Opinione

Bretkosat duan mbret

Nga: Arben Kallamata

Sipas Ezopit, bretkosat jetonin të lumtura dhe të lira në pellgun e tyre, pa u sunduar nga askush. Por një ditë iu ra në kokë ideja se iu duhej një mbret, prandaj i bënë një kërkesë Zeusit. Zeusi iu hodhi një trung druri të prerë, i cili ra nga qielli dhe u përplas në pellg duke i trembur të gjithë. Pas disa kohësh, një prej bretkosave mori guximin dhe iu afrua trungut. Ky s’lëvizi. Atëherë bretkosa u bë edhe më e guximshme dhe i kërceu sipër. Trungu përsëri nuk lëvizi. Atëherë të gjitha bretkosat filluan të brohorasin dhe të kërcejnë mbi trung, mbi mbretin e tyre të palëvizshëm. Kur u mërzitën, bretkosat i dërguan përsëri kërkesë Zeusit: “Duam një mbret tjetër, se ky s’qënka për gjë.” Zeusi nuk e zgjati dhe iu dërgoi një lejlek, i cili nisi t’i hajë një nga një të gjitha.

Ne nuk vuajtëm nga Komunizmi. Ne vuajtëm nga diktatura – nga diktatura komuniste.

Gati 30 vjet pas fundit të periudhës më të errët në historinë e shqiptarëve, shumë prej nesh ende nuk e kanë të qartë nga erdhi e keqja dhe, rrjedhimisht, edhe nga mund të na vijë prapë. Ndërkohë që vazhdojnë të gëlojnë nostalgjikët e regjimit më të shëmtuar, diktaturës së Enver Hoxhës, të tjerët, shumë prej atyre të rreshtuar emocionalisht kundër gjithçkaje të lidhur me të ende nuk e kanë të qartë se i çfarë lloji ishte llahtari që na kapi dhe s’na lëshoi për gati gjysmë shekulli. Jo vetëm kaq, por pikërisht ata që janë më të shprehurit kundër asaj mënxyre, duken si më të prirurit për të rënë prè e një mënxyre tjetër, të një lloji tjetër, gjithsesi të ngjashme. E gjithë kjo sepse pakkush ndalet të mendojë dhe të gjykojë me mendje të ftohtë e të hapur ç’ishte ajo që na goditi aq fort dhe si mund të shmanget në të ardhmen.

Ne vuajtëm nga diktatura, sepse diktatura është regjim, mënyrë sundimi. Në kontrast me demokracinë dhe atë që quhet shtet ligjor. Ndërsa komunizmi është ideologji. Komunizmi është mënyrë mendimi, është filozofi, është fantazi, utopi ose, më saktë, distopi. Mund të jesh kundër komunizmit si ide, mund të provosh se është sistem i dështuar dhe pa të ardhme, mund të sjellësh fakte dhe të dhëna që të vërtetojnë se as si teori, dhe as si praktikë nuk ka asnje shans për të qënë i suksesshëm. Por nuk mund të thuash se komunizmi të burgosi, të vrau, të varfëroi, të shpërfytyroi. Jo. Të gjitha këto i bëri diktatura komuniste, regjimi diktatorial.

Në diktaturën komuniste (të Shqipërisë dhe të gjithë Lindjes) komunizmi ishte vetëm një vegël, ishte një mjet ideologjik për të justifikuar, lehtësuar dhe mundësuar dhunën. Nuk ishte qëllimi, nuk ishte mënyra se si funksiononte shoqëria. Në asnjë vend të bllokut komunist nuk pati pjesmarrje masive vullnetare për të realizuar idetë e komunizmit. Përkundrazi, të gjitha etapat, në të gjithë vendet, u realizuan përmes dhunës, përmes diktatit, përmes direktivave që zbatoheshin me hir apo me pahir, nën forcën e kërbaçit dhe frikën e burgut e të vdekjes. Ideja, ideologjia, masat për zhveshjen e njeriut nga prona private, nga individualizmi, nga të qënit njeri, nuk ishin qëllim në vetvete. Ishin të gjitha mjete për të mundësuar diktaturën dhe për t’i lehtësuar sundimin e regjimit diktatorial.

Historia e botës njeh lloje të ndryshme diktaturash. Njeh diktaturën komuniste që kemi provuar në kurriz ne dhe që ne mendojmë se është më e egra. Por njeh edhe diktaturat fashiste – Gjermaninë, Italinë, Spanjën, Kilin. Njeh edhe diktaturat fetare – Iranin, Arabinë Saudite, Afganistanin, mbretëritë e Europës që nga Shekulli IV e deri në Rilindje, Perandorinë Osmane.

