Opinione

Kostandin Ristani: PS duhet të shkarkojë kryetarin e të formojë qeveri të re!

Nga: Kostandin Ristani

Në përgjigje të plot emisioneve, reportazheve, artikujve, komenteve mediatike, pasqyrimeve televizive, opinioneve, intervistave dhe postimeve, artikujve e monologjeve të larmishme në mediat sociale ky është përfundimi im për atë pjesë të bashkëkombasve të mi kudo që janë e që kanë verbërinë të mos dallojnë mosfunksionimon tërësor të shtetit shqiptar.

Jemi akoma primitivë, të pa qytetëruar, bizantinë dhe lindorë të pagdhendur e pa vetëdije në shtet-ndërtim, vetë-qeverisje dhe vetë-administrim mbarëshoqëror e kombëtar. Ndër sistemet më të përparuar e të harmonizuar - por jo të përsosur - qeverisës dhe shoqëror që ka arritur njerëzimi deri sot është ai anglo-sakson prej më se 1000 vjetësh që filloi kur lordëd e fisnikët e bënë tarbiet mbretin.

E kam fjalën për kryetarët e partive të të gjitha krahëve. Njeri e hedh vendin në luftë civile dhe partia e mbron dhe e mban kryetar dhe e zgjedh kryeministër pas dështimit më kriminal historik që ka pasur Shqipëria pas tiranit e diktatorit punist. Një tjetër organizon një grevë apo demonstrim çadror për muaj me rradhë dhe humbet rëndë zgjedhjet e qëndron akoma kryetar i dështuar e bufon partie. Tjetri përballet me një grevë studentore të pashembëllt në lëvizjen më të ndërgjegjshme paqësore në historinë e Shqipërisë, e vazhdon të qeverisë me një vetëbesim paranojak.

Sipas standartit anglo-sakson këta kryetarë partie humbasin besimin dhe mbështetjen e partisë, kur partia është e shëndoshë me individë të aftë ka kandidatë të gatshëm për të marrë drejtimin e partisë me konkurencë partiake. Por kjo s'ndodh në Shqipëri sepse partitë janë organizata turmash e hordhish. Partitë politike në Shqipëri janë vazhdim i strukturave, standardeve, statuteve dhe disiplinës së partisë mëmë të tyre puniste. Ato nuk mund të njohin e pranojnë se kryetari i tyre është i zëvendësueshëm në çdo dështim edhe kur humbet zgjedhjet po ashtu edhe kur fiton zgjedhjet por dështon në qeverisje. Pastaj më absurdja është kur bëjnë zgjedhje partiake me një kandidat. Pra partitë politike nuk përparojnë në Shqipëri: ato marrin shembull e trashëgimi nga struktura organizative e partisë puniste, bolshevike dhe naziste. Pa anglosaksonizim të partive politike në Shqipëri nuk mund të arrihet kurrë perëndimizim i vërtetë i shtetit, qeverisjes dhe i shoqërisë shqiptare. Më vjen jashtëzakonisht keq ta pohoj që shteti qeverisës shqiptar sipas standartit anglo-sakson është disa shekuj mbrapa.

Partia Socialiste ka shumicën në parlament (në kontekstin e shkrimit tim nuk ka rëndësi se si e ka fituar këtë shumicë) dhe nuk ka aspak pse të dorëhiqet e t'ja lëshojë rradhën çdo force tjetër në parlament që nuk ka shumicë. Nga ana tjetër kjo qeveri e humbi të drejtën dhe besimin për të qeverisur. Atëherë Partia Socialiste mblidhet urgjentisht për të shkarkuar e zëvendësuar kryetarin e dështuar dhe zgjedh një qeveri tjetër për të vazhduar qeverisja e administrimi i shtetit e shoqërisë pa dhimbje te shoqëria shqiptare.

Kjo procedurë është e njohur dhe e thjeshtë por as elita politike shqiptare dhe as diplomatët, këshilltarët evropiane e perëndimorë që i kanë rekrutuar të parët nuk duan që Shqipëria të bëhet shtet, por tallen me "detyra shtëpie" e "vetinge" për t'u pranuar në BE.

Jam i bindur se këta të huaj që përmenda më sipër nuk po bzëjnë për gjendjen sepse po gatuajnë prapaskena se kush i rekrutuari tjetër në rradhë - shqiptar - është më i përshtatshëm, për ta dhe jo për shqiptarët, për të marrë drejtimin partiak apo qeverisës në Shqipëri.

Dhjetor 2018

Tagged under Kostandin Ristani