Opinione

Rroftë Rama, poshtë përgjimet! - Nga Ilir Levonja

Ajo çfarë të bën të vësh duart në kokë në këto përgjimet që po publikon tabloidi gjerman Bild, është kërcënimi publik që një shtetar i bën prokurorisë se përse nuk merr të pandehur liderin e opozitës për nxjerrje të sekretit shtetëror. Kjo sipas disa gazetave të krahut të Rilindjes ka të bëjë edhe me faktin e vizitës së fundit të Bashës në Gjermani. Me një fjalë paska qënë ky që paska siguruar ca përgjime nga ajo që tashmë njihet si dosja 339 dhe ua paska shitur gjermanëve të Bild. Një lloj teorie shqiptarësh kjo në logjikën provinciale me lidhje pa lidhje, kjo nuk ka lidhje fare me këtë etj., ca dokrra shprehjesh a reagimesh prej llafollogësh.

Nëse vërtetë paska qënë Basha, i duhet hequr kapelja. Të paktën e paska marrë vërtetë seriozisht denoncimin e kapjes së shtetit prej krimit të Shijakut, Elbasanit etj. Fakte që justifikojnë tashmë edhe me lëvizje që po bën shallvarexhiu duke gjoja i aneksuar nga kandidimi shefat e Elbasanit e Durrësit. Dhe sinqerisht duke ditur ashtin historik të këtyre dy qyteteve të vjen keq kur shikon se deri ku ka futur duart bota e krimit. Nuk e di se çfarë do i mbetet më Shqipërisë sonë nëse i vënë përtokë Elbasanin, Durrësin a Korçën, se Shkodrës me Vlorën po ia pi gjakun lufta rrugore e grupeve dhe e të fortëve.  

Eshtë për të vënë duart në kokë kur del shefi i ligjeve dhe i kërkon llogari Prokurorisë se përse nuk heton personat që kanë nxjerrë sekretin hetimor? Nuk jemi akoma tek Prokuroria, por tek skandali zotëri. Në fund të fundit politika është moral. Jep llogari për lidhjet me botën e krimit njëherë, se, ka kush t'i kërkoj llogari prokurorisë. Por kjo nuk ndodh aty dhe as që ka për të ndodhur. Dhe më e keqja është tek fërkimi i duarve që bëjmë në heshtje si shqiptarë të mbytur në inat bastionesh. Dhe ky inat na mban lidhur keq.

Mënjanimit nga skandalet Rama ia ka marrë dorën, duke kuptuar mirë pikërisht këtë inat social. Dhe na ka mundur pasi na ka provokuar dhe ka fituar. Janë aty të gjitha. Nuk ka qeveri tjetër, a skuadër qeverisëse se sa e këtij shallvarexhiu me më shumë skandale se ky. Por shqiptarët merren me zërin e Lulit kur këndon himnin kombëtar. Madje u vjen mirë që Rama vret, pret, qeveris kështu. Ashtu sikundër tani janë gati të shqyejnë Lulin se ka shkuar në Gjermani dhe ka shitur sekretet e prokurorisë sonë.

Dhe këto përgjimet e fundit, nuk janë asgjë tjetër, por një betejë e radhës që do ua forcojë unitetin parti-popull. Shallvarexhiu do dali ose mbase ka dalë dhe të bëjë batuta me përgjimet e Lulit dhe Bild-it. Gjermania dhe Evropa janë të vërteta vetëm kur ua thotë ai. Dhe ju gajasuni, se batutat ju duhen, jo demokracia!