Opinione

Lisen Bashkurti: Askush nuk mund t'i bëjë gjyq UÇK!

Në historinë moderne të popullit shqiptar, pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe. Në këtë arritje rolin themelor e luajti Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila është krenari kombëtare.

Gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Federatës Jugosllave u përplasën interesa politike, ndëretnike, ekonomike dhe gjeopolitike. Ndër beteja u ndeshën ushtria tradicionale Jugosllave, e cila ishte e dominuar dhe e kontrolluar nga Serbia dhe një sërë ushtrish të reja që u krijuan në luftë sipër.

Analiza e ushtrive të reja të krijuara gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë është një nga indikacionet kryesore për të kuptuar aktorët e luftrave, qëllimet e tyre, burimet e mbështetjes së brendshme dhe orientimet gjeopolitike ndërkombëtare të vendeve e popujve që u përfshinë në këtë konflikt.

Nga kjo analizë e ushtrive të luftës shpërbërëse të Jugosllavisë rezulton se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka tipare shumë të ndritura dhe të dallueshme, për të cilat shqiptarët do të jenë përherë krenarë. 

Së pari, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua tërësisht nga populli shqiptar i Kosovës. Asnjë mercenar nuk ka pasur në radhët e saj, as ushtarë të thjeshtë dhe as krerë drejtues politik dhe ushtarak të saj. Ndërkohë thuajse në të gjitha ushtritë e tjera si në ish Armatën Jugosllave, ashtu edhe ato të krijuara në Kroaci dhe Bosnie & Hercegovinë ka pasur mercenarë dhe të huaj në të gjitha nivelet. Si e tillë Ushtria Clirimtare e Kosovës nuk u ndikua nga faktorë gjeopolitik të huaj as gjatë luftës dhe as mbas saj.

Së dyti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në territorin e Kosovës dhe luftoi vetëm brenda tij. Duke qenë shumë e qartë në qëllimin e saj, kjo ushtri luftoi për mbrojtjen e popullsisë shqiptare nga shfarosja e dhunshme Serbe si dhe përclirimin e vendit njëherë e përgjithmone nga kolonializmi Serb. Shumica e ushtrive të tjera në Jugosllavi gjatë luftës shpërbërëse tejkaluan territoret e shteteve dhe kryen veprime ushtarake pushtuese dhe kriminale mbi popujt fqinjë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk bëri as krime lufte, as genocid dhe as pastrime etnike mbi pakicat e ndryshme që jetonin në Kosovë dhe nuk ndërmorri asnjë veprim ushtarak pushtues e kriminal jashtë territorit të Kosovës.

Së treti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës qysh në themelimin e saj u krijua mbi një strukturë politiko-ushtarake shumë moderne dhe profesionale. Ajo funksionoi me hierarki, me strategji, me rregullore rigoroze ushtarake, me uniforma dhe armatime ndërkombëtarisht të lejueshme për luftë. Ndërkohë, në disa ushtri të tjera u krijuan forca paramilitare ose paralele si dhe u përdorën armë kimike, mina kundër personit etj. Kjo do të thotë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndonëse më e reja në gjithë ish-Jugosllavinë respektoi plotësisht zakonet dhe ligjet e luftës.

Së katërti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u financua nga burimet vullnetare të popullit shqiptar në Atdhe dhe në diasporë. Fondi “Vendlindja thërret” si dhe mbështetje të tjera dytësore kanë qenë baza e blerjes së uniformave, armatimeve, municioneve, mjeteve logjistike dhe nevojave të tjera të luftes. Asnjë ndihmë nuk ka marrë kjo ushtri nga shtete, grupe apo individe të huaj me të kaluar trafikante, kriminale, pastrimi parash apo terroriste. Ushtritë e tjera patën edhe burime të errëta financuese nga shtete, grupe apo individë me të kaluar kriminale, ekstremiste dhe terroriste. Kjo do të thotë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua dhe mbeti e pastër në qëllimin, përbërjen dhe veprimtarinë e saj politiko-ushtarake.

Së pesti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk funksionoi si forcë rebele, guerile, revolucionare dhe e izoluar. Ajo u orientua menjëhërë gjeopolitikisht drejt Perëndimit dhe strategjikisht drejt NATO-s. Kjo ushtri e re u vetëorientua si pjesë e Aleancës Euro-Atlantike dhe e tillë mbeti deri në përmbushjen e misionit të saj.

Së gjashti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës luajti edhe misione shumë të rëndësishme politike dhe diplomatike gjatë dhe mbas luftës. Kjo ushtri u njoh ndërkombëtarisht si legjitime e popullit të Kosoves, hyri në kontakte dhe bisedime ndërkombëtare, mori pjesë në Konferencën e Rambujesë si dhe, kur mbaroi lufta, u shndërrua në mënyrë të vullnetshme në institucion politik qytetar, modern dhe demokratik që merr pjesë aktivisht në jetën pluraliste politike të Kosovës. Kjo do thotë që vlerat e medha atdhetare, politike dhe morale, kombëtare dhe ndërkombëtare Ushtria Çlirimtare e Kosovës i barti mbas luftës në proceset për pavarësi, shtetformim dhe demokraci në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.