Opinione

QITAP AHENG–dy fjalë për një “Panair” të pretenduar Libri në Toronto

Nga: Artan Gjyzel Hasani

“Përshëndetje! Ju falenderoj për ftesën, por si autor unë pranoj ftesa vetëm për aktivitete mirëfilli letrare dhe jo për ahengje banquet hall-esh të cilat gjithsesi i frekuentoj pa asnjë problem në jetën time përtej shkrimtarit. Pa vënë në dyshim qëllimin tuaj të mirë për zhvillime eventesh të natyrës gjithëpërfshirëse, mendoj se prania ime dhe e librave të mi aty nuk do i vlente krijimtarisë sime letrare dhe as lexuesve të mi. Edhe një herë faleminderit dhe kalofshi një ditë të këndshme!”

Me këto fjalë refuzova ftesën për të marrë pjesë në një aktivitet për festat e 7-8 marsit të zhvilluar në një nga banquet hall-et e Vaughan nga RH Scholarship, në të cilin do u jepej mundësia edhe autorëve shqiptaro-kanadezë të reklamonin librat e tyre.
Nuk do të isha ulur të shkruaja këto shënime nëse nuk do të mësoja nga faqja ”Ministri i Shtetit për Diasporën” se qënka zhvilluar për herë të parë një Panair i Librit të shkrimtarëve shqiptaro-kanadezë dhe që qenka vizituar nga 500 lexues dhe dashamirës të librit!
Një spiral gënjeshtre që fillon me organizatorët e të ashtuquajturit panair libri e mbaron me Ministrin e buzëqeshur të Diasporës.
Një Panair Libri nënkupton shumë më tepër se një tavolinë mbushur me librat e autorëve të pranishëm në një aheng ku të ftuarit vinë për harbim vallesh, për të shqyer bërxollat e për të fshirë salcën nga mustaqet. Xhamadani vija vija, pogonishtja dhe kënga mitike e Baftjarit nuk kanë asnjë lidhje me artin letrar shqiptaro-kanadez. “Panairi i Librit” që zgjati dhjetë minuta dhe para të cilit “lexuesit” kalonin sa herë që shkonin në banjë për të kryer ritualet që të imponojnë kukureci dhe alkooli.

Nuk është e para herë që abuzohet me titujt bombastikë që u vihen ngjarjeve të ngjashme si “Takim ndërkombëtar i poezisë në Toronto” (në realitet një takim në një fast-food mes 3 autorësh shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe dhjetë të njohurve të tyre), “Takim me njerëz të Letrave Shqipe në Toronto ”(ku përveç 3 emrave të mirënjohur shqiptarë të ardhur nga SHBA dhe një poeteje të njohur shqiptaro-kanadeze që mungonte, komunitetin e gjerë letrar të Kanadasë, ku bëjnë pjesë autorë të njohur me korpus të certifikuar letrar ndër vite, e përfaqësonte një person me ”mbiemër të konsoliduar” që sapo kishte botuar vëllimin e parë të vjershave, “Letrat Shqipe” dmth!) dhe së fundmi, qershia mbi tortë, një “Panair i Librit” për mish zgare dhe orkestër në Toronto.
Tre aktivitete minore që nuk justifikojnë emërtesën e bujshme me të cilën i paraqiten publikut.
I shërbejnë marketingut dhe resumesë patriotike të organizatorëve, por jo letërsisë shqipe të diasporës. Kështu ndodh kur sponsoret i japin vetes edhe tagrin e njohësve të mirë të letërsisë dhe trendeve letrare shqipe në Diasporë. Paraja dhe ekspertiza letrare janë dy gjëra të ndryshme e shpesh edhe të kundërta, i dashur sponsor!