Praktikisht, diktaturat e Mesjetës ose Erës së Errësirës, kanë qënë diktatura fetare të krishtera të shartuara me diktatura monarkike – monarki absolute. Ka edhe diktatura nacionaliste, si ajo e Koresë së Veriut, e bazuar krejtësisht në idenë e superioritetit racor. Në dallim nga diktaturat komuniste të BRSS, Kinës dhe bllokut të Lindjes (ku përfshihet edhe Shqipëria) dhe atyre të shekujve të shkuara, të tjerat janë diktatura kapitaliste. Shembujt e Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Spanjës, Kilit të Pinoçetit, Kinës së sotme, etj. tregojnë që diktaturat mund të funksionojnë edhe në kapitalizëm. Pra Kapitalizëm nuk do të thotë kurrsesi Demokraci. Kapitalizmi është sistem ekonomik që ekziston edhe në diktaturë edhe në demokraci.

Fjala diktaturë ka në bazë fjalën diktat, që do të thotë se një grup i vogël individësh, në raste ekstreme një njeri i vetëm, iu dikton gjithë anëtarëve të tjerë se çfarë të bëjnë dhe si t’i bëjnë gjërat, si të jetojnë dhe ku të jetojnë. Diktati realizohet me anë të forcës, ose të kombinimit të forcës me bindjen, me mashtrimin. Prandaj duhen ideologjitë. Diktatorët komunistë, që nga Lenini e deri te Hoxha përdorën ideologjinë komuniste që t’i ndihmonte në nënshtrimin e njerëzve, që ta kishin më të lehtë ushtrimin e forcës. Hitleri dhe Musolini, Pinoçeti dhe Franko perdorën ideologjinë fashiste. Ajatullahët e Iranit dhe Saudët e Arabisë përdorin fenë islame. Mbretërit absolutë të Europës dhe kudo përdornin krishtërimin dhe të drejtën hyjnore të gjakut mbretëror. Për diktatorët ideologjija ishte thjesht mjeti që përdornin për të gënjyer sa më shumë, në mënyrë që të kursenin forcat për të kontrolluar ata që nuk i gënjenin dot. 

Fjala demokraci ka në bazë fjalën demos, popull dhe ka kuptimin e një sistemi ku në qeverisja marrin pjesë sa më shumë njerëz. Demokraci absolute nuk ka dhe mendohet se është e pamundur të ketë. Por ka një shpërndarje gjithmonë e më të gjerë të përgjegjësisë në pushtet (përmes mekanizmit të zgjedhjeve), si edhe një mënyrë gjithmonë e më të efektshme të kontrollit dhe të ushtrimit të presionit mbi ata që janë në pushtet (përmes një sërë mekanizmash, ku përfshihen ligjet dhe zbatimi i tyre i barabartë për të gjithë, ndarja dhe pavarësia e pushteteve, komunikimi i hapur përmes medias, etj.)

 Demokracia është koncept i vjetër – që nga koha e grekëve dhe romakëve të lashtë, ndoshta edhe më herët. Në kohët moderne në Europë ajo filloi me Protektoratin anglez të Kromuellit (1653) që i hoqi pushtetin absolut monarkut dhe ia shpërndau atë parlamentit. Më pas, pushteti kaloi nga lordët te politikanët e zgjedhur nga populli.

Në këtë kuptim është e trishtueshme të shohësh sot shumë njerëz që, megjithëse janë me mish e me shpirt kundër diktaturës komuniste, tregojnë interes dhe simpati për forma të tjera diktature – që nga ato fashiste, e deri te ato fondamentalisto-fetare, monarkiste, apo nacionaliste. Duke marrë pozicionin e anti-komunistëve, ky grupim ka dalë me teorinë se komunizmi është e keqja më e madhe dhe çdo e kundërt e tij do të jetë vetvetiu e mira më e madhe. Me këtë mënyrë logjikimi ata dalin në përfundimin se e kundërta e komunizmit është fashizmi, ose feja, ose nacionalizmi, kur në fakt, të gjitha këto, duke përfshirë edhe komunizmin, nuk janë gjë tjetër veçse ideologji për të lehtësuar diktaturën, sundimin e njëshit, ose të një pakice mbi shumicën e popullsisë.

Sot sheh nëpër rrjetet sociale postime gjithë simpati për Hitlerin, Pinoçetin, Frankon, Sulltanin dhe Erdoganin, Putinin e lloj lloj diktatorësh e diktatorucësh të tjerë që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë me forcë pushtetin, që kanë bërë dhe e bëjnë vetë ligjin dhe që kanë diktuar dhe vazhdojnë të diktojnë atë që iu do qefi, pa marrë parasysh të drejtat dhe liritë e shtetasve të tyre. Janë të njëjtët këta që i shohin sistemet demokratike të Europës dhe botës Perëndimore si të dështuara, që mirëpresin ardhjen në pushtet në Shqipëri dhe kudo të një dore të fortë, që do t’iu tregojë vendin të majtëve të dobët dhe do të vendosë drejtësinë e përgjithshme. Njëlloj si në atë fabulën e famshme të Ezopit me bretkosat që kërkonin mbret.

Tagged under Arben Kallamata