Opinione

Përse nuk konsiderohet modeli jopartiak i zgjedhjeve vendore në Shqipëri?

Nga: Kostandin Ristani

Kam disa vjet që zgjedhjet vendore në Shqipëri me përfaqësim politik partiak i konsideroj si modelin më të papërshtatshëm, më absurd dhe më të panevojshëm për shtetin shqiptar e si rrjedhim edhe për banorët e njësive administrative vendore përkatëse. Këtë bindje të kristalizuar tashmë qartë, vendosa ta paraqes publikisht me një arsyetim mbështetës që po e shtjelloj më poshtë dhe që sigurisht sfidon të gjithë sistemin politik në Shqipëri si edhe ithtarët politikanë apo titullarë e studiues të shkencave politike, të përkushtuar e të vendosur për sistemin ekzistues zgjedhës e qeverisës vendorë.

Në fillim dëshiroj të sqaroj se këtë ide nuk e kam origjinale por të përvetësuar gjatë viteve të qendrimit tim në Kanada. Nuk jam i sigurtë, por kam përshtypjen që ndofta Kanadaja është vendi i vetëm nga vendet me demokraci të përparuar të modelit perëndimor që zgjedhjet vendore d.m.th. bashkiake, e si pasojë edhe qeverisjen e administratën vendore e ka të paangazhuar ndaj asnjë partie politike kombëtare apo provinciale.

Ka dy këndvështrime në mënyrën e parashtrimit të kësaj ideje qe paraqita më sipër:

1) Pse duhet angazhim dhe lidhje e vartësi partiake me zgjedhjet vendore?

2) Pse nuk duhet angazhim dhe lidhje e vartësi partiake me zgjedhjet vendore?

Unë zgjedh ta parashtroj idenë time nga këndvështrimi i parë. Në një shkrim timin të botuar më pare në Flasshqip me titull “Një analizë kohore për forcat politike vepruese në Shqipëri” unë prekja tërthorazi krijimin dhe mandatin kombëtar të partive politike në një shtet modern. Ndërsa në një traktat të shkruar e botuar me pjesë nga “Gazeta Shqiptare” të titulluar “Një analizë krahasuese e vlerësuese mbi disa nga funksionet e shtetit shqiptar në raport me ato të një shteti modern”. analizoja disa nga funksionet më thelbësore të një shteti modern. Duke ju referuar sëbashku këtyre shkrimeve duket qartë që politika qeverisëse dhe administruese e një shteti modern varet katërcipërisht nga fakti se cilat forca politike kanë pushtetin e vendit. Pushteti i zgjedhur dhe i përfaqësuar në institucionin ligjvenes të kombit, mbi bazën e votimeve konstitucionale harton, ndryshon, aprovon dhe delegon sipas rastit funksionet e shtetit tek qeveria dhe administrata shtetërore. Funksionet më të rëndësishme e thelbësore për shtetin janë funksioni ligjor, funksioni ekonomik, funksioni mbrojtës, funksioni politik, funksioni diplomatik, funksioni qeverisës e administrativ, funksioni publik, funksioni social e të tjera funksione të parëndësishme për objektin e idesë që po shtjelloj.

Këto funksione janë të varura nga programet madhore partiake të forcave politke që kanë konkuruar në zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare dhe pjesë e rrjedhim i drejtpërdrejtë i tyre. Atëhere logjikisht dhe në mënyrë shumë natyrale lind pyetja: Cilat nga këto funksione madhore te shtetit në nivel kombëtar ka të drejtë e me mandat kushtetues një bashki, një këshill bashkiak apo pushtet vendor të hartojë, të ndryshojë, të aprovojë dhe të delegojë si në hapësirën kombëtare po ashtu edhe në hapsirën vendore? Përgjigja është e thjeshtë: asnjë nga këto funksione.

Pushteti vendor harton vetëm akte nënligjore për teritorin nën administrim që janë detyrimisht rrjedhim dhe të sinkronizuara me aktet ligjore, juridiksione qeveritare e ministeriale dhe të organeve e institucioneve kombëtare të zbatimit e interpretimit të ligjit.

