Opinione

Kosova përballë një sfide të vështirë – Nga Agim Gjakova

Ka kohë që kazani politik ndërkombëtar po zien në përbërje të Kosovës e Serbisë, pa harruar edhe plagët e tjera të Ballkanit. Por kazani (për të mos e thënë përbuzëse xhezve e vogël) politik kosovar (edhe shqiptar në përgjithësi) as nuk po vlon që të derdhet, as nuk po lihet që të ftohet. Dhe zjarrit ku po zien kazani iu hodh benzina me tarifën 100 për qind. Dhe më vjen mirë që “pushteti” në Kosovë u tregua një herë pak më i duhur.

Në pamje të parë tarifa prej 100 përqind duket një anomali në rregullin e marrëdhënieve, por kjo u zgjodh nga qeveria jo fort pa mend siç mundohen ta paraqesin disa. Që me kohë është përfolur tregtia me Serbinë për shumë anë, por mbeti ashtu siç nuk duhej dhe nuk duhet të jetë, për fajet e të dy palëve, të Kosovës dhe Serbisë, por kryesisht të Kosovës, pasi Serbia vetëm ka përfituar në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe atë të shërbimit sekret informativ. Pra është pikë fort e ndjeshme për Serbinë. Ndoshta mund të kryhej kjo punë në mënyrë tjetër, duke u vënë taksë këtyre importuesve të Kosovës, që harruan lotin e nënave, baballarëve, motrave, vëllezërve e pinjollëve që derdhet edhe sot e kësaj dite, kur ndihmojnë Serbinë me qindra milionë euro në vit. Dhe për këtë ka arsyetim: se bëhet tregti e njëanshme, se mallrat serbe nuk janë të cilësisë që pretendohet e të tjera. Por kjo, ashtu siç qe përgjigje politike, prekte drejtpërdrejt politikën e atyre që kanë plane e llogari të tjera. Dhe kryesisht “planet europiane”. Po e theksoj se nga përfaqësuesit e organizmave evropiane deri më tash nuk kam dëgjuar ndonjë fjali qortuese për Serbinë, por është përdorur folja “duhet” që është mjaft hipotetike.

Për Europën dhe emisarët e saj që paguhen nga Serbia, që ia mbajnë krahun Rusisë, nuk kemi çka themi për këtë temë, pasi, si më parë edhe tashmë, dihet politika europiane ndaj shqiptarëve, me përjashtim të Gjermanisë e ndonjë subjekti tjetër.

Porse na shtyn të mendojmë se përse tarifat me Serbinë dëmtokan partneritetin me SHBA? Unë nuk e kuptoj se si është kjo prekje (nuk po bëhet e ditur as nga amerikanët dhe as nga shqiptarët), ku konsiston, çka e shqetëson Amerikën. Përse SHBA (që derdhen para dhe mund) që kanë njohur Kosovën nuk ndërhyjnë që Serbia të heqë nga politika e saj armiqësinë ndaj Kosovës, e si rrjedhim edhe trajtimin në kushtetutë të Kosovës si pjesë e Serbisë? Edhe njohja edhe kjo kushtetutë kanë një përplasje për mendjen e shëndoshë.

Dhe vërtetë se SHBA përzunë forcat kriminale serbe dhe i dhanë fund politikës supershoviniste gjenocide, por mos kjo duhet të shërbejë që Kosova të jetë pion i një veprimi taktik në kuadër të strategjisë amerikane në Ballkan?! Përse kërcënohet Kosova për masa që do të ndërmarrin SHBA ndaj Kosovës dhe cilat janë këto masa? Do t’i largojnë trupat dhe kjo do të thotë t’ia bësh me sy qenit Serbi skape! e të’ sulmojë Kosovën? Po nëse sulmohet e ripushtohet Kosova (megjithëqë nuk e di a ka forcë Serbia!), ç’vlerë ka kjo për SHBA, çfarë të mirash i sjell kjo politikës së SHBA? Po e them unë: RUSIA DEL NË MESDHE!

Meqë kjo taksë u bë gogol politik, jo vetëm që taksa nuk duhet të hiqet, por Serbisë i duhen vënë edhe kushte të tjera dhe t’i mëshohet me forcë opinionit ndërkombëtar se Kosova është në të drejtën e vet, se nuk është mall për treg, apo cohë stofi për t’u ndarë për pantallonat e Ballkanit.

Kompromiset janë të nevojshme kur s’ke fuqi, dhe mund të shkohet deri në masën kur nuk preket ashti, boshti. Në këtë pikë nuk ka më kompromis me asnjë fuqi në botë.

Të gjithë ata shqiptarë që përpiqen ndryshe, që edhe mund të arrijnë diçka në këtë plan, do ta kenë vendin në hullinë e tradhtarëve dhe emrin e ngjyer me pisllëk.

Tagged under Agim Gjakova