Opinione

Përse zhvillimi i shkrimit shqip nuk na solli zhvillimin ekonomik? - Nga Ardian Muhaj

Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes leximit dhe zhvillimit në të gjitha shfaqjet e tij, duke përfshirë edhe anën ekonomike. Një shoqëri që lexon nuk mund të jetë e varfër. Aty ku lexohet më shumë, aty jetohet më mirë, aty njeriu vetërealizohet më mirë, e përmbush misionin dhe funksionin e tij si qenie më mire dhe më plotësisht se sa tjetërkund.

Bota e zhvilluar, në të vërtetë dhe në thelb, është botë e lexuar. Vendet e botës që vuajnë nga problemet e zhvillimit të ulët ekonomik, nuk mund të kapin ritmin e zhvillimit pa masivizuar kulturën e leximit. Raporti midis varfërisë dhe leximit është një lidhje e zhdrejtë, e përhershme, e dëshmuar dhe e vërtetuar historikisht.

Leximi në vetvete ka pasur përherë e do të ketë përherë kundërshtarët dhe dyshimtarët e vet. Si çdo pasuri, si çdo vlerë, si çdo gjë e çmuar edhe leximi ka rënë pre e manipuluesve, falsifikatorëve dhe përçudnuesve.

Përballja mes dy blloqeve të mëdha gjeopolitike gjatë Luftës së Ftohtë ishte përballje mes dy mënyrave të leximit, më shumë se sa mes dy mënyrave të zhvillimit. Të dhënat e fundit mbi renditjen e universiteteve në botë e dëshmojnë qartë këtë situatë. Asnjë prej vendeve të ish-bllokut lindor në Evropë nuk ka ndonjë universitet brenda grupit të treqind universiteteve më të mira në botë, ndërkohë që në këtë listë përfshihen universitete nga vende si Brazili, Arabia Saudite, India, Zelanda e Re, Singapori, Afrika e Jugut, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani, Izraeli, Korea e Jugut, Kina, Malajzia, Uganda, Jordania, Pakistani, Katari, Tajvani. I pari universitet nga blloku i vendeve ish-komuniste të Europës, del Universiteti i Tartu (Estoni) vetëm në nivelin 301-350. Në këtë renditje universiteti i parë edhe nga blloku lindor jashtëeuropian, është ai Lomonosov i Moskës që del në vendin e 199. (https://www.timeshighereducation.com)

Në renditjen tjetër të QS World University Rankings nga vendet e ish-bllokut Lindor në Europë nuk ka asnjë brenda 300 universiteteve më të mira. I pari që del nga kjo listë është Universiteti i Pragës i renditur në vendin e 317. Ngjashëm edhe renditja e tretë për nga rëndësia e realizuar nga Universiteti i Shangait, i lë jashtë universitetet e ish-bllokut Lindor në Europë. Universiteti i Tartus në Estoni renditet edhe këtu në nivelin 301-400. Nga ana tjetër vetëm sipas kësaj renditjeje Universiteti i Pragës futet në nivelin 201-300. http://www.shanghairanking.com

Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e falsifikimit dhe e përçudnimit të leximit në këto vende. Është pasojë e keqpërdorimit të leximit për të ngritur e forcuar kulte dhe jo për të kërkuar dhe krijuar kulturë. Sa më shumë ideologjizohej leximi në bllokun lindor komunist aq më shumë varfërohej kultura, dhe aq më shumë ngecte zhvillimi shoqëror. Sa më të fuqishëm bëheshin kundërshtarët, dyshimtarët dhe falsifikatorët e leximit në gjysmëbotën komuniste, aq më e madhe bëhej prapambetja kulturore dhe vendmbetja ekonomike e shkërmoqja shoqërore. Varfëria dhe varfërimi, të cilat shqiptarët i përjetojnë tash dy shekuj dhe që u kurorëzuan me krizën e thellë ekonomike të viteve 1980-1990, por edhe me lëngimin e ekonomisë pas vitit 1990 e deri më sot, janë krizë e leximit. E gjitha kjo është pasojë e leximit të paktë, të mangët, të vëngërt dhe të verbër.

Në rastin shqiptar keqleximi i historisë ka krijuar idenë jo të saktë se shqiptarët nuk kanë pasur kulturë erudite deri në fillimet e përdorimit të shkrimit shqip. Mungesa e teksteve të shkruara në gjuhën shqipe deri në Kohën e Re, nuk nënkupton mungesën e kulturës erudite, dhe as mospërdorimin e gjuhës shqipe si mjet komunikimi dhe transmetimi të kultures dhe të qytetërimit.

Autorw shqiptarw kanw lwnw vepra me rwndwsi botërore të shkruara në gjuhë të ndryshme mesdhetare dhe evropiane. Në këtë kategori, kemi vepra gjeografike dhe hartografike të konsideruara si trashëgimi e kulturës botërore nga UNESCO, traktate filozofike të botuara dhe të përkthyera në gjuhë të ndryshme, vepra historiografike, projekte arkitekturore, të cilat mund të qëndrojnë përkrah dhe të pasurojnë qytetërimin që përcillet përmes veprave me karakter gjuhësor dhe letrar të shkruara në gjuhën shqipe, qoftë me alfabet latin, osman apo grek.

Kësisoj do të kuptonim edhe arsyet se përse zhvillimin e shkrimit në gjuhën shqipe nuk e kemi shfrytëzuar për t’u zhvilluar, por kemi mbetur prapa të tjerëve dhe përse leximin e kemi falsifikuar dhe përçudnuar, duke krijuar kulte e idhuj dhe jo duke lëvruar dijet e kulturën. Ky është hapi i parë dhe kryesor drejt zhvillimit. Është mënyra më e sigurt për të ecur krah të tjerëve dhe jo pas tyre.