Opinione

NË BRUKSEL PO VËRTITET KONFERENCA E LONDRËS. PSE NUK NDIHET SHQIPËRIA?

Nga: Shaban Murati

Një anëtar i qeverisë së Kosovës më shkruante këto ditë lidhur me ecurinë e bisedimeve përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës se dikush në Bruksel i ka kërkuar Prishtinës të pranojë ndryshime të karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale dhe se Kosova nuk duhet të vendosë vija të kuqe në këto bisedime. Mesazhi diplomatik i dikujt në Bruksel është i qartë dhe kërkon që Kosova të cedojë në sovranitetin, në integritetin territorial dhe në pavarësinë e vet.

Ka një situate alarmante, ku përfaqësues të veçantë të diplomacisë europiane po kërkojnë të devijojnë objektivin kryesor të bisedimeve përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili është dhe duhet të jetë njohja reciproke e dy shteteve fqinj. Ky është çelsi i zgjidhjes dhe i normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinj. Çuditërisht, dikush në Bruksel e quan këtë kërkesë logjike “vijë e kuqe” dhe nuk e pëlqen si zgjidhje. Nuk e pëlqen, sepse dikush në Bruksel kërkon ta mbajë të pazgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi. Nuk është vetëm interesi i vjetër i një pjese të diplomacisë europiane për të shpërblyer Serbinë në ambiciet e saj hegjemoniste në kurriz të territoreve shqiptare. Është diçka më shumë dhe konturohet si një implikim i përbashkët i disa qarqeve filoserbe në BE sëbashku me Rusinë. Dikush në Moskë është bashkuar me dikë në Bruksel dhe kërkojnë të shpërthejnë Ballkanin.

E thënë shkurt, në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës e vitit 1913, për një ricoptim të ri të territoreve shqiptare dhe konkretisht të Kosovës.

Ku është Shqipëria dhe përse nuk ndihet zëri i saj në një situatë të tillë inkandeshente diplomatike? Si mund të rrijë indiferente Shqipëria ndaj asaj, që po i kërcënohet Kosovës, e cila është pjesë e trupit, e gjakut dhe e zemrës së kombit?

Në kohën e Konferencës së Londrës të vitit 1913 shqiptarët anembanë botës, nga Shqipëria në Amerikë, nga Anglia e Franca deri në Ballkan, u mobilizuan me protesta dhe peticione drejtuar Konferencës dhe fuqive të mëdha për të shprehur qendrimin e vendosur kundër coptimit të territoreve shqiptare. Si nuk flet sot Shqipëria, që është anëtare e NATO-s, dhe të shpallë vijën e kuqe të mbrojtjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, të cilën e ka sanksionuar ndërkombëtarisht dhe ligjërisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 korrik 2010 dhe e kanë njohur 116 shtete të botës? Si nuk ka protesta as zyrtare e as publike nga Shqipëria në Bruksel në mbrojtje të integritetit dhe pavarësisë së Kosovës? Si nuk ka protesta nga shqiptarët në Amerikë dhe në Europë për të dëshmuar mbrojtjen e Kosovës? A është ndërgjegja kombëtare tani më e ulët se në vitin 1913 apo opiumi i integrimit u ka hequr shqiptarëve të menduarit kombëtar dhe njerëzor?

Mallkuar qoftë ai integrim, që blihet me territore tokësore dhe detare shqiptare!