Opinione

Politika si më e madhja dashuri-Nga Gjergj Meta

Në vitin 1927 papa Piu XI, duke u folur studentëve katolikë, në një fjalim të tijin, shprehet në këtë mënyrë: Politika është rrafshi i ushtrimit të më të lartës dashuri. Ai lidh politikën me dashurinë, dhe këtë e bën duke rimarrë konceptin tomist të dilectatio socialis (dashuria shoqërore). Për një katolik në fakt politika nuk është vetëm pjesëmarrja në një parti politike, por mbi të gjitha ushtrimi i dashurisë për shoqërinë e lidhur ngushtë kjo me kërkimin e drejtësisë.

Pas Piu XI edhe Pali VI, Gjon pali II, Bendikti XVI dhe Papa Françesku e kanë rimarrë këtë koncept për t’ua adresuar herë pas here katolikëve, sipas kushteve konkrete në të cilat ata gjendeshin

Në një mbledhje të ipeshkvijve katolikë në vitin 1971 (Sinodi i Ipeshkvijve) thuhej: “Dashuria e krishterë ndaj të afërmit dhe drejtësia nuk mund të ndahen njëra prej tjetrës. Dashuria në fakt përfshin një nevojë absolute të drejtësisë, d.m.th. njohjen e dinjitetit dhe e të drejtave të të afërmit; vetë drejtësia mbërrin plotësinë e saj të brendshme vetëm brenda dashurisë. E meqë çdo njeri është në të vërtetë shëmbëllim i dukshëm i Hyjit të padukshëm dhe vëlla i Krishtit, pikërisht për këtë arsye i krishteri gjen në çdo njeri vetë Hyjin dhe atë nevojë absolute të drejtësisë dhe të dashurisë që është mirëfilli e Hyjit”.

Doktrina shoqërore e Kishës apo hierarkia e saj nuk merr përsipër të përcaktojë zgjedhjet dhe vullnetet politike të katolikëve, por të orientojë ndërgjegjet dhe zemrat e tyre drejt zgjedhjesh që garantojnë të mirën e përbashkët dhe të drejtën e lirisë së ushtrimit të besimit. Në meshën e hyrjes si Ipeshkëv i Tiranë-Durrësit, në dhjetor të vitit 2016, Imzot George Frendo O.P. e perifrazon këtë të vërtetë duke thënë se roli i fesë është të ndryshojë zemrat, ndërsa i politikës të ndryshojë strukturat.

Historia e pjesëmarrjes së katolikëve në politikë në Shqipëri është një argument ende për t’u trajtuar në mënyrë sistematike e kushedi ndonjë punim doktorature do të kishte sjellë rezultate interesante, por duhet thënë se, qysh në fillimet e demokracive perëndimore, Kisha katolike në Shqipëri është interesuar për vendin dhe pozicionin e katolikëve brenda kësaj demokracie si dhe për natyrën e pjesëmarrjes së tyre.

Në vitin 1922 në Shkodër bëhet një mbledhje e të gjithë meshtarëve të Shqipërisë dhe frati i ri shkodran, që më vonë do të bëhet Arqipeshkv i Durrësit, Vinçens Prennushi, mban një ligjëratë të vyer, e cila ia vlen të lexohet edhe sot, sigurisht duke e kontekstualizuar në kohën kur është mbajtur. Kjo ligjëratë quhet “Ndër lamije të demokracisë së vërtetë” e aty ligjëruesi i fton katolikët që të jenë pjesë aktive e ndryshimeve shoqërore dhe demokratike. Jemi vetëm dhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga një sistem që vetëm demokraci nuk kishte, ai perandorak. Udhëheqësia e Kishës katolike pyet veten rreth risive që kishin sjellë sistemet demokratike, në mënyrë të veçantë pas situatave jo fort e këndshme për Kishën Katolike që ishin verifikuar në Francën laike. Ia vlen për këtë edhe një shkrim-koment i Prof. Aurel Plasarit rreth kësaj ligërate.

Fra Vinçenc Prennushi në këtë ligjëratë bën thirrje në atë kohë që, instrumentat që na ofron demokracia të përdoren të gjitha për të nxjerrë në pah të drejtat dhe liritë, sidomos ato të besimit. Duke folur për organizmin e katolikëve në politikë ai thotë se “ky organizim nuk mundet me u krye veçse me nji veprim demokratik të shëndoshtë, i cilli ta bajë popullin të zo’n e gje(nd)jes, qi të mundet me vullnet të vetin me i trajtue organamentet e jetës publike e mos të rrijë si i vorfni që kërkon copën”. Popullit, katolikëve në këtë rast, të drejtat u takojnë e nuk janë fryt i mëshirës apo i tolerancës së pushtetarëve, nga thërrimet që bijnë prej tryezës së tyre.

Prennushi niset nga premisat e një organizmi të katolikëve, në mënyrë që ata të mbrojnë interesat e tyre dhe të besimit të tyre, sidomos kundër valës së shekullarizimit që kishte sjellë revolucioni francez në Europë. Çka është avangardë në fjalimin e Prennushit është fakti se ai i fton të krishterët katolikë dhe priftërinjtë që të hapen ndaj risive dhe jo të mbyllen në një lloj konservatorizmi të dëmshëm. Duke vënë në dukje popullaritetin e veprimit katolik në të gjithë Europën, Prennushi shprehet: “Kundra kti popullariteti të veprimit katolik, themelue mbi demokraci kostitucjonare moderne, për të cillën biseduem deri ktu, ka me kenë shum kush e ksi kundërshtarësh të ndershëm kemi me gjetë edhe nder meshtarë, kah nuk ju mushet kollaj mendja me dalë prej nji konservatorizmi i cilli pra asht përnjimend i damshëm, sado qi mprojtsat e ti munden me na paraqitë argumenta…”.

Aktivizimi i katolikëve në politikë, ndërkohë që u bindet të gjitha ligjeve të demokracisë moderne, deri aty ku ato nuk shkelin mbi moralin e shëndoshë dhe besimin që dikush ka, u bindet njëkohësisht edhe atyre parimeve të ndërgjegjes që katolikët kanë, duke u nisur nga besimi i tyre dhe mësimi i Kishës e po ashtu rrethanave të reja që krijohen me kalimin e kohës, të ashtuquajtura shenja të kohës.

Koha dhe situata në të cilën gjendemi në Shqipëri ka nevojë për një angazhim cilësor të katolikëve në politikë për një riformulim në krahasim me formulat e deritanishme të cilat nuk kanë sjellë asgjëkund. Pjesëmarrja e tyre në formacione të ndryshme politike është një e drejtë legjitime e natyrshme, por aty ku janë ata duhet të jenë bartës të mesazhit ungjillor të shprehur në ungjillin e Mateut, të jenë “kripa e tokës” dhe “drita e botës” (krh. Mt 5, 13.14). Roli i Kishës institucionale në këtë rast nuk është zëvendësimi i ndërgjegjes dhe i vullnetit, por formimi dhe ndriçimi i tyre. Shkolla të formimit shoqëror dhe politik, do të ishin një rrugë me anë të së cilës Kisha vihet në shërbim të shoqërisë dhe të individëve që dëshirojnë të jenë pjesë aktive e politikës dhe ndryshimeve të shoqërisë./Mapo.al