Në kontrast me Qitap Ahengun, vetëm pak muaj më parë 24 piktorë dhe dashamirës të artit realizuan një ekspozitë dinjitoze të veprave të piktorëve shqiptaro-kanadezë në një nga galeritë e artit të Torontos. Një aktivitet mirëfilli i lidhur me artin e penelit dhe ngjyrës që u frekuentua brenda një nate nga rreth 300 vizitorë, shqiptarë e të huaj, që ishin aty me cilësinë e artdashësit e jo të ahengxhiut.

Para se të keqpërdorin togfjalëshin “Panair Libri” organizatorët e Qitap Ahengut duhet të mësojnë çfarë quhet “Panair Libri”. Panair Libri quhet një ekspozim librash nga Botuesit ose agjencitë shpërndarëse të librit me qëllim promovimin, rritjen e shitjeve dhe nxitjen e interesit të lexuesit. Nuk ishte as një takim autor-lexues. Nuk ishte as një promovim letrar. Nuk ishte as një tryezë letrare mes autorësh e njerëzve të letrave.
Në këtë kontekst përdorimi i togfjalëshit “Panair Libri” nga organizatorët është shumë qesharak. Librat në banquet hall u sollën nga vetë autorët pjesëmarrës njësoj si librat e vjetër që ekspozohen rrugëve e qosheve të Shqipërisë dhe botës. I gënjyeri Zoti Majko nuk duhet të gënjejë publikisht kur thotë 500 vizitorë. Ata ishin 500 ahengxhinj tetëmarsi dhe jo vizitorë panairi. Kishin shkuar atje për aheng e jo për të lexuar, e aq më pak për t’u ndriçuar. Libri dhe autorët duhen trajtuar me dinjitet dhe jo si garniturë e pjatës së banquet hall-it.
Çudia bëhet edhe më e madhe kur mendon se Shqipëria ka një traditë të mirë për panaire ndërkombëtare të Librit, projekte dhe evente ku janë përfshirë edhe Ministria e Kulturës ose organizma të lidhura direkt me librin, botimin dhe letërsinë.

Në Toronto e gjetkë në Kanada ekziston një komunitet jo i vogël artistësh e shkrimtarësh, e këtu kam parasysh autorë që vërtet kanë sjellë e sjellin art dhe jo grafomanë të pasur në lekë e të varfër në art. Unë i mirëkuptoj disa shkrimtarë e poetë (që personalisht i vlerësoj vërtet) që ishin bërë pjesë e Qitap Ahengut. Më mirë një Qitap Aheng se sa një Hiç Qitap.
Nuk paragjykoj paranë apo dëshirën e organizatorëve dhe sponsorëve të aktiviteteve të tilla, por mënyrën, herë qokë e herë joprofesionale, të realizmit të projekteve të tilla.

Shkrimtarëve shqiptaro-kanadezë dhe trashëgimisë kulturore të Diasporës shqiptare në Kanada do t’iu vlente një Panair i Librit shqiptar në Kanada dhe jo një Qitap Aheng banquet hall-esh. Mbase do t’iu vlente një tryezë e gjerë ku të diskutoheshin problematikat e zhvillimit të gjuhës amtare dhe letërsisë shqipe në Diasporë, mbase një promovim i atyre pak autorëve shqiptarë që duke shkruar në anglisht kanë guxuar të hyjnë në tregun anglosakson të letërsisë, mbase një Shtëpi Botuese shqiptare në Kanada, mbase një periodik antologjik kushtuar krijuesve shqiptaro-kanadezë, mbase do t’iu vlente një bashkëbisedim me lexuesit e tyre.
Them “mbase”, sepse në epokën ku jetojmë libri dhe autori e gjejnë udhën për te lexuesi tepër lehtësisht edhe virtualisht pa u keqpërdorur për qëllime joletrare.

Sepse festa e ahengje për fat të mirë shqiptarët kanë më shumë se çdo vend tjetër i botës.
Dhe geni festiv nuk na ka munguar për të tilla hazdisje muzikoro-kulinarike që fillojnë në Llogara e mbarojnë në Paradise Banquet Hall të Vaughan.


Artan Gjyzel Hasani, Toronto 2019