Opinione

Ambasadori Delawie, mosmarrëveshjet tona dhe patriotizmi i qulltë

Nga: Ndue Ukaj

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, para një kohe, me një gjuhë të qartë politike, pa dyzime, pati thënë: "Siguria e Kosovës varet nga kualiteti i partneritetev të saj. Ne nuk duam ta shohim Kosovën të pakoordinuar me partnerët kyç të saj." 

Për mua, kjo deklaratë, duhet lexuar dhe kuptuar si çelës për t’i kuptuar dhe shpjeguar raportet politike të Kosovës me botën dhe me vetveten. 
Nëse shkojmë pak më tutje dhe i analizojmë pakëz zhvillimet tona të brendshme, kontekstin gjeopolitik dhe bëhemi të sinqertë me vetveten, ndonëse nuk na pëlqen, duhet të thuhet se, ekzistenca e shtetit të Kosovës varet kryekëput nga cilësia e partneritetit me perëndimin. 
Viteve të fundit, këto raporte, nuk kemi ditur t’i zhvillojmë si duhet. Madje, shpeshherë, i kemi vënë në sprovë serioze, duke i lënduar seriozisht, me injorancë dhe hipokrizi.

Kosova ka një mal mosmarrëveshjesh të brendshme përpara vetes. Dhe, një popull që ka kaq shumë mosmarrëveshje, arsyet, kurrsesi nuk duhet t’i kërkojë vetëm te politika, sepse, ato nuk mund të jenë vetëm politike, ashtu siç tentohet shpeshherë të shpjegohen problemet tona. Ato janë shumë më të thella dhe shumëfish më serioze. 
Për t’i kuptuar ato, mbase mund të na ndihmojë shkrimtari i madh, Ismail Kadare, i cili ka shkruar një libër monumental lidhur me fenomenin e mosmarrëveshjes, me titull: “Mosmarrëveshja - Shqipëria përballë vetes.” Në këtë libër, Kadare analizon raportet e shqiptarëve me vetveten, sidomos në planin politik, kulturor dhe historik, dhe, pikërisht aty e gjen shkakun e shumicës së mosmarrëveshjeve dhe paaftësisë për t’u bashkuar rreth interesave dhe të mirave të përbashkëta. 
Mosmarrëveshjet tona janë një kurth historik, të cilin ende nuk e kemi tejkaluar dhe ende nuk e kuptojmë. Ndryshe, nuk ka si të shpjegohet i gjithë ky mllef i madh që shqiptarët kanë kundër njëri-tjetrit, kundër të kaluarës së tyre, heronjve, ndërkohë që ata natë e ditë i “blatohen” idesë së shtetit dhe flasin me shumë zhurmë e patetizëm për të.

Duket sikur Kosova ende nuk e ka kaluar ABC-në politike dhe nuk ka sesi t’i kuptojë kurthet historike dhe politike. 
Atë ende vazhdojnë ta qeverisin njerëz që i besojnë autoritetit të ndëshkimit dhe jo të dijes e profesionalizmit. Ndërkaq, historia dëshmon se, punët e mëdha për të mirën e përbashkët, bëhen vetëm në saje të dijes dhe të dashurisë së madhe dhe asnjëherë në saje të forcës së ndëshkimit dhe urrejtës së madhe.

Prandaj, sa herë flasim për patriotizëm, ne sfidohemi seriozisht dhe zhytemi në një moçal të cektë. Sepse, pas periudhës së Gjergj Kastriotit dhe lëvizjes politike-ushtarake të Pjetër Bogdanit, nuk kemi rrëfime të mëdha me të cilat mund të krenohemi. 
Pavarësinë kombëtare, me 1912, e kemi fituar në sajë të ndihmës perëndimore dhe të shtytur nga Austro-Hungaria. Prandaj, ekzistenca e shtetit shqiptar, mund të thuhet është meritë e perëndimit dhe e pak idealistëve që nuk kursyen asgjë për ta bërë shtet.
Po ashtu, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e kemi fituar në sajë të ndihmës që na ka dhënë perëndimi, natyrisht, me meritë të Ibrahim Rugovës dhe të luftës së UÇK- së.
Tani, ne mund të kukurisim sa të duam dhe të krijojmë gjithfarë narracionesh patriotike, por na përgënjeshtron historia dhe politika. 
Ne, mund ta ngremë zërin deri në qiell dhe të predikojmë për vlera që s' i kemi, por, interesat tona kombëtare, fatkeqësisht, më shumë i ka mbrojtur perëndimi, sesa kemi ditur t’i mbrojmë vetë.
Ne, ende nuk e kemi kaluar fazën e foshnjërisë politike. 
Në krye të shtetit kemi liderë me dije të cunguar ose krejt të padijshëm në punët e shtetit, të historisë dhe të kulturës. 
Prandaj, mesazhet që vijnë nga perëndimi, shoqëria kosovare, elita e paktë e përfshirë në punët publike, duhet t’i lexojë mirë dhe asesi nuk duhet t’i shpërfillë. 
Për mua, ato janë këmbanë alarmi.