Opinione

Ideja e gabuar e një konference ndërkombëtare për Kosovën

Nga: Shaban Murati

Në datën 28 janar 2019 kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, publikoi letrën që u ka dërguar pesë shteteve perëndimore, SHBA, Gjermani, Francë, Britania e Madhe dhe Itali, ku pika e parë është propozimi për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën.

Ja propozimi:“Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur”.

Dy ditë më përpara kryeministri kishte deklaruar : “Kosova është e gatshme me mbërri një marrëveshje me Serbinë, sikurse ta zëmë të na ftojnë në një konferencë sikurse Rambuje. Pra një konferencë me u marrë vesh për një marrëveshje”.

Në konfuzionin e përgjithshëm diplomatik e publik që po shoqëron çështjen e marrëveshjes përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, dalja me idenë e një konference ndërkombëtare nuk duket se sjell ndonjë kontribut qartësimi dhe as nuk jep ndonjë shteg për një rrugëdalje reale nga qorrsokaku diplomatik ku ka arritur Serbia ta fusë këtë çështje.

Nuk është e qartë përse Prishtina kërkon një konferencë ndërkombëtare dhe çfarë mendohet se do të zgjidhë ajo. Çështja e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka vetëm një kryefjalë dhe kryetemë: njohjen reciproke të të dy shteteve, pas të cilës të dy shtetet mund të diskutojnë në tavolinën e bisedimeve çdo lloj problemi dypalësh, të trashëguar apo të krijuar në historinë e marrëdhënieve midis tyre.

Nga pikëpamja profesionale pyetja e thjeshtë që mund të bëhet është nëse mund dhe nëse duhet të mbahet një konferencë ndërkombëtare për njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Njohja është çështje ekskluzivisht dypalëshe dhe nuk ka nevojë për konferenca ndërkombëtare. Ndaj nuk njeh historia e diplomacisë botërore që të jenë mbajtur konferenca ndërkombëtare posaçërisht për të bërë që dy shtete të njihen midis tyre.

Konferencat diplomatike ndërkombëtare mbahen për zgjidhjen e konflikteve të armatosura dhe të rrezikshme rajonale, të cilat kërkojnë ndërhyrjen dhe peshën e fuqive të mëdha dhe të organizatave ndërkombëtare si OKB, BE, NATO, OSBE, etj., për të ndaluar konfliktin dhe luftërat. Kështu u mbajt konferenca e Dejtonit për të mbyllur luftën e përgjakshme të Serbisë kundër Bosnjës, kështu u mbajt dhe konferenca e Rambujesë për të mbyllur konfliktin e përgjakshëm dhe gjenocidin që Serbia ndërmori kundër popullit shqiptar të Kosovës. Por të kërkosh organizimin e një konference të re ndërkombëtare për njohjen midis dy shteteve duket si një propozim, që nuk përputhet as me temën, as me kohën dhe as me Kosovën.

Propozimi u drejtohet pesë shteteve perëndimore, por edhe adresuesi, edhe të adresuarit, e kanë të qartë se nuk mund të organizohet asnjë konferencë ndërkombëtare, ku Serbia të pranojë të marrë pjesë pa qenë e pranishme Rusia. Beogradi e ka përsëritur dhjetëra herë se nëse Prishtina do të ftojë SHBA të marrë pjesë në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, aherë ai do të kërkojë pjesëmarrjen e Rusisë. Kushdo e kupton se një konferencë ndërkombëtare për Kosovën bëhet një çelje porte dhe rruge për pjesëmarrjen dhe veton e Rusisë në çdo diskutim apo vendim ndërkombëtar për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është përsa i përket formatit të një konference të re ndërkombëtare për Kosovën.

Por akoma më të papranueshëm e bën propozimin tema që do të jetësonte Serbia dhe Rusia me një konference të tillë, ku në rendin e ditës do të futej e ashtuquajtura “çështje e Kosovës”. Sepse për Serbinë dhe Rusinë nuk ekziston çështja e normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve Serbi dhe Kosovë, por ekziston e ashtuquajtura “çështje e përcaktimit të statusit të Kosovës”. Pikërisht këtë këmbëngul prej 20 vitesh Serbia, për të kthyer rrotën e historisë mbrapa dhe për të risjellë në forumet diplomatike ndërkombëtare të ashtuquajturën “çështje të statusit të Kosovës”, sepse ajo e quan të pazgjidhur dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe pretendon rikthimin në gjirin e saj, gjë të cilën e ka sanksionuar edhe në Kushtetutë.

Në këto kushte, një konferencë ndërkombëtare e pranuar nga Serbia dhe Rusia, do të përbënte një çnjohje de fakto të pavarësisë së Kosovës. Do të ishte një dorëheqje vullnetare e Kosovës nga shtetësia dhe nga pavarësia e saj, dhe një pranim i rihapjes së statusit të Kosovës. Nëse do të pranonte konferencën ndërkombëtare, Kosova nuk do të ishte në gjendje t’u impononte rendin e ditës fuqive të mëdha, ku bën pjesë Rusia, sepse ata kanë llogari të ndryshme gjeopolitike. Një konferencë e tillë do të zhvleftësonte si aktin legjitim historik të vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të lirë e të pavarur në 17 shkurt 2008, ashtu dhe vendimin historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisëtë vitit 2010 për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Në propozimin e paraqitur u vihen disa kushte SHBA dhe BE, të cilat kanë të bëjnë me vendimet, që duhet të marrë një konferencë e tillë, dhe afatet kur duhet të përfundojë. Është një elaborim pa efekt, sepse dihet që kushtet nuk i vendos shteti i vogël, që u propozon  konferencë ndërkombëtare shteteve të mëdha, por është e kundërta.

