Opinione

Shqipëria nuk ka burra shteti - Nga Ndue Dedaj

Mos prit të kesh shtetarë të lartë të sojit, aty ku Kryeministri kërkon të komandojë çdo qelizë të jetës së vendit, siç thuhej në zhargonin e djeshëm, duke e shndërruar kabinetin qeveritar në një forum anonimësh, që vetëm dëgjojnë dhe miratojnë fjalimet urdhërdhënëse të shefit – sa për ilustrim, si kur ishte fjala për nisjen me ngut të projektit të Unazës së Re nga ministri i Infrastrukturës, si për ta retushuar atë projekt ministrja që erdhi më pas në atë detyrë, me shkas nga protesta e banorëve. Mos prit të ketë shtetarë të lartë të racës, aty ku Presidenti i vendit sillet si kryetar i partisë nga ka dalë, duke i bërë “oponencë” Qeverisë thuajse për çdo ligj të ri të sajin të miratuar nga Kuvendi, kinse në emër të Kushtetutës dhe parimeve të larta të unitetit të popullit. Po kështu, që Legjislativi është kthyer në një zgjatim të Ekzekutivit, këtë nuk e themi vetëm ne, por dhe njëri nga funksionarët e lartë të Qeverisë deri para pak muajsh, që mandatin e shkuar kryesonte Komisionin e Ligjeve dhe Reformën në Drejtësi, i cili deklaron nga selia e Kuvendit se deputetët nuk kanë kurrfarë integriteti vetjak, por thjesht janë shndërruar në kartonë që ngrihen dhe ulen sipas vullnetit të njëshit. Kjo do të thotë se përfaqësuesit e popullit nuk janë realisht të tillë, por shërbëtorë të bindur të kryetarit që i ka emëruar e mund t’i ngrijë sapo t’i prishin qejfin, si, bie fjala, deputetin socialist të Kurbinit, thjesht se bëri një kritikë në adresë të Policisë. Lëre pastaj kur kreu i Qeverisë e ka i vetëm krejt pistën e notit dhe mund të notojë si të dojë, për më tepër duke ia bërë “xing” me shqiptarët ekran më ekran. Të gjitha këto i dinë të keqqeverisurit prej tij, por janë të pazotët për ta ndryshuar gjendjen.

Që Shqipëria nuk ka shtetarë sot e mot, e tregon dhe fakti se çdo “burrë shteti” që vjen në krye të vendit, pritet nga populli si shpëtimtar, me brohoritje e gjer të shtime armësh entuziaste, me shpresën se më në fund u gjet lideri i duhur, por pas disa vitesh populli është aq i zemëruar me të, sa mezi pret ta shporrë një orë e më parë, natyrisht përmes votës.

Se Shqipëria është e nëmur të mos ketë shtetarë të lartë të formatit europian, e tregon dhe fakti që në pikat kyçe të shtetit ky i bekuar nuk funksionon, duke pasur herë pas here krizë institucionale dhe vendimmarrëse. Ku tjetër mund të ndodhë që brenda një harku të shkurtër kohor, prej 4-5 vitesh, të bjerë e gjithë “ngrehina” e shtetit. Shkarkohet dhe procedohet penalisht Guvernatori i Bankës Kombëtare pas skandalit të humbjes marramendëse të 713 milionë lekëve të rinj, e barabartë kjo me 6.6 milionë dollarë. Është në hetim prej një viti e gjysmë ish-ministri i Brendshëm, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Ka një proces hetimor ndaj ishprokurorit të përgjithshëm për “pastrim parash”. Kontestohet nga organet e Vettingut kreu i Gjykatës Kushtetuese dhe thuajse gjithë trupa gjyqësore e kësaj gjykate supreme. Në të njëjtat ujëra noton dhe Gjykata e Lartë, me gjykatës ose të shkarkuar nga Vettingu si të padenjë për të qenë në funksionin e lartë, ose të ndjekur penalisht për korrupsion. Pa bërë pastaj fjalë për funksionarë të rangut të dytë të ministrive, të arrestuar për tenderë, si katër të tillë të Ministrisë së Drejtësisë ditët e fundit etj. Dhe të mendosh se janë këta që do të përçojnë frymën e ligjit, rregullit në organet shtetërore më të ulëta. Mbizotëron një psikologji korruptive gjithandej. “Ta kap një zyrë të lartë apo të mesme, të bëj dhe unë dy lekët e mia se kështu e ka kjo punë”. Si mund të shpjegohet ndryshe, që njerëz pa kurrfarë lidhjeje me pushtetin si shërbim ndaj njerëzve, politikën e idealeve, ligj-bërjen, u turren për t’u bërë deputetë me pahir, që u desh “dekriminalizimi” për t’i nxjerrë përjashta. E njëjta dhe për disa kryebashkiakë të ikur e të paikur, të përfolur për trafik votash etj. Cila është logjika, që një deputet duhet të lërë mandatin si i tillë dhe të kandidojë për kryetar bashkie? Mund t’ia kërkojë partia, mund ta dëshirojë ai vetë, po e ka moral që ta kërkosh votën e popullit një herë për “Ali” e herën tjetër për “Hoxhë”? (Ali Hoxha – Hoxhë Alia). Sa të tillë “akrobatë” politikë, që kanë kërcyer nga dega në degë e pushtetit, kemi aktualisht dhe sa të tjerë pritet të ketë në zgjedhjet e qershorit, duke mos iu hequr këtij populli nga zverku të njëjtët shtetarë një jetë të tërë? Mund të qëmtosh pa u lodhur profile shtetarësh të sferave të tjera, që nuk të thonë asgjë ty si qytetar, por që mjelin bordet e “krimbura” në para, që nuk po del një ligj që t’ua ndalojë, nga bordet e ujësjellësve që nuk sjellin ujë, tek ato bankare e universitare. Dy muaj studentët në protestë, më pas dhe pedagogët dhe rektori i Universitetit të Tiranës nuk dëgjohet të thotë një fjalë të vetme për shqiptarët, mirë apo keq, kështu apo ashtu. Edhe një sipërmarrës privat ka detyrimin ligjor që të përgjigjet publikisht, kur kjo gjë kërkohet apo pritet prej tij, si ka vepruar ai karshi njerëzve dhe ligjit në një rrethanë të caktuar etj.

