Opinione

Grua, ruaj veten!- Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Duke ecur, lehtësisht më kap syri një grua në prag të moshës së rritur të vonë, e cila përplasej me çdo kalimtar që shfaqej udhës së saj, pa u shqetësuar për ndonjë ndjesë a për respektim distance. Ishte veshur në mënyrë atipike për motin dhe moshën dhe për më tepër fustani tejet i shkurtër me barkun e zbuluar nuk përcillte elegancë. Ju do thoni që ndoshta ka qenë veshje për 8 marsin a për karnavale organizuar diku, por e dini çfarë mendova në atë moment, pavarësisht motivit të veshjes a sjelljes së gruas së ndeshur në rrugë? Për fushatat sensibilizuese të çështjeve të grave, kancerin e gjirit dhe menopauzën, sidomos për mungesën e fushatave për shëndetin mendor të grave në Shqipëri.

Sipas studimeve, ekziston një lidhje mes menopauzës/postmenopauzës dhe problemeve të shëndetit mendor. Shumë gra, të cilat o për shkak të padijes, o mungesës së informacionit ose pamundësisë nuk e trajtojnë si duhet ose e nënvlerësojnë fazën e postmenopauzës fillojnë të vuajnë nga probleme si depresioni, bipolariteti apo skizofrenia. Shumica e njerëzve që i rrethojnë nuk i kuptojnë simptomat që një grua shfaq ditë pas dite, por sipërfaqshëm i etiketojnë si gra të serta apo të lajthitura, duke iu referuar sjelljeve të tyre atipike.  

Rasti i gruas që përmenda më sipër nuk është përfaqësues i problemeve të shëndetit mendor, është krejt i rëndomtë. Por nëse ju i thërrisni kujtesës do të gjeni plot raste grash që keni njohur në jetë me sjellje që nuk u “shkonin për shtat” moshës dhe statusit të tyre social, të paktën ashtu siç jemi mësuar ta përkufizojmë përshtatshmërinë. Do të kujtoni gra me shpërthime nervash të papritura e pa shkak, agresive apo gra-gjyshe “histerike”.

Gra të njohura në publik si “goxha gra” serioze e intelektuale, por që pas menopauzës, anëtarësohen në maratonën e zënkave me këdo që i shkel zonën e sigurisë së supozuar. Si për shembull me shoqet, komshijet apo burrin.

Jam e bindur që mund të sillni ndër mend histori qesharake grash të kapura fort pas djemve të tyre, rivale patologjike me nuset, kunatat apo deri edhe me vajzat e veta. Do të kujtoni se keni ndeshur gjatë jetës tuaj gra të fiksuara me debatet “e lagu, s’e lagu” e të vështira për të gjetur karar me askënd, as me partnerin, as me një shoqe e as me një rrobë, as me një ushqim e as me një jastëk…

Gra me sjellje të tilla mund të gjenden në çdo kategori moshore, por në fillesat e moshës së rritur të vonë, “gërnjaret” hasen më shpesh. Sigurisht mos kujtoni që këto sjellje e modele janë tipike grash, burrat nuk përjashtohen, por ky shkrim nuk i ka sot në fokus.

Duke ditur që estrogeni luan një rol të rëndësishëm mbrojtës ndaj aktiviteteve neurologjike dhe psikologjike, reduktimi i tij sigurisht që sjell rëndimin e gjendjeve mendore dhe emocionale tek një grua. Prandaj dhe studiuesit bëjnë lidhje mes psikozave, neurozave dhe niveleve të estrogenit.

Por nuk është vetëm niveli i estrogenit, faktori që ndikon në shëndetin mendor të gruas. Janë edhe disa faktorë përgjatë jetës që mund të ndikojnë negativisht në fazën post menopauzës së gruas nëse ajo nuk “ruan veten” dhe njerëzit e jetës së saj nuk e ndihmojnë të përballojë sfidat që cikli i jetës i bën shëndetit mendor.

Në një moshë të caktuar, jeta e një gruaje shoqërohet dendur me stresorë emocionalë të tillë si: largimi i fëmijëve nga shtëpia, ose për studime ose prej martesës, vdekja e bashkëshortit, pensioni, bërja gjyshe, shqetësimet që lidhen me moshimin ose sëmundjet e prindërve, divorcet, etj. Gjithashtu në kohën kur vlerësohet haptazi rinia ndodh që një grua pas menopauzës të ndihet e pavlerësuar, e konkuruar, jashtë tregut, sidomos nëse ka qenë në periudha të ndryshme të jetës së saj në qendër të vëmendjes në aspektin e bukurisë fizike.

Prandaj, me kalimin e kohës disa gra, i shpallin luftë çmendurisht pa rregulla moshës, rrudhave, bukurisë, (kjo është pjesa e bukur e luftës) si dhe devijojnë padashje prej normave sociale, familjare, ciklit të jetës (kjo është pjesa që sjell dëmin më të madh në shëndetin mendor). Këto gra nuk janë të vetëdijshme dhe nuk e kuptojnë që shëndeti mendor u është në rrezik dhe si rrjedhojë nuk marrin trajtimin e duhur. Ato duken sikur kanë shkëputje nga realiteti e sikur jetojnë në një trup, i cili shpeshherë duket sikur nuk u përket, apo në një kohë që nuk e kanë jetuar, në një të ardhme që akoma nuk ka ardhur. Ato tëhuajësohen me njerëzit e shtëpisë, armiqësohen e zilepsen dhe krejt papritmas afrohen e sajohen me njohje rastësore për kompensim, të cilat duken me efekte pozitive në mirëqënien emocionale në fillim, por më pas u shkaktojnë plot vuajtje dhe shkatërrim të imazhit të vetes.

Ka të afërm që lodhen prej sjelljeve të tyre dhe i braktisin në këtë betejë. Ata ndoshta nuk dinë të merren me problemet e shëndetit mendor. Nga ana tjetër, shteti, media e shoqëria i kushtojnë më tepër vëmendje çështjeve të dukshme të shëndetit fizik.

Kështu që gruaja, për të cilën krijohen plot organizata, thuren mijëra poezi, u dedikohen mijëra urime për 8 marsin e përvitshëm, mbetet dikur e vetme bashkë me ndryshimet emocionale që ajo pëson ndër vite, duke luftuar me mullinjtë e erës harruar prej Don Kishotëve të tyre të fundit.

8 mars 2019

©FlasShqip