhe shokëve të tyre te Zvicra nuk u mbyll vetëm në fushën e lojës e në dhomat e zhveshjes në Rusi.

Granti Xhaka ka vazhduar në “Instagram”.

Lojtari, i cili realizoi një super gol, atë të barazimit ndaj Serbisë, ka shkruar në “Instagram”: “Moj Serbi rrjetën ta shpova, se mu m’thojnë Granit Kosova”.

Referenca: TCH