Opinione

Kushtetuta dhe Kanuni i keqkuptuar si mjet stilistik - Nga Ndue Dedaj

E them që në fillim, nuk do ta kisha shkruar këtë shkrim, por vetëm në respekt të lexuesit, i cili asnjëherë nuk është paragjykues, edhe kur nuk është dakord me ty. Fundja, gjithnjë ka pasur e do të ketë replika pa palcë e pa bosht, që nuk duan të merren me atë çka ti ke shkruar, por me interpretime, kinse sociologjike, ex katedra etj..

Në datën 31 maj 2019, në gazetën “Panorama” u botua shkrimi im “Shqipërisë i duhet një kanun”, si një sarkazëm e fortë ndaj politikës së ditës, që nuk po gjen një rrugëzgjidhje për të dalë nga kriza politike dhe institucionale, ku është mbërthyer prej disa muajsh, duke rrezikuar konflikt civil. Duke qenë se shkrimi i adresohej politikës ishte e pritshme të kishte reagime nga njerëz të saj, por, për çudi, reagoi sociologu Fatos Tarifa, përmes shkrimit “Kanun apo Kushtetutë?” publikuar në gazetën “Dita”, më 1 qershor 2019, duke replikuar në mënyrë të panevojshme, por dhe të panatyrshme, me mua dhe shkrimin tim, që nuk ishte një studim sociologjik, por vetëm një “provokim” publicistik për të vënë në sedër politikanët tanë dhe tërhequr vëmendjen e publikut ndaj situatës së rënduar.

A mund të merret ndryshe dhe jo një si në thirrje e drejtpërdrejtë për Kushtetutën, pasazhi i mëposhtëm i shkrimit tim të sulmuar si sjellës i Kanunit: “Edhe pse i pashkruar në letër, Kanuni shqiptohej përditë në zonën e tij, nga i madh e i vogël, kurse Kushtetuta përmendet nga kreu i shtetit dhe Kryeministri sa herë duan t’i kujtojnë njëri-tjetrit «sinorët» e pushtetit të tyre. Vetëm atëherë ajo nuk shihet si një «njerkë» gjysmë e harruar, por si një perëndi që mund të vendosë rendin e shthurur të politikës. Mjerisht, ