Opinione

Filozofi i paqëtimit

Nga: Dorian Koçi

Në historinë sociale e politike të kombit shqiptar janë shumë të rralla figurat dhe personalitetet që gëzojnë një reputacion dhe respekt të veçantë këndej e andej kufirit. Kjo dukuri ndodh, jo sepse kemi një zbrazëtirë me figura të tilla historike dhe sociale apo niveli i tyre kulturor e social nuk është në gjendje që t’i apelojë nevojave dhe dëshirave të kombit shqiptar sot, por sepse ndër shqiptarë është shumë vështirë të zërë rrënjë mendimi pozitiv kur vjen puna për hierarkitë letrare e shoqërore të figurave të veta. Raste tipike të një mendësie të tillë janë debatet mbi figurën e Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, debate të cilat përpara se të shtojnë ndonjë vlerë në panteonin e vlerave shqiptare më tepër tregojnë katandinë se në cilën gjendet mendimi kritik shqiptar.

Mirëpo, në gjithë këtë vorbull mendimi e përroi të fshehtë të ndërgjegjes që shpesh herë mundohet të marrë çka gjen përpara, gjendet një figurë që ka arritur të ndërpresë dhe përbashkojë në një pikë mendimin shqiptar. Kjo figurë është misionari i paqëtimit ndër shqiptarë, Prof. Anton Çetta, që brezit tim të porsa dalë nga rrëzimi i murit të Berlinit politik por dhe shpirtëror ndër shqiptarë si ishin vitet 90’, na apelonte për një filozofi paqëtimi dhe bashkimi, në një kohë kur lufta politike dhe pa princip i përcante më shumë se ç’duhej shqiptarët.

Profesor Anton Çetta përfaqëson, pa dyshim në kapërcyellin e viteve 90’ një apostull të paqes dhe shqiptarizmit dhe për këtë gjë, figura e tij është shumë e veçantë ndaj ndërmarrja e shkrimit të një libri të shpjegimit të filozofisë por dhe kontributit të tij në shoqërinë shqiptare është një sfidë e veçantë në radhë të parë kulturore dhe pastaj autoriale.

Filozofia e Prof Çettës është një kaleidoskop që zbulotet nuanca pas nuancash, jo si një dukuri lokale e Kosovës dhe e Shqipërisë, por si një mesazh universal, çka e kthen mendimin filozofik të Profesor Çettës në një rrafsh krahasimtar me figura të tjera të mendimit paqësor botëror. Analiza krahasuese e ndërtuar në një rrafsh të tillë i jep filozofisë së pajtimit të Profesor Çettës një dimension jo vetëm për shqiptarët, por në të njëjtën kohë është dhe një dritare e mirë për të huajt për të kuptuar më mirë shpirtin shqiptar me të gjitha mekanizmat e tij, si bujarinë, faljen, hakmarrjen apo dhe paqëtimin.

Shqiptarët nuk janë të parët që kanë mes tyre fenomenin e gjakmarrjes. Ky fenomen ka pasur një shpërndarje gjeografike të gjerë në Evropë duke filluar nga Skocia në Britaninë e Madhe, Korsika në Francë, Kreta e Mani në Greqi etj. Gjithsesi shqiptarët janë të vetmit që vazhdojnë ta praktikojnë dhe kjo mbetet “thembra e Akilit” në profilin psikologjik tonin. Nëse zhvillimet e ndryshme kulturo-politike kanë bërë të mundur që fenomeni në vendet e tjera të zhduket, në Shqipëri “kulshedra e gjakut ka mbijetuar”. Ndonëse për një kohë të gjatë ka mbizotëruar një ndërgjegjësim i mjaftueshëm i shprehur nëpërmjet medies dhe shoqërisë civile për ta frenuar këtë fenomen, gjithsesi ai s’është ndalur dhe ka marrë përmasa të frikshme.

Para tre vjetësh Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Mitropolia e Shkodrës dhe e Lezhës ndërmorën hapin e nxjerrjes së një dekreti që shkishëron çdo njëri që ushtron dhe vret për gjakmarrje. Kjo ndërthurje e mbështetjes së Kishës, shoqërisë civile dhe shtetit mund të rezultojë të jetë trinomi i artë për të filluar numërimi mbrapsht i fenomenit të gjakmarrjes. Jo shumë kohë më parë në vitin 1991 në Kosovë, një personalitet si Anton Çetta ia doli mbanë që nëpërmjet kuvendeve të pajtimit ta neutralizonte këtë plagë shekullore të shqiptarëve, ndaj perspektiva e efektit të këtij trinomi në shoqërinë shqiptare është pozitive.

Sigurisht që efektet e këtij bashkëpunimi trepalësh nuk mund të jenë të menjëhershme pasi nëse do të ishte kështu të gjithë do të ishim të lumtur, por që ky bashkëpunim mund të jetë shumë efektiv, besoj se është jashtë çdo diskutimi. Kisha Katolike me dekretin e saj shërben si katalizator për të lidhur sëbashku të gjitha fijet e shëndosha të reagimit qytetar, ndaj është një rast që duhet ndjekur dhe nga institucionet e larta të besimeve të tjera fetare në Shqipëri për të bërë të mundur që vakuumin që lë shteti me vështirësinë për zbatueshmërinë e ligjit, ta plotësojnë institucione të tjera dinjitoze siç janë institucionet e besimit fetar.

Në rrethana dhe momente të caktuara çdo komb nxjerr figura të tij historike dhe sociale që udhëheqin rrugëtimin e kombit të tyre drejt paqes sociale dhe përparimit. Në këtë rrugëtim është e rëndësishme që ata të kuptojnë psikologjinë dhe sociologjinë e kombit të vet, dhe Profesor Anton Çetta sipas biografit të tij, Gjon Kekës, “kishte zbuluar dy damarë të rëndësishëm të komunikimit me popullin shqiptar, atë të mendjes, arsyes, kulturës dhe traditës, si dhe atë të zemrës, ndjenjave, përjetimeve. Mu për këtë mendoj se ishte një ndër njohësit më të mirë të “gjakut tonë të shprishur”, si thonë Arbëreshët, të mendjes dhe zemrës arbërore. E tërë kjo punë, lëvizje, gjurmim ndër popull dhe me popull, si duket ishte parapërgatitja ose “uvertura” për kryeveprën e tij jetësore, pajtimin e gjaqeve gjatë vitit 1990, aq sa më të drejtë mund ta quajmë, ishte e mbetet “Babai i Pajtimit”. Prandaj, para çdo veprimi, pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual.”  

Filozofia e pajtimit të Profesor Çettës u krijua si një filozofi “sui generis” e mbështetur mbi tradita lokale të besës, ndaj Zotit, ndaj njëri-tjetrit dhe pastaj ndaj komunitetit duke e kthyer këtë traditë të vjetër të shqiptare në një instrument modern të filozofisë mbijetuese dhe vetvendosëse të shqiptarëve në Kosovë, që nëpërmjet filozofisë pajtuese të prof. Çettës bëhet më tepër e njohur dhe më e pranishme mes shqiptarëve.  

A e kemi kuptuar dhe përjetësuar mendimin filozofik të profesor Anton Çettës? Për ne, kjo është tashmë një doktrinë që na e shtjellon mjeshtërisht përmes frymës së saj shpirtin shqiptar e në të njëjtën kohë mund të themi se tashmë me këtë filozofi të pajtimit kemi fillin e Arianës prej nga mund të drejtohemi për të çarë përmes labirinthit të gjakmarrjes drejt paqëtimit social mes nesh.