Akademia drejt ditëve të saj më të këqija-Nga Ardian Muhaj
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka njoftuar zyrtarisht se më 24 maj do të kryhen zgjedhjet për kryetarin dhe drejtuesit e tjerë të saj. Fakti që kandidatura e vetme për kryetar të Akademisë së Shkencave është ajo e Skënder Gjinushit, kryetar i Partisë Socialdemokrate, është mëse i mjaftueshëm për të kuptuar se këto zgjedhje pa alternativë, nuk synojnë nxjerrjen e Akademisë nga kriza, por çuarjen drejt ditëve të saj më të këqija.
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në krizën që ka kapluar me kohë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Përkundrazi. Do të ishte e jashtëzakonshme po të kishim një Akademi Shkencash në shkëlqim në mes të kësaj Shqipërie e shoqërie në tranzicion e rrënim. Gjendja e Akademisë është thjesht pasqyrë besnike e gjendjes së krizës që ka kapluar shoqërinë në tërësi. Protestat studentore e sollën më në fund në prekshmërinë e publikut të gjerë edhe krizën e universiteteve publike për të cilën qeverisja aktuale jo vetëm që ishte në dijeni, por edhe ishte faktori kryesor në krizëndërtimin e situatës.
Në krizë është edhe shëndetësia, edhe bujqësia dhe në përgjithësi të gjithë sektorët e ekonomisë, me përjashtim të industrisë, e cila tashmë nuk ekziston as si sektor ekonomik. Pra, në krizë është krejt shoqëria. Mjafton kjo, për të mos e degraduar diskutimin në përbuzje e përbaltje me bazë moshe, siç po dëgjojmë edhe nga deputetë që në fakt do të duhej të përbuzeshin edhe për këtë gjuhë diskriminuese, të mbingarkuar me “prostata” e “pleq”. Të kesh një problem shëndeti apo të jesh në një moshë të caktuar, qoftë të madhe, qoftë të vogël nuk mund të jetë shkak, as arsye për të qenë i përbuzur.
Fakti që kriza e Akademisë së Shkencave është pjesë e krizës tërësore të shoqërisë, përbën një arsye më shumë që shoqëria të jetë më e vëmendshme ndaj saj. Partitë politike, kryesisht të opozitës, që denoncojnë abuzimet e keqqeverisjes, që dalin kundër rrënimit ekonomik të vendit dhe kundërshtojnë me të drejtë kapjen e shtetit nga pushteti, është urgjente që të reagojnë në mënyrë të prerë edhe ndaj kësaj shkeljeje të qartë e të pamohueshme të lirisë akademike. Emërimi në krye të një institucioni publik të dijes, i një kryetari të një partie politike është në kundërshtim me praktikën europiane, përveçse me ligjet shqiptare.
Akademiku Artan Fuga ka denoncuar vazhdimisht dhe me kurajo ato që ai i konsideron si “farsë e farsës”, “puç institucional”, “dështim tërësor i reformimit të saj”, duke kërkuar “një reformë të vërtetë në një Akademi Shkencash të kalbur dhe me probleme shumë serioze jo vetëm me shkencën, por edhe me ligjin”. Po ashtu me kurajo intelektuale ka pohuar se nuk do të ndalet “derisa para opinionit publik të dali në dritë krejt farsa që luhet në atë Akademi Shkencash, e cila i takon kombit dhe jo një grupi individësh që e ka uzurpuar, i cili vepron me mbështetjen e një grupi deputetësh dhe duke përfituar nga çoroditja politike dhe administrative e ministrisë të arësimit dhe e kreut të saj.”
Situata që përshkruan akademik Fuga, ku për kryetar kandidon pa rivalë një kryetar partie, kur ligji e thekson që statusi i anëtarit të rregull dhe i çdo funksioni drejtues të lidhur me këto funksione përfundon kur anëtari, zgjidhet ose emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese, është tragji-komike. A mund të mohohet ajo që thotë akademik Fuga se politizimi i shkencës dhe i kërkimit shkencor është akt i fundit i këtij kobi kombëtar, që do të bëjë që mendja e shqiptarit të drejtohet zyrtarisht nga politika.
Edhe CV-ja e paraqitur nga vetë kandidati i vetëm për kryetar e cila mund të konsultohet në faqen zyrtare të Akademisë numëron vetëm postet politike që ka mbajtur pas vitit 1990, por asnjë botim shkencor me përjashtim të dy botimeve të para viteve 1990. Çfarë e shtyn një njeri që i ka thënë lamtumirë dekada më parë shkencës për t’u marrë me mini-politikë jo vetëm të kandidojë për kryetar të Akademisë së Shkencave, por edhe të lobojë, manipulojë e luftojë për t’u bërë kryetar i saj? Në se synimi nuk është shkatërrimi i këtij institucioni edhe kështu të degraduar, atëherë çfarë mund t’i ofrojë Akademisë një politikan i tillë.
Shkatërrimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është projekt antikombëtar, jo vetëm antishkencor. Është zbatim i projekteve të kahershme të Akademisë serbe për dirigjimin e drejtpërdrejtë të kulturës e dijes se shqiptarëve. Është përgatitje për rishitjen e detit dhe ricopëtimin e Kosovës. Zaptimi i Akademisë nga politika zyrtare është jo vetëm një hap drejt shkatërrimit të saj, por edhe një përçmim për vetë anëtarët fjalëpakë e punëshumë të saj.
Ardhja në krye të Akademisë e personit të caktuar nga qeveria për gjoja reformimin e saj, është një analogji e kobshme edhe për të ashtuquajturën reformë në drejtësi. Në se qeveria e përdor krizën e një institucioni jo për ta reformuar, por për ta zaptuar me pretekstin e reformimit, atëherë e njëjta qeveri nuk mund të na garantojë se nuk po e përdor edhe reformën në drejtësi për zaptimin e drejtësisë. Ky është një shembull i qartë edhe për studentët dhe pedagogët e universiteteve, të cilët mund të shohin tek zaptimi i Akademisë përmes karremit të reformës së saj, prirjen dhe përpjekjen për zaptimin e universitetit përmes pakteve e reformave të dështuara.
A do jenë akademikët aq artista në plot kuptimin e fjalës sa të mbrojnë Akademinë sikur po e mbrojnë artistët teatrin? A do jenë studentët aq të mençur sa të ndalojnë në protestën e tyre më 22 maj edhe tek godina e Akademisë? Dhe në fund, a do dalë opozita në një qëndrim të qartë kundër këtij shembulli të mbrapshtë të zaptimit të institucioneve nga politika, për ta shmangur të gjithë së bashku rrënimin e Akademisë që po shkon përditë e më shumë drejt ditëve të saj më të këqija?