Sport

Ish-Kapiteni i Kombëtares Ansi Agolli: Mezi pres të debutoj në fushë me Cosmos-New York

Nga: Taulant Dedja

Para disa ditësh, Klubi i futbollit Cosmos i New York-ut në SHBA, i rithemeluar më 2010 dhe që operon në North American Soccer League, njoftoi blerjen më të fundit, mbrojtësin e majtë Ansi Agolli, futbollist dhe ish-Kapiten i Kombëtares së futbollit të Shqipërise. Ekipi me të njëjtin emër kujtojmë që është krijuar për herë të parë më 1975 dhe për shkaqe financiare, pas largimit të mbretit të futbollit Pele, e humbi shkëlqimin, duke vazhduar pas vitit 1985 vetëm si ekip futbolli në salla të mbyllura. Përveç Pele, në fund të karrierave të tyre aty patën luajtur edhe yje të tjerë të futbollit si Franz Bekenbauer dhe Carlos Alberto.

Ansi Agolli e pranoi me kënaqësi intervistimin me Flasshqip. Ai ka qënë prezent në Flasshqip edhe kur media jonë ishte gazetë e printuar para disa viteve. Në fakt Ansin e kam njohur më 2004 (e kam ndjekur dhe në shumë ndeshje sepse kjo përkoi me një periudhë studimesh disa mujore në Universitetin e Friburgut-Zvicër) kur ai sëbashku me një tjetër futbollist të shquar shqiptar, sulmuesin Daniel Xhafaj, luanin për klubin zviceran Neuchatel-Xamax. Ekipi asokohe drejtohej nga i madhi Miroslav (Ciro) Blazeviç, i cili kish qenë trajner i Kroacisë kur ekipi zuri vendin e tretë në Kampionatin Botëror 1998. Nga goja e Blazeviç mbaj mend vlerësimet më të larta për Ansin (sidomos për të majtën e tij magjike), karriera e të cilit vazhdoi ashtu siç e parashikoi trajneri i tij i atëhershëm. Ansi ishte pjesë e plejadës së lojtarëve që për herë të parë e dërguan Shqipërinë deri në fazën finale të Kampionatit Europian të futbollit, arritja më e madhe kjo për futbollin shqiptar.  

Ansi në sytë e mi është jo vetëm një lojtar plot talent, por edhe një njeri shumë modest, megjithë arritjet e padiskutueshme, një sportist me vullnet të hekurt e një shok e mik i mirë. Ruaj sot në shtëpi si kujtim e dhuratë të çmuar fanelën që ai mbante kur luante me Neuchatel Xamax. Rastësia e solli të shihja dhe ndeshjen ku ai shënoi gol për Shqipërinë në portën e Lichtenshtein-it, në Elbasan-Arena, në Shtator 2017. Më poshtë biseda e shkurtër me Ansin i cili ka zhvilluar gjithsej 73 takime me ekipin kombëtar shqiptar dhe tani pret me padurim debutimin e parë në fushën e blertë për llogari të ekipit Cosmos New York.

Flasshqip: Si u arrit kontrata me Cosmos dhe çdo të thotë kjo për karrierën e Ansi Agollit?

Ansi Agolli: Ishte diçka e rastësishme. Unë vazhdoja nën kontratë tek Qarabag (Azerbaxhan) dhe kontrata më mbaronte në Qershor të këtij viti. Më erdhi një telefonatë nga manaxheri, Luan Kadriu, i cili bëri edhe të mundur këtë lëvizje. Duke patur parasysh që familja ime ka disa kohë që jeton në New York, kjo ndikoi në marrjen e vendimit menjëherë, edhe pse nuk qe e lehtë të ndahesha nga klubi ku kam kaluar periudhën më të bukur të karrierës time. Ardhja këtu është vetëm vazhdimi i asaj që unë e kam pasionin e jetës, futbollin. Në të njëjtën kohë, do jem edhe pranë familjes dhe do shpenzoj më shumë kohë pranë saj.

Flasshqip: A di diçka mbi historikun e ketij klubi?

Ansi Agolli: Pa diskutim që po. Është një ndër klubet me histori më të pasur në historinë e futbollit Amerikano-Verior. Pavarësisht problemeve që ka patur vitet e fundit, historia mbetet histori.

Flasshqip: Nga karriera e meparshme cilin klub do te veçoje dhe pse?

Ansi Agolli: Janë dy klube që do të veçoja. Klubi i Futbollit Tirana, sepse aty mora bazat kryesore në futboll. Theksoj karakterin fitues që ky ekip ka historikisht. FC Qarabag, sepse me atë klub bëra hapat më të rëndësishme të karrierës sime. Klub që kur shkova ishte në ndërtim e sipër e tashmë që jam shkeëputur e lë me një status tjetër, klub kampion i 5 viteve të fundit dhe klub që merr pjesë rregullisht çdo vit në Europa League apo Champions League.

Flasshqip: Cili është lojtari i huaj apo modeli i lojtarit që je përpjekur të ndjekësh?

Ansi Agolli: Më ka pelqyer Andy Brehme. Mundohesha ta ndiqja sa herë luante ose të imitoja ndonjë nga levizjet e tij. Barezi po ashtu ishte një mbrojtes i madh, nga i cili çdo lojtar duke parë stilin e tij të lojës mëson shumë gjëra.

Flasshqip: Po nga lojtaret shqiptarë kë do të veçoje?

Ansi Agolli: Janë disa. Altin Lala për shembull, lojtar i shpirtit të sakrifices, apo Panajot Pano, apo Agustin Kola dhe Sulejman Mema. Agustini sipas meje ishte lojtar me karakter dhe jam munduar ti ngjaj në njëfare mënyre.

Flasshqip: Komenti yt për Kombëtaren aktuale, rezultatet e saj dhe debatet mbi trajnerin…

Ansi Agolli: Kombëtarja aktuale ëshë në një periudhë tranzicioni. Rezultati i fundit kundër Andorës na ngroh disi, por gjithsesi ajo që ka munguar ka qenë vazhdimësia e rezultateve. Ndoshta dhe eksperienca e pakët e trajnerit që sapo iku ka ndikimin e vet në mosmarrjen e ketyre rezultateve, por gjithsesi lojtarët Kombëtarja i ka. Ka një grup me lojtarë cilësorë e shumë prej tyre e dinë se si shkohet në Euro. Për të mos harruar edhe ndonjë element të ri cilësor që ka ardhur kohët e fundit dhe është ingranuar mirë me grupin.

Flasshqip: Pas Cosmos cilat janë planet e Ansi Agollit?

Ansi Agolli: Për momentin jam i përqëndruar dhe mezi po pres të filloj ndeshjet me skuadrën e Cosmos. Duke parë e duke bërë për më vonë, por sigurisht që lëvizja ime këtu është edhe një përgatitje për jetën tjetër pas futbollit, e që sigurisht në të ardhmen do të mbetet brenda futbollit…

©Flasshqip.ca