Opinione

Arnimet parlamentare nuk e zvogëlojnë stuhinë - Nga Fatmir Terziu

Shqipëria është në një “stuhi”, e cila sado u anashkaluar nga “zyra” meteorologjike Qeveri, po detyrohet të bëjë atë që ka nisur. Shqipëria e deklaruar dhe e premtuar turistike mbetet në rrezik, edhe pse stuhia ende nuk ka marë nën kontroll të gjitha brigjet, ekziston një mjet shpëtimi. Ndërsa stuhia e Protestës së Opozitës së Bashkuar po jep efektet e saj, duke shkaktuar lëkundje në të gjithë procesin europian të shumëpritur shqiptar, është e vështirë të qëndrosh i qetë dhe të gjykosh një fakt të tillë me maturi. Por kjo është ajo që duhet të bëjë Parlamenti shqiptar (i cili pas largimit të Opozitës, mbetet sakat dhe i arnuar nga listat e dy partive PD dhe LSI) dhe vetë Qeveria e sotme e kryeministrit Rama, e cila nuk mendoj se është aq shumë e obliguar, madje as dhe ndonjë problem mund ta zgjidhë dhe ta bëjë Bashkimi Evropian, pasi deri tani BE zyrtar duket i njëanshëm. Gati-gati i dështuar dhe i pabindshëm për t’u pranuar nga ata që kanë dalë në rrugë, që e shohin rrugën si të vetmen mënyrë demokratike për të komunikuar. Por kjo dalje në rrugë, sipas opinionistëve, është e rrezikshme. Stuhia e ka për detyrë ta marë nën sqetullat e veta e ta shpjerë në ujëra të turbullta.

Rruga drejt ujrave më të qeta kërkon që z Rama dhe ata që ai i konsideron si “vendim-marrës” të ulen në bisedime me Opozitën, dhe jo thjesht të bisedojnë sa për të forcuar strukturën demokratike të procesit, por të tërhiqen dhe të mendojnë qartë pa zemërim, pa ego, apo edhe pa ndonjë ankth.

Evropianët tani janë të ndarë më dysh. Ata të zyrave kritikojnë vendimet e opozitës dhe ata të politikës, sigurisht të ndarë sipas kampeve herë mbështesin Opozitën dhe herë thumbojnë Qeverisjen. Ata këmbëngulin se çdo (in)situatë e bërë dhe madje dhe dalja nga Parlamenti është një fenomen i nxituar. Ndërsa nxitojnë, vizitojnë Tiranën zyrtare dhe japin deklarata, ngulin këmbë në të tyren, por aspak në zgjidhjen e krizës. Aspak në ndalimin e stuhisë. Frika është gjetkë: kjo skenë, mund të bëhet skenar dhe të realizohet me të gjithnjë një film i ngjashëm.

Nuk do të dukej i qëlluar për situatën, as shenjëzimi i Spiropalit: “Deputetët e opozitës po pendohen për mandatet, protestat po zvogëlohen”, as edhe deklarimi i Këlliçit: “Evropianët të habitur, por djegia e mandateve është hap ndërgjegjësues”. Brenda këtyre deklarimeve nuk shihen interesat e Shqipërisë, por interesat e momentit në favor të kahjeve politike. Interesat e Shqipërisë janë të njëjta. Populli shqiptar kërkon mbylljen e një loje të tillë politike dhe dhënien fund agonisë, prepotencës dhe mospërfilljes së votës së tij. Por ndërsa bëhet fjalë për votën e popullit, pyetjet dhe retorikat zgjerohen dhe të dyja palët, apo më qartë shumica e popullit mendon se vota e tij është manipuluar gjithnjë në këta vite të tranzicionit, madje edhe e vjedhur.

Rruga është prerë në mes. Opozita e ka bërë veprimin e saj. Dhe kjo duket thikë me dy presa. Fundja Opozita tashmë kaq ka. Ka rrugën, sheshin dhe protestën. Pra, ka anën e stuhisë së zemërimit popullor. Pozita ka pushtetin, ka Qeverinë, ka Parlamentin me aq sa mbetet të jetë dhe të quhet Parlament i ligjshëm. Ndaj Qeveria duhet të bëjë urgjentisht atë që deri tani Parlamenti nuk ka pasur mundësinë për të bërë: debatojë siç duhet opsionet e daljes nga kriza dhe të vendosë për një; ose të vendosë për një mirëkuptim nga të gjitha palët, për të vënë fjalën e fundit për Shqipërinë, fjalën e fundit për njerëzit. Tani duhet të lëvizet shpejt. Tani duhet treguar se koha është në favorin më të mirë të bindjes politike. Arnimet parlamentare nuk e zvogëlojnë stuhinë.  

Heshtja dhe shpërfillja, mosdëgjimi i Opozitës është ende gjëja më e keqe. Nën këtë heshtje, ajo që ka votuar Parlamenti Europian pro raportit të KE për integrimin e Shqipërisë në BE dhe çeljen e negociatave në qershor vihet në pikëpyetje, mbetet një dështim i radhës. Në këtë situatë është një rrëmujë dhe ecuria e ardhshme me BE për çeljen e negociatave në qershor është një mister. Kjo nuk është një bazë e mirë për të mbetur gozhda e Nastradinit për BE-në dhe është një shkelje e drejtpërdrejtë e premtimit të ardhur nga të dy krahët, shpesh herë i përsëritur, se do të punojmë që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së.