Pushteti vendor vetëm vjel taksa mbi pasuritë e patundëshme brenda kufirit të territorit që administron me ligj në masat dhe kategorizimet e përcaktuara nga pushteti qendror; pushteti vendor merr financim nga pushteti qendror; pushteti vendor vjel të ardhura nga tarifat e ndryshme që vendos për shërbimet administrative vendore kundrejt banorëve apo organizatave me ushtrim veprimtarie në territorin që ka nën administrim; pushteti vendor vjel të ardhura nga gjobat që administron në territorin që administron; pushteti vendor merr donacione nga individë apo organizma sipas kritereve ligjore të aprovuara apo deleguara nga pushteti qendror;

Pushteti vendor harton buxhetin me këto të ardhura dhe siguron shërbimet publike e furnizime territoriale për të cilat është i detyruar me ligj nga pushteti qendror apo i angazhuar gjatë procesit zgjedhor vendor për zgjerime apo përmirësimet vendore kolektive e komunitare.  

Atëhere lind pyetja: Ku qendron konkurenca politike e partiake në këto veprimtari vjelëse e shpenzuese?! Unë, në gjithë këtë veprimtari qeverisëse vendore nuk vërej në asnjë rast përplasje, konflikt e konkurim programesh, politikash partiake veç konkurimit ndërmjet banorëve votues dhe kandidatëve për këshilla e kryetarë vendorë, që ka të bëjë vetëm me shpenzimin e buxhetit vendor të grumbulluar nga burimet e mësipërme.

Në mënyrë shumë racionale dhe duke e njohur mjaft mirë psikologjinë mbizotëruese të pushtetarëve në pritje, më lejohet të hamendësoj që i gjithë ky politizim partiak i zgjedhjeve vendore për pushtet vendor bëhet artificialisht e me synim nga partitë politike për të futur në vorbullën korruptive pushtetin vendor në mënyrë që të sigurojnë më lehtë përfitime të paligjshme e të pajustifikuara në dobi të zgjedhjes, rizgjedhjes apo pasurimit të paligjshëm të ligjvenësve, ligjinterpretuesve, ligjzbatuesve, pushtetarëve e qeveritarëve qendrorë të ardhshëm apo në pritje.

Deklaratat publike të diplomatëve e këshilltarëve të huaj që ndjekin në detyrë dhe të angazhuar zhvillimet politike e qeverisëse në Shqipëri si edhe përgojimet popullore e mediatike mbi të kaluarën përfituese të paligjshme të atyre që janë tani aktualisht në rradhitjen e mësipërme dhe të pasfiduar në sallën e gjyqit nga asnjera palë, e mbështesin hamendësimin tim.

Atëhere në qoftë se duhet reformim dhe po bëhet shumë zhurmë e trysni për ndryshime zgjedhore qendrore e kushtetuese, pse të mos ndryshohet e reformohet gjithashtu edhe ligji i zgjedhjeve vendore?

Të flaken jashtë partitë politike nga pushteti vendor, kjo është thirrja ime!  

Pushteti vendor i politizuar në Shqipëri është prapavija e ushqimit të korrupsionit zgjedhor e qeverisës të pushtetit qendror. Kjo nuk i heq aspak lirinë apo të drejtën e preferencës politike kombëtare kandidatit për perfaqësim vendor, të çdo niveli qoftë, por si kandidat apo i zgjedhur kjo preferencë mbahet e padeklaruar publikisht e brenda vetes ashtu si edhe për çdo punonjës publik të administratës shtetërore qendrore, ligjzbatuesit, ligjinterpretuesit dhe antarëve të sistemit gjyqsor e kontrollues ose funksione të tjera të shpallura me ligje apo kushtetutë.

Kjo do të sigurojë vazdimësinë e qeverisjes vendore pa u mbajtur peng nga politika partiake qendrore dhe nga ngërçi politik që paralizon gjithë veprimtarinë administrative të pushtetit vendor për sa kohë e mjaft shpesh që interesat e ulta e korruptive partiake apo individuale të drejtuesve partiakë përplasen e artikulohen me demagogji e qëllimisht si politika parimore.