Propozimi për një konferencë ndërkombëtare duket jashtë kohe, sepse bie ndesh me një format ndërkombëtar bisedimesh, i cili ekziston prej tetë vitesh për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Është formati i bisedimeve në Bruksel, që zhvillohen me ndërmjetësimin dhe garancinë e BE, në bazë të një vendimi dhe rezolute të miratuar nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Brukseli përfaqëson 27 shtete dhe katër nga anëtarët e pesëshes, të cilëve u drejtohet letra e kryeministrit të Kosovës, janë anëtarë të BE, dhe Britania e Madhe akoma nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e shkëputjes nga BE. Dihet që SHBA janë në konsultim të vazhdueshëm dhe të ngushtë me Brukselin për bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Jashtë këtij formati është praktikisht vetëm Rusia. Nuk dihet pse doli tani dhe çfarë mendohet se do të arrihet me një format tjetër të bisedimeve të një konference ndërkombëtare, duke shtuar aktorë të tillë pro-serbë si Rusia apo Kina?

Ka dhe një të vërtetë të thjeshtë dhe të madhe. Sado rezerva që të ekzistojnë (unë jam një ndër ata që bashkohem), për rolin dhe metodikën e diplomacisë së BE, në drejtimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, fakti i ftohtë është se nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë vetëm BE ka një instrument efikas presioni ndaj Serbisë për të pranuar njohjen e Kosovës si shtet. Serbia është shtet kandidat i BE, që ka hapur bisedimet e pranimit me BE-në. BE i ka vënë që prej vitit  2013 kushtin që Serbia pa njohur Kosovën, nuk anëtarësohet në BE, dhe ky është praktikisht instrumenti i vetëm, që mund ta detyrojë Serbinë të pranojë njohjen e Kosovës. Serbia e ka jetike anëtarësimin në BE, sepse Serbia është shtet i varfër, ku një në katër banorë jetojnë në kushtet e varfërisë dhe mijëra të rij e braktisin çdo vit, duke ikur në Europë dhe jo në Rusi.

Nuk ka informacion se kush ia ka sugjeruar kryeministrit të Kosovës këtë propozim. Por ata, që ia kanë sugjeruar, i kanë fshehur atij të vërtetën e madhe se propozimi për një konferencë ndërkombëtare është propozim serb dhe rus. Diplomacia serbe dhe ruse kanë shumë kohë, që e kanë hedhur në qarkullim diplomatik në Ballkan dhe në Europë propozimin e mësipërm, sepse kërkojnë të ligjërojnë zhbërjen e statusit të shtetit të pavarur të Kosovës nëpërmjet konferencës ndërkombëtare, dhe penetrimin diplomatik dhe strategjik të Rusisë në Ballkan nëpërmjet derës së Kosovës.

Në datën 3 shtator 2018 zëvëndëskryeministri dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi zyrtarisht: “Qëllimi ynë është një konferencë ndërkombëtare, dhe përveç BE, për secilin që të jetë garatues i asaj që do të bihet dakord”. Përpara tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në 11 qershor 2018, u deklarua për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe tha se “nuk ka rëndësi se ku mund të mbahet një konferencë ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhje për Kosovën. Ata mund ta mbajnë një konferencë ku të duan, në Los Anxheles ose në Tokio”.

Serbia e ka të koordinuar me Rusinë. Këshilli rus për çështjet ndërkombëtare, një institucion i mendimit diplomatik, i themeluar nga MPJ e Rusisë, konkludonte në një analizë në 17 janar 2019: “Në përgjigje të përpjekjeve të SHBA për t’u angazhuar në procesin e bisedimeve të Kosovës, Moska mund të ofrojë shtrirjen e çështjes së Kosovës në një të ashtuquajtur paketë, format të modeluar të “Konferencës së Paqes”, me një numër lojtarësh të jashtëm, SHBA, Rusia, Kina, Turqia, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe”. Sipas këtij institucioni rus, ky format ka qenë diskutuar prej kohësh në qarqet diplomatike ne Ballkan, sepse lejon që përmes një numri shkëmbimesh territoriale, si dhe manovrimeve të ndryshme politike dhe diplomatike, të gjendet një zgjidhje e përbashkët për gjitha çështjet post-jugosllave.

Duke qenë se propozimi serbo-rus ishte në një qarkullim intensiv në  disa qarqe diplomatike verën e vitit të kaluar, kur doli teza absurde e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, kam analizuar propozimin dhe i kam apeluar direkt Prishtinës në 13 gusht 2018: “Ata, që bashkë me Serbinë kërkojnë Rambujera, synojnë të fusin Rusinë në tryezën e bisedimeve dhe në Ballkan. Ndaj është e papranueshme që t’i hapet rrugë në mjediset politike dhe mediatike të Kosovës një ideje kaq të mbrapshtë”.(Libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, Tiranë, 2018, fq. 306).

Kosovën po përpiqen ta ngatërrojnë Serbia, Rusia dhe ndonjë shtet europian në rezonancë historike me ta. Por nuk ka arsye që shqiptarët të ngatërrohen me këmbët e veta dhe të paguajnë për hesapet e të tjerëve. Dera e normalizimit real të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është njohja reciproke e dy shteteve. Çdo alternativë tjetër do të cënonte interesat e shtetit të pavarur të Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Burimi: Dita.al