Opinione

Një stërvitje e Kosovës dhe këshilltarët jugosllavë në Tiranë e Prishtinë

Nga: Shaban Murati

Herë pas here diplomacia e qetë perëndimore e ndjen nevojën të japë edhe sinjale ushtarake, sidomos në Ballkan, ku ka një shtet si Serbia, që jeton ende me megalomaninë e 20 viteve më parë. Ndaj paraqet interes kombëtar dhe rajonal fakti që një kontigjent i forcave të armatosura të Kosovës iu bashkangjit në datën 20 maj manovrave ushtarake të vendeve të NATO-s në Kroaci, të organizuara dhe të drejtuara nga komanda e ushtrisë amerikane në Europë, USEUCOM. Manovrat ushtarake të koduara “Immediate Response” zhvillohen në Kroaci, Slloveni dhe Hungari. Në datën 4 qershor deri 10 qershor do të zhvillohen manovrat e NATO-s të koduara “Astral Knight” në Kroaci, Slloveni dhe Itali. Në datën 26 maj deri në 28 qershor NATO do të zhvillojë manovra ushtarake në Bullgari dhe në Rumani.

Pjesëmarrja e forcave të armatosura të Kosovës në manovrat ushtarake të NATO-s në Kroaci e në Slloveni dhe ku marrin pjesë 10 shtete, duke përfshirë edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, fiton një theks dhe rëndësi të veçantë për situatën, ku po kalon Ballkani dhe sidomos për konfuzionin rreth çështjes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrja e Kosovës në manovrat ushtarake të NATO-s përbën një vlerësim dhe konsideratë të veçantë për shtetin e pavarur të Kosovës dhe për bashkëpunimin e tij të tanishëm dhe të ardhshëm atlantik.

Së pari, duhet theksuar se është hera e parë që forcat e armatosura të Kosovës marrin pjesë në një stërvitje shumëkombëshe të NATO-s pas vendimit të parlamentit të Kosovës dhjetorin e vitit të kaluar për transformimin e forcave të armatosura në ushtri dhe krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pjesëmarrja e tanishme në manovrat ushtarake atlantike lexohet qartazi si një miratim dhe mbështetje për të drejtën e shtetit të pavarur të Kosovës që të ketë ushtrinë e vet si çdo shtet tjetër i pavarur. Në këtë mënyrë NATO e konsideron Kosovën si shtet dhe ushtrinë e Kosovës si bashkëpunëtore të besuar të saj dhe e angazhon në manovra të rëndësishme ushtarake, që aleanca zhvillon në shtetet e Ballkanit. Kjo zhvleftëson zhurmat artificiale të Serbisë dhe të Rusisë kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës. Në këtë kuptim pjesëmarrja e Kosovës në manovrat ushtarake të NATO-s duhet parë si rikonfirmim nga NATO i sovranitetit dhe i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Pra NATO rikonfirmon njohjen dhe fton Kosovën si shtet në momentet, kur Serbia po rrit habitshëm intransigjencën për të mos e njohur Kosovën. Pavarësisht se katër shtete të NATO-s nuk e njohin Kosovën, fakti që forcat e armatosura të Kosovës ftohen të marrin pjesë në manovrat e përbashkëta me ushtritë e vendeve të NATO-s tregon një avancim të marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n.

Së dyti, manovrat e reja ushtarake të NATO-s në Kroaci, në Slloveni dhe në Hungari, në të cilat merr pjesë edhe Kosova, janë një mesazh i qartë drejtuar Serbisë dhe udhëheqjes së saj të çoroditur filoruse. Në klimën e tensionuar dhe konfuze, që po shoqëron prej një viti mjediset diplomatike të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve, presidenti i Serbisë dhe ministri i tij fashist i mbrojtjes kanë dalë disa herë me kartën e kërcënimit të përdorimit të forcës në raportet e tyre me Kosovën. Pavarësisht se ata bëjnë blofin dhe kërkojnë të fitojnë kuota elektorale në qarqet ultranacionaliste dhe fetare serbe, NATO vlerëson se është e nevojshme t’i dërgohet një mesazh paralajmërimi Serbisë, duke ftuar Kosovën në manovrat ushtarake atlantike. Mesazh, që do të thotë se Kosova është shtet i pavarur, i cili gëzon mbrojtjen e pathyeshme të NATO-s. Ose siç nënvizonte para pak ditësh ish-zëdhënësi i mirënjohur i NATO-s në kohën e inkursioneve ajrore atlantike në Serbi 20 vjet me parë, Jamie Shea, ”Kosova është një shtet i mbrojtur ndërkombëtarisht”.

Së treti, mesazhi i pjesëmarrjes së forcave të armatosura të Kosovës në manovrat atlantike në Kroaci dhe në Slloveni është një kundërpërgjigje dhe paralajmërim ndaj garës së çmendur të armatimeve, ku e ka futur veten Serbia me nxitjen dhe me paratë e Rusisë. Parada ushtarake me stil operete, që organizoi presidenti Vuçiç në 10 maj në Nish dhe ku ushtria serbe parakaloi me avionët ushtarakë rusë “MIG 29”, me helikopterët ushtarakë rusë “MI 35” dhe me tanket ruse “T 72”, dhe ku në paradë morën pjesë forcat ajrore të Rusisë, ishte një demonstrim i lidhjes së ngushtë ushtarake të Beogradit me Moskën. Kërcënimi i forcës, që presidenti serb mendoi se tundi në Nish, vetëm dëshmoi orientimin rus të udhëheqjes serbe dhe dobësinë e pozitave ballkanike të saj. Manovrat e tanishme ushtarake shumëkombëshe të NATO-s në Ballkan e sfumuan në çast mburravecërinë tipike rurale të presidentit serb. Lidhur me këtë ballafaqim ngjarjesh, ish-shefi i shërbimit të fshehtë ushtarak të Serbisë, gjenerali Momir Stojanoviç, deklaroi në 18 maj lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në manovrat atlantike në Kroaci: ”Unë mendoj që kjo është përgjigja e NATO-s, veçanërisht e SHBA, për paradën ushtarake të Nishit dhe për t’i treguar shqiptarëve të Kosovës se NATO është garante e sigurisë së tyre. Është demonstrim force ndaj Serbisë”.

Së katërti, organizimi i këtij seriali manovrash ushtarake nga NATO në Ballkan dhe rreth tij, nën drejtimin e komandës së ushtrisë amerikane në Europë, përbën një provë të qartë dhe të rëndësishme të vazhdimit të angazimit të SHBA në Ballkan. Serbia dhe Rusia janë përpjekur të krijojnë konfuzion në arenën ndërkombëtare se gjoja ka tërheqje të SHBA dhe të NATO-s nga Ballkani. Është ëndrra e Serbisë dhe e Rusisë për të patur në Ballkan një vakum ndikimi, që duhet ta mbushë Moska, dhe ku Serbia të jetë kamzhiku ushtarak rus mbi shtetet ballkanike. Por seriali prej gjashtë manovrash ushtarake, që komanda e forcave të armatosura amerikane në Europë do të organizojë në periudhën maj-shtator 2019 në Ballkan dhe në disa zona rreth tij, tregon se SHBA janë të angazhuar fort në rajon dhe i japin një paralajmërim të qartë Rusisë për çdo ambicie apo plan për ndikim në Ballkan. Gjenerali amerikan John Healey, komandant i departamentit të stërvitjeve në komandën e forcave amerikane në Europë, deklaroi se manovrat e tanishme të NATO-s “po zhvillohen për të siguruar interesat kombëtare amerikane, për të frenuar agresionin rus dhe për të mbështetur një Europë të sigurt dhe stabël”.

Në vizionin global të interesave amerikane Ballkani vazhdon të jetë në fokus. Që në vështrimin e parë bie në sy që qendra e këtyre manovrave ushtarake të vendeve të NATO-s, të drejtuara nga komanda amerikane në Europë, është Ballkani dhe zonat e detet rreth tij. Komandanti i ushtrisë amerikane në Europë, gjenerali Christopher Cavoli, duke folur për manovrat në Kroaci deklaroi: ”Manovrat ‘Immediate Response’ janë kritike për të forcuar aleancën dhe për të shtuar sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe Detit të Zi”. Në hartën e manovrave të tanishme lexohet lehtësisht se ato po zhvillohen në Kroaci, në Slloveni, në Bullgari, në Rumani, në Hungari. Pra janë që të gjitha shtete në kufi me Serbinë. Në manovrat ushtarake atlantike marrin pjesë forcat e armatosura të të gjitha shteteve, që kufizohen me Serbinë. Madje dhe Bosnjë-Hercegovina ishte ftuar, por për shkak të mosfunksionimit të presidencës trepalëshe dhe antiatlantizmit të njohur të të ashtuquajturës “Serpska Republika”, kjo nuk u realizua. Edhe pa qenë ushtarak e kupton se kjo hartë manovrash ushtarake është një sinjal i fortë diplomatiko-ushtarak për të ftohur kokat e nxehta në Beograd që të mos cënojnë procesin e pakthyeshëm të integrimit euroatlantik të të gjithë Ballkanit. Me Kosovën pjesëmarrëse në manovrat e tanishme i bëhet e ditur Serbisë që nuk duhet të pengojë as procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Domethënia ushtarako-diplomatike e mesazhit të manovrave të NATO-s në Ballkan dhe pjesëmarrjes së Kosovës në to, shkaktoi një alarm të paparë në Serbi dhe në Rusi. Një fushatë e egër mediatike shpërtheu në të dy shtetet e mësipërme kundër pjesëmarrjes së Kosovës në manovrat atlantike. Portali rus “fort-russ.com” shkruante në 18 maj se “pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjet e NATO-s është pjesë e politikës armiqësore kundër Serbisë”.

Strategjia e SHBA dhe e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkan është afatgjatë dhe largpamëse. Me të drejtë ajo e planifikon Kosovën herët a vonë si një shtet anëtar të NATO-s, si hallkë e fortë në zinxhirin e arkitekturës atlantike të sigurisë në Ballkan. Është kjo përmbajtje, që duhet ta bëjë Kosovën edhe më të fortë në raportet me Serbinë dhe në konfirmimin e shtetit të saj të pavarur, i cili po kontribuon bashkë me NATO-n në sigurinë dhe në stabilitetin e Ballkanit dhe të Europës.

Kështu duhet t’i lexojnë zhvillimet Prishtina dhe Tirana dhe të mos ngatërrojnë këmbët me tezat e errta diplomatike, që Serbia ua servir nëpërmjet këshilltarëve jugosllavë në të dy kryeqytetet shqiptare./dita.al