Opinione

Kush u zhgënjye realisht nga Samiti II i diasporës - Vizioni i  një mësuesi nga Montreali

Nga: Rushan Xhaferi

Samiti i dytë i diasporës mbaroi. Sukses i madh për organizatorët. Dështim total për një pjesë të Diaspores. Injorim komplet nga shumica e imigrantëve.

Të them të drejtën nuk kisha dijeni që kishte pasur nje Samit të parë. Jo per gjë, por nuk më ftoi njeri ose ftesa do te ketë humbur rrugës, ngaqë ndoshta Majko nuk ma kishte adresen. As miqtë e mi rreth e rrotull ne Montreal nuk morën ftesë. Adresën e kujt kishte Majko? Nga Kanadaja, disa të ftuar refuzuan. E drejta e tyre. Bojkoti është shenjë e fortë proteste. Ky koordinim bojkotesh, nga një anë deputetët e opozitës në Shqipëri dhe nga ana tjetër imigrantët në Samit, tregon hapur përçarjen që po ndodh midis nesh.

Samiti i parë

Për herë të parë, në 2016, Samiti mblodhi rreth 1 mijë përfaqësues nga 40 shtete të botës, pa dallime politike, përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, por edhe personalitete të shquar, si dhe anëtarë modestë të Diasporës. Synimi ishte i thjeshtë; krijimi i një bashkëpunimi mes Diasporës dhe Atdheut. Kush vajti nga Diaspora? Kush i zgjodhi? Si u zgjodhën? A përfaqësonin ata vërtetë shqiptarët? Kushdo që të shkonte, gjithësesi do të përfaqësonte vetëm veten e tij.  

Në fund të Samitit, Qeveria shqiptare mori disa angazhime të qarta që mund të konsultohen me një kërkim ne Google: DEKLARATA E SAMITIT TË PARË TË DISPORËS SHQIPTARE, Tiranë, 20 Nëntor 2016. Si mësues që jam, nuk mund të mos përmend që mungon një A tek fjala DIASPORËS në dokumentin origjinal. Nuk besoj se ishte një shenjë që Samiti i dytë do të trazohej.😊

Çfarë më bën përshtypje janë angazhimet e Diasporës. Ato janë dy:

1.Diaspora angazhohet të bëjë çdo përpjekje për të hapur, atje ku ka nevojë dhe ku është e mundur, klasa ose/dhe shkolla në gjuhën shqipe, duke shfrytëzuar mjetet e ndihmën publike në vendet ku jetojnë, partneritetin publik e privat, mjetet dhe burimet e komunitetit.

2.Diaspora angazhohet të shfrytëzojë të gjitha mundësitë, burimet e mjetet, për të forcuar shpalosjen e vlerave tona kulturore, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshëm, periodikë dhe të bashkërenduar, në mënyrë të veçantë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike, për të mbështetur dhe plotësuar përpjekjet e Qeverisë, në të mirë të mbrojtjes dhe ruajtjes së kulturës e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Kur analizon këto lloj angazhimesh, i thua vetes përse u lodhën? Sepse në të vërtetë, të paktën në Montreal, Toronto, Hamilton, London, Halifax, Ottawa, Calgary, Vancouver, Regina ky është një realitet. Kemi klasa ku mësohet shqip dhe aktivitete periodike për disa qindra shqiptarë si festa, evenimente sportive por edhe përkujtimore të ndryshme. Për shembull, në Montreal, në lagjen Monk tek monumenti i Nënë Terezës, i vendosur nga diaspora shqiptare që jeton aty shumë kohë para Samitit I, ne mblidhemi rregullisht. Sidoqoftë, publiciteti për një pjesëmarrje më të madhe dhe më mire të organizuar duhet pranuar se mbetet akoma për tu përmirësuar.   

Angazhimi në Samitin e parë me kujton atë nxënësin i cili ka pasur nje vëlla në të njëjtën klasë një vit më parë dhe ky i ka lënë detyrat dhe ushtrimet e zgjidhura gati. Mori merita nga puna e vëllait. Dua te them që me kesisoj lëvizjesh, nuk avancohet me seriozitet për zhvillimin konkret të Diasporës shqiptare.   