Që Shqipëria nuk ka burra shteti, e tregon më mirë se gjithçka tjetër gjuha e tyre parlamentare, krejtësisht e shpëlarë e disa udhëheqësve. Në kohën kur në Parlamentin maqedonas, për herë të parë flitej edhe në gjuhën shqipe, në këtë të Shqipërisë kishte shpërthyer fjalori më rrugaçëror i mundshëm, mes Kryeministrit dhe ish-Kryeministrit, duke treguar publikisht të palarat njëri-tjetrit, a thua se këtë prisnin shqiptarët prej tyre, këtë dimër të ftohtë, të mërzitshëm, me shumë politikë të konsumuar si “hashash” dhe pak ngrohje në shkolla, spitale etj.

Është kjo situatë agresive e politikës, e krimit të pandalshëm në familje dhe atij të organizuar, e mos të përpjetës ekonomike, që shqiptarët, duke mos e lexuar shpresën as për nesër, ikin, ikin, ikin, në përmasa të frikshme të braktisjes së këtij vendi. Kreu i shtetit bën thirrje nga Amerika që të ndalet shpopullimi i Ballkanit Perëndimor, teksa roli i tij mund të ishte përbashkues për funksionimin e institucioneve kushtetuese në vendin e tij. Presidentët tanë bëjnë politikë partiake kur janë në detyrë, që të mund të jenë në politikë dhe kur ta lënë postin më të lartë shtetëror të Republikës. Nuk është e rastit që dy ish-presidentët e fundit, njëri krijoi parti të veten sapo u largua nga Presidenca dhe tjetri u përfshi së fundi në forumin më të lartë politik të partisë së tij. Më kot nuk ishte indipendent gjatë ushtrimit të funksionit të Presidentit vetëm “plaku” (Moisiu), porse ai i kishte mbyllur llogaritë me politikën. Atëherë mund të vijmë në përfundimin, Shqipëria e ka me shumicë specien e saj, burrat e politikës, por jo dhe burrat e shtetit. Ndërkohë, ti kujtohesh se ç’staturë presidenciale kanë dhe më pas ish-presidentët e Amerikës, Francës, Italisë, Anglisë, Greqisë etj.

Por a ka një zgjidhje dalja nga ky kolaps (pu)shtetarësh? Të huajt që na asistojnë e ndihmojnë, të paktën, të na hapin një shkollë për të përgatitur shtetarë shqiptarë. Dje kishim shkollën e partisë, që përgatiste kuadro ideologjikë për në drejtim, pasi i atillë ishte sistemi, kurse sot kemi një sistem politik joideologjik, që i duhen shtetarë që kanë ligjin “perëndi”. Normalisht, kjo gjë duhej të ishte fituar në këto 29 vite, ku përvojat e ndryshme me ndërkombëtarët, studimet e kryera jashtë nga shumë politikanë të rinj, trajnimet e shumta politike etj., duhej ta kishin dhënë një rezultat. E vërteta është që kanë hyrë dhe e kanë provuar politikën dhe disa politikanë me formim perëndimor, por pasi e kanë parë se ajo është një “kënetë”, kanë ikur prej saj pa u bërë pis. Ama, kanë qëndruar e me gjasë do të vazhdojnë të qëndrojnë “doktorët e shkencave” të plagjiaturave… perëndimore.

Burimi: Panorama

Tagged under Ndue Dedaj