Opinione

Vendi nuk ka probleme, por plagë - Nga Dom Gjergj Meta

Në vendin tonë më shumë se sa probleme ka plagë. Janë këto të fundit që shkaktojnë problemet. Dhe plagët janë të mëdha e të thella. Nuk janë thjesht epidermike, sikur të kesh gërvishtur një krah apo paksa gishtin, por janë sikur të jesh një trup i përshkuar nga thika apo i tejshpuar nga plumbat, ose i mbetur në një aksident gati i paralizuar.

Po, sepse historia vendit tonë ka patur shumë aksidente, ndoshta për faktin që ka qenë një udhëkryq qytetërimesh dhe kalimesh taborësh, në zemër të Ballkanit e të Mesdheut, i shkelur, i keqtrajtuar, nga brenda e nga jashtë. Duke qenë një udhëkryq, kemi mbetur në udhëkryq. Polisi shqiptar dhe banorët e tij janë thellësisht një shoqëri e gjakosur nga plagët.

Po, ne kemi plagë më shumë se sa probleme. E vazhdojmë të bëjmë gabime duke konsideruar më shumë efektet se sa shkaqet. Problemet dhe vështirësitë janë vetëm pjesa e dukshme e një realiteti traumatik që kemi pësuar e fatkeqësisht vazhdojmë të pësojmë. Dhe ndoshta ne i vetëkrijojmë traumat shoqërore dhe individuale, sepse jemi mësuar me to. Na janë bërë si një lloj droge e kemi krijuar vartësi. Ne jetojmë në një polis të traumatizuar e të vetëtraumatizuar.

Plagët e këtyre traumave janë shpesh të fshehura thellë e dalin sipas rastit kur ngacmohet diçka. Ngaqë ne kërkojmë gjithmonë zgjidhjen e problemeve, por jo shkaqet e tyre, atëherë kemi mbetur të ngërthyer në fajësimin e politikës dhe politikanëve. Por ata, edhe pse e meritojnë kritikën e fajësimin, janë prodhim i yni edhe pse nuk jemi të angazhuar drejtpërdrejt në politikë. Janë vëllezër, motra, kushërinj, shokë, çuna lagje apo katundi me të cilët jemi rritur, farefis, shokë shkolle apo pune, miq e dashamirë. Ata janë pjesë e jona, ne i kemi votuar e zgjedhur.

Të shohim kush është ai që voton më shumë se sa ja kush janë ata që votohen. Ja tipologjitë e votuesve: ai që parakalon me vija të pandërprera me shpejtësi skëterrë e makinë luksi, ai që ka zënë 5 vende për varre dhe ka vetëm një të moshuar në shtëpi, ai nëpunës që kur e ndalon polici në rrugë ose kërcënon atë ose merr në telefon çunin e hallës polic në Librazhd apo deputetin e zonës që e ka futur në punë. Votuesi është ai që kur shkon në spital publik ka me vete edhe lekët që mendon se duhet t’i japë mjekut edhe kur ai nuk ia kërkon. Janë ata që kur janë jashtë Shqipërisë respektojnë çdo rregull e integrohen menjëherë, por sapo kalojnë doganën në Shqipëri bëhen njerëzit më ligjthyes. Voton polici që fsheh faktet e një krimi në vendin e ngjarjes e po ashtu secili prej nesh që ka shtëpinë e bukur përbrenda, por nuk i intereson trotuari i përbashkët jashtë shtëpisë. Jemi ne votues që nuk dimë të rrimë bashkë dhe nuk dimë të merremi vesh për të krijuar një hapësirë të përbashkët jetese dhe komunikimi. Ende jemi ato që nuk lëshojmë nga toka jonë për një rrugë për të gjithë, përveçse kur na e merr shteti me zor. E si mund të presim që ata (politikanët) të lëshojnë pe kur janë thjesht njerëzit tanë, si ne?

E ka shumë gjëra të tjera që fshehin një njeri shqiptar të ndërtuar antropologjikisht mbrapsht ose keq, të plagosur në thellësi të tij nga historia e nga vetvetja.

Atëherë duhet shumë vaj ngushëllimi e shërimi. Vaji, ai lëng ullinjsh që përdorej në lashtësi për mjekimin e plagëve është thjesht një metaforë. Ai vaj ka të bëjë me dashamirësi e mirëkuptim ndaj një populli që ka vuajtur e vuan, më shumë prej vetes se sa prej të tjerëve. Ne shkaktojmë plagë, sepse jemi të plagosur, por ndoshta pikërisht për këtë arsye mund të jemi edhe shërues e mirëkuptues ndaj vetvetes e të tjerëve.

Zgjidhja, si shërim nga plagët e trauma, është afatgjatë. Nuk është vetëm çështje konjunkturash të momentit. Duhen krijuar hapësira formimi dhe duhet investuar mbi ato. Unë personalisht shoh tre hapësira të tilla për të cilat duhet një bashkërendim dhe investim nga ana e të gjithëve.

Familja është e para dhe hapësira më e natyrshme ku plagët mund të shërohen e mund të punohet me to, pasi aty dashuria ushtrohet natyrshëm e falas. Investimi mbi familjen dhe edukimi brenda saj ka nevojë për vetëdije dhe investim energjish e mjetesh nga të gjithë ne. Pa familjen çdo aleancë formuese apo edukuese është e mangët.

Shkolla mbetet bashkë me familjen instrumenti kryesor i rritjes. Por ajo duhet të jetë larg ideologjive. Një shkollë laike që do të thotë jashtë ndikimit politik, fetar, ideologjik, por që garanton në të njëjtën kohë formimin me të gjitha këto aspekte të jetës shoqërore.

Komunitetet fetare i shoh si një instrument shumë të rëndësishëm në specificitetin e realitetit shqiptar për vetë historinë tonë. Përveç kontributit specifik, me edukimin në religjionin përkatës, fetë në Shqipëri kanë për detyrë të edukojnë bashkëjetesën fetare.

Rolin e Kishës katolike e shoh të lidhur ngushtë me edukimin në motivimin dhe shtytjen shpirtërore për një angazhim social e politik të atyre që janë të krishterë katolikë, sipas një tradite të doktrinës sociale të zhvilluar brenda saj.

Lidhur me ketë janë të gjitha ata realitete shoqërore jofitimprurëse që kapin dhe zhvillojnë aspekte të veçanta të jetës shoqërore, të cilët duhet të hapen më shumë e të vihen në dispozicion të edukimit dhe formimit, sidomos të të rinjve, me parimet e demokracisë dhe të mirës së përbashkët.

Një sondazh i fundit rreth indiferencës së të rinjve ndaj votimeve dhe politikës është shqetësues për të gjithë. Mosbesimi i të rinjve dhe indiferenca e tyre ndaj politikës, dhe jo vetëm e të rinjve, ka arsyet e veta të themelta, duke parë korrupsionin, konfliktualitetin, arrogancën, gjuhën e dhunshme dhe mungesën e perspektivës. Por kjo duhet shëruar, sepse politika është ndër format më të larta të shprehjes së dashurisë për qytetin. Polis (qytet) dhe politikë kanë të njëjtën rrënjë, prandaj kush e do qytetin, d.m.th. hapësirën ku banon dhe njerëzit në të, duhet të kërkojë e të promovojë një politikë të shëndoshë.

Kjo është e pamundur pa një formim dhe pa hyrë thellë në shkaqet që kanë shkaktuar problemet dhe vështirësitë e jetës sonë shoqërore aktuale.

Burimi: MAPO