Opinione

Çështjet tona, si teatër… - Nga Vangjush Saro

Është e vështirë të përcjellësh në publik ndonjë propozim konkret lidhur me atë që po ndodh sërish me Teatrin Kombëtar, çështje që është vënë disa herë në fokusin e mediave dhe të opinionit publik në tërësi. Por është e pamundur të rrish indiferent, ndërkohë që një pjesë e mirë e komunitetit të artistëve dhe shkrimtarëve, midis të cilëve shumë miq e kolegë, janë tejet të shqetësuar, të irrituar, shkojnë deri atje sa e riemërojnë teatrin; ndërsa shteti e ka çemëruar atë më parë, natën…

Si e thashë këtë? Natën… Pas tre dekadash në një rend të ri, ndërsa vendi përjeton gjithnjë përplasje të rënda njerëzore, politike, ideologjike e teknike, nuk di çfarë të mendosh më për këto çështjet tona të pazgjidhura. Ato janë shndërruar edhe vetë në një lloj teatri. Por në këtë gjini të artit, njihen disa lloje: pjesa që shfaqet mund të jetë dramë, mund të jetë tragjedi, por mund të jetë edhe komedi; madje mund të vijë edhe në sojin mediokër, të lehtë e larg pretendimeve dhe vizionit artistik, që do të thotë… farsë.

Duke ndjekur çështjet tona si teatër, është e lehtë të thuash cilin lloj kemi përzgjedhur ne: është pikërisht farsa. E them këtë, pasi gjendemi herët në një kakofoni në lidhje me të shkuarën dhe trajtimin e saj, në të gjitha dimensionet; këtë kakofoni e kemi krijuar vetë, duke mos biseduar, por duke u sharë kohë e pa kohë, duke i shkulur njëri-tjetrit flokët e bindjet dhe duke u përpjekur (sekush më vete a në klane) të përfitojmë ç’të mundemi nga këto përleshje groteske.

Po përpiqem t’i afrohem edhe më së vërtetës, që është mjaft e brishtë. Kam dëgjuar dikur piktorin Maks Velo, për vuajtjet dhe artin e të cilit kam nderim, të shajë filmat e ish-Kinostudios “Shqipëria e re”; por ndërkohë, po ai, ka mbrojtur basorelievin te Muzeu Kombëtar dhe, po ashtu, krijimtarinë e I. Kadaresë. (Kujtoj që shumica e veprave të këtij autori - ndër më të njohurit e më të rëndësishmit në kohëra - gjithashtu janë ekranizuar dhe vënë në teatër: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i një kryeqyteti” (si film “Radiostacioni”) “Dimri i madh” (si film “Ballë për ballë”) “Emblema e dikurshme”, etj.) Siç shihet, ka një mospërputhje që në dukje, është e cekët, por sa vjen thellohet, për sa kohë nuk i drejtojmë dot siç duhet argumentet tona. Për më tepër, kjo mospërputhje është e shtrirë në shumë plane, në breza, mentalitete, politika, programe, dhe përbën thelbin e çështjeve tona pezull, për të cilat thamë se vijnë si teatër, por në llojin e farsës…

Kështu, mund të pyesim se ç’lidhje ka një traditë e caktuar në art, letërsi, teatër, film, etj., me ndërtesën ku është zhvilluar aktiviteti në fjalë. Po të marrësh artin e kohës tjetër si krijimtari në vetvete, çfarëdo qoftë, produkt i teatrit, estradës, kinostudios, etj., shumëkujt i ka pëlqyer dhe i pëlqen ta shkelë atë me këmbë, ta quajë ashtu dhe kështu, të përpiqet madje ta ndalojë, ta mbajë sa më larg njerëzve; edhe pse është vërtetuar që kjo bën efektin e kundërt.

Në teatër, krahas shumë pjesëve që i qëndruan kohës, madje edhe nga autorë të huaj, rëndom janë shfaqur drama “komuniste”, që nga “Familja e peshkatarit” te “Cuca e maleve”, etj. Bie fjala, te “Cuca e maleve” flitet për përplasjen mes rendit të ri dhe atyre që nuk e donin atë dhe që krijuan Komitetin e Maleve e sot janë dekoruar… Në atë shfaqje, prifti vjen i zi sterrë, kurse në ditët e sotme po trajtohet si i persektuar; edhe pse shumëkush thotë që një pjesë e këtyre fetarëve kanë qëndruar kundër partizanëve e kundër rendit të ri deri edhe me pushkë në dorë, çka nuk e lejonte besimi i tyre. Ndërkaq, lihet mënjanë fakti që edhe përfshirja e të rinjve, edhe e vajzave, në ato ndryshime që po ndodhnin e për të cilat disa edhe u flijuan, e gjithë kjo, pra, ishte pjesë e një përplasjeje të pashmangshme. (Palët e pafajshme ndër qytetarë në barrikada të ndryshme, ata që ëndërronin një jetë më të mirë dhe ata që kuptonin se do të kishte represion, nuk duhen ngatërruar me abuzimet e krerëve dhe ekstremizmin e shpirtvegjëlve të djeshëm e të sotëm.)

E njëjta gjë mund të thuhet për brendinë e shumicës së filmave të Kinostudios, për shumicën e letërsisë së botuar, për pjesët me humor pozitiv të Teatrit të Estradës, ku, bie fjala, përqeshen teprimet në dasma dhe, e shumta, stigmatizohej ndonjë përgjegjës “burokrat”, etj. Edhe pse pati krijimtari që foli disi dhe që koha nuk e zhbëu dot, mospërputhjet në koncept, në vetë jetën, janë reale, duhen administruar me tolerancë. Por nga njëra anë, bëjmë sikur nuk i “duam” ato çka trashëguam nga koha tjetër, madje shpesh nuk qasemi as për ndonjë dallim a përzgjedhje, kurse nga ana tjetër, i trajtojmë këto institucione, pse jo edhe produktet e tyre, si tabu, sidomos teatrin. Kur u mbyllën estradat, Lidhja e Shkrimtarëve dhe kur ish-Kinostudio u bë lesh arapi, nuk pati kaq zhurmë. Veças çështja e qytezës së parë (dhe të fundit) të filmit shqiptar, “nuk u luajt” në asnjëlloj zhanri… Madje tani vonë, dolën edhe mendje të çartura që donin të na imponoheshin për t’i ndaluar e zhdukur filmat. Edhe kur na e morën Lidhjen e Shkrimtarëve, prapë asnjë farsë nuk u luajt… Gjithaq, në këtë gjini, pati dhe ka ende zëra që të shurdhojnë se (të gjitha) librat e botuar në atë kohë, janë “komunistë”, duhen djegur… Dhe nuk doli askush të kërkonte mosprishjen e tabusë. (Madje as ata që sistemi i ka përkëdhelur tërë jetën: i dërgonte jashtë shtetit, i përkthente e botonte (falas) në gjuhë të huaja, iu jepte Çmimet e Republikës, iu siguronte strehimin më komod për kohën.)

Gjithsesi, këto institucione duheshin trajtuar njësoj, çka nuk do të thotë se ajo që nuk u bë për estradën, ish-Kinostudion dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, nuk duhet të bëhet as edhe për Teatrin Kombëtar. Jo! Ato ishin, janë (aq sa ka mbetur prej tyre) pjesë e një kulture dhe tradite që nuk mund të merret nëpër këmbë nga askush që ka vrere, por as në emër të “përparimit” e të “modernizmit”.

Kryeministri i sotëm, kur ishte Ministër i Kulturës dhe Kryetar i Bashkisë, fliste për “kthimin në identitet” të qendrës së Tiranës. E dimë se ç’iu bë dhe ç’po i bëhet kësaj qendre; dhe se mos vetëm asaj. Tani, këta që po mbahen pas termave “zhvillim” e “modernizim”, e hanë fjalën. Nuk e kanë për gjë të prishin kinematë, teatrot, kinostudion, etj., institucione dhe godina që mund të silleshin me sens në zhvillimet e sotme të një qyteti në rritje si Tirana. Këtyre s’iu bëhet vonë se iu fakton gafat dhe marrëzitë e teksteve (të miqve a puthadorëve të tyre) dhe iu kërkon të thirren ekspertët dhe shkrimtarët e të respektohet hierarkia e këtij komuniteti në krijimin e asaj që na e quajnë (shikoni ç’fjalë e frikshme) “kurrikula” dhe që më krijon imazhin e ndonjë shpendi grifshë e të shëmtuar…

Ani. Le të kthehemi te ato institucione që, siç thamë, janë pjesë e historisë, traditës; ato kanë shumë për të treguar: për jetën, vuajtjet, teprimet, censurat, përqafimet ideologjike; (sepse një shumicë e atyre veprave, siç shpjeguam më lart, kanë përqafuar ideologjinë dhe detyrimet e kohës). Pra, me ato ente nuk mund të sillemi pa përgjegjësi dhe ca më pak, mbi to nuk duhet të abuzojmë, siç është bërë së paku me ish-Kinostudion dhe po tentohet të bëhet me Teatrin Kombëtar. Shumëkatëshet e pasanikëve dhe të shtetarëve nuk mund të na hedhin hi syve e të na sillen si “zhvillim”. Por nga ana tjetër, pyetja që ngrihet është: Si mbrohen ato ente, në ç’masë, me ç’vendime dhe nga kush?…

Pikërisht kjo gjë, institucionaliteti, është termi a logjika që mungon në këtë histori, në të gjitha këto histori; me më shumë fjalë, për to dhe për shumë çështje të tjera pezull, duhet të dimë kujt i takon të vendosë. Nuk vihet në dyshim roli i artistëve, i qytetarëve, etj. Pyetja që përsëritet, është: Kujt i takon, me ligj, të marrë vendime për to? Kuvendit? Qeverisë qendrore? Asaj vendore? Presidencës? Akademive? Kujt i ka përkitur mbrojtja e Romës, Parisit, Amsterdamit? E kanë bërë këtë qeveritë qendrore, ato vendore, komuniteti i artistëve, qytetarët, akademitë e këtyre vendeve? Apo thjesht… kultura e institucionalitetit?

Këtë duhet të zgjidhim edhe ne; dhe këtu, kam ikur nga ironia e aludimet për llojet teatrale. Pyetjet nuk janë më teatër. Dhe ato s’mund të presin pa fund justifikimet e pushtetarëve, në këtë rast kreut të Qeverisë dhe atij të Bashkisë, jo pak të përgojuar në çështje përfitimesh dhe abuzimesh e bashkëpunimi me “të fortët” dhe pasanikët; që s’i tregojnë këmbët asnjëherë, por tregojnë ligje e vendime (si ai i Kuvendit për Teatrin) që gjithashtu, mund të jenë abuzivë e, me sa duket, kështu janë; prandaj edhe ndonjë punë bëhet natën, kurse llogaria e pastër kërkohet ditën…