Fundja tashmë kemi një Parlament të arnuar. Arsyeja që Rama ka zgjedhur mosdëgjimin e Opozitës dhe ka rritur mjaft arrogancën e tij me këtë Parlament të arnuar, është se vetë europianët dhe zyrtarët e BE-së për këtë problem janë thellësisht të ndarë dhe e kanë lënë në pikëpyetje të madhe ecurinë integruese shqiptare në të ardhmen.

Kështu që kryeministri Rama ka frikë të shkojë në bisedimet me Opozitën dhe të dëgjojë opsionet e vërteta të saj, sepse do t’i ekspozonte ndarjet themelore në Partinë e tij, tashmë të njohur në publik si “Rilindje” brenda PS-së së mbetur thjesht si një emër. Rezultati ka qenë zmadhimi i këtyre divergjencave, madje dhe ndarja e mendimeve ndryshe, po aq dhe trazirat pasuese. Kjo strategji e kryeministrit mbetet e dështuar. Kryeministri dhe përkrahësit e tij politikë dhe qeveritarë nuk mund të luajnë rolin e fallxhorit, që protesta do të zbehet (se ajo dhe me dhjetë mijë vetë quhet protestë) as nuk mund të vendosë rezultatin, përkundrazi, ai duhet ta lehtësojë atë, që vjen jashtë dëshirave të njerëzve vetëm nga protestat e mëdha dhe të zemëruara.

Dueli Pozitë-Opozitë ka humbur fjalë për fjalë pothuajse tre vjet në një kërkim të kotë për një zgjidhje demokratike të problemeve shqetësuese, ndaj ka sjellë në plan të parë dhe kërkesat e Opozitës në protestë. Opozita e Bashkuar në Shqipëri proteston në Tiranë dhe madje ka paralajmëruar se do të protestojë në të gjithë Shqipërinë. Para disa ditësh ishte protesta e pestë në një muaj me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Mjaft faktorë të tjerë, probleme të dala nga kjo stuhi dhe nga mjaft arsye të tjera tregojnë se tashmë ne kemi humbur shansin historik, atë shans integrues në BE, atë që do të bashkojë kombin. Në se lëshohet nga dora edhe këtë herë, humbet rasti për ta bërë për vete, në të mirën tonë dhe ndoshta duhet të pritet gjatë e mjaft gjatë që të gjendet.

Që nga dalja e Opozitës së Bashkuar nga Parlamenti, marrëdhënia mes palëve ka qenë katastrofale. Nuk ka përmirësim. Tonet janë acaruar. Nuk dihet se kush do të vendosë zgjidhjen. Zgjidhja nuk pritet më as nga Presidenti, as nga Europianët, as nga ky sistem. Mjaft opinionistë dhe intelektualë kërkojnë daljen e menjëhershme nga ky sistem. Ndoshta vetëm nga zgjedhjet?! Sigurisht që çështja e zgjedhjeve është një sfidë. Por nëse jemi të detyruar të jemi pjesë e tyre, atëherë i kemi ato. Do të jetë një provë interesante e gjallë e opinionit publik, me siguri dhe një shestim i duhur i listave të forcave politike, i vetë mënyrës se si duhet të funksionojë politika. Ndoshta intelektualët e shkolluar e të mirëedukuar në Universitet Botërore do të kenë shansin historik të jenë aty ku duhet të ishin.

Rasti për një lëvizje të re dhe tejet të domosdoshme në tryezën Pozitë-Opozitë bëhet më i fortë gjatë ditës. Nuk është jodemokratike të thuhet se para se të marrim një vendim të kësaj madhësie, dhe pas gjithë kësaj rrëmuje, ne shqiptarët duhet të kemi të drejtë të mendojmë përsëri dhe ndoshta akoma më thellë. Vëmendja duhet të kthehet tek njerëzit. Votimi i tyre i drejtë, i llogaritur mirë, i pashitur, i painjoruar, është dhe mbetet një votim i një sistemi të ri, që ka të bëjë më pak me frikën se çfarë do të bëjë me demokracinë, sesa frika nga rezultati që demokracia mund të japë.

Tashmë pyetja e menjëhershme është se si të shpëtohet nga kaosi i sotëm, nga mos-ulja dhe mos-dakordimi, nga fryma e papërcaktimit të fateve për të nesërmen. Gjithkush, së pari që nga kryeministri e deri poshtë tek Spiropali, duhet të reflektojë mbi këtë gjatë kësaj fundjave, kur protesta tjetër pritet të jetë më e madhe, kur protestat të shtrihen e të pranverojnë në të gjithë Shqipërinë. Mund të jetë shansi i fundit për ta bërë këtë. Ky është një shans që u jep fatet në dorë të gjithëve, që e bën drejtësinë të veprojë në kohën e duhur, që shpëton të gjithë nga anarkia, kaosi.

Tagged under Fatmir Terziu