...

Disa kohë përpara Samitit të dyte, shumë persona folën për skandalin më të madh që ishte mos realizimi nga ana e qeverisë i angazhimeve të dy viteve më parë. Sa mundësi ka pasur që 1000 veta të mbledhur bashke të jenë të 1000-të naivë? Të gjithë qenje të padjallezuara të ngarkuar me misionin per te mbajtur gjallë gjuhën shqipe dhe valvitur flamurin kuq e zi?   

Samiti i dytë

Aktin e dytë, situata degjeneroi. Normal, jemi shqiptarë apo çfarë jemi? Politika shqiptare futi mizat në të gjithë Diasporën. Tendencat politike ishin më të forta se largpamësia e nje projekti që mund te jete (akoma) baza e diçkaje me një shije të mirë për të ardhmen. Për këtë nismë, Diaspora nuk arriti të ishte asnjëanëse sepse urrejtja per qeverinë e tanishme pengoi ndofta shikimin drejt horizontesh të largëta, pertej ngjyrave partiake. Samiti i dytë u bë, por për fat të keq në momentin më të papërshtatshëm. Ndoshta e treta e vërteta?

...

Disa herë, fjalë edhe të merituara (që i bëjnë mirë trurit sepse nxjerr frustracionin në një situate pa zgjidhje të thjeshtë) të detyrojnë të vendosësh epitete te ndryshëm:  psikopat, diktaror, zuzar, zagar, etj. Edi Rama është produkt i atij vendi dhe i asaj opozite. Më kujtohet kur Rama u zgjodh kryetar i Partisë socialiste në 2005, një nga arsyet e anëtarëve kyç të PS ishte se piktori përmblidhte karakteristikat e personit të vetëm që do ti bënte ballë doktorit. Intelekti i Nanos nuk ishte mjaftueshëm për palën përballë (dhe nuk thashë pallën përballë). Shumë persona e kanë harruar Berishën e atyre viteve. Përballja e dy megalomanive, konfrontimet e çuditshme midis ketyre të dyve kane qënë, qesharake, humoristike por dhe të ashpra (në sipërfaqe). Mjafton të kujtohet 31 janari i këtij viti dhe përplasja e tyre në Parlament. Turp! Mirëpo këto skena nuk shokojnë më dhe duket sikur edhe vetë njerëzit i kërkojne si kuriozitete në YouTube.   

...

Pandeli Majko nuk është Edi Rama, por kur peshku qelbet nga koka pjesa tjetër e trupit është pa rëndësi. Vura re dëshirën e mirë të Kryeministrit te luftës që ka qënë gjithmonë për paqen dhe bashkimin kombëtar.  Ndoshta ai është e ardhmja më paqësore e PS. Në momente krize humbet largpamësia. “Ndonjëherë në politikë, humb duke fituar dhe fiton duke humbur”, deklaron Majko në emisionin Top Talk. Sinqeriteti, qetësia dhe një vetëkritikë e Majkos tregojnë një shenjë pozitive në gjithë këtë diskutim “kazanesh”, në “kazan” apo mbi “kazanin”. Lakimet vazhdojnë. 

...

Për t’u kthyer te realiteti prej imigranti, një pyetje e rëndësishme po sa dhe aq e thjeshtë na mbetet: Çfarë do të ndryshojë ky Samit i dytë (ndoshta i fundit) por dhe një i tretë për jetën e imigrantëve të Diasporës? Ndoshta shumë, pas shumë vitesh, ndoshta pak, fare pak. Kush e ka përgjigjen të guxojë ta thotë.   

Megjithatë, të zhgënjehesh nga Samiti do të thotë të kishe varur shpresa të jashtëzakonshme që ky takim do te ishte nje sukses i menjëhershëm në një kohë të shkurtër dhe duke mos bërë asnjë gjë domethënëse, duke nisur nga vetë Diaspora. Kush është aq naiv të besonte këtë farsë?

Ajo që më zhgënjen, personalisht, është mungesa e një vizioni për 20, 30 apo dhe 100 vitet e ardhshme të marrëdhënieve Diaspore-Atdhe. Ky Samit do mund të kish qenë një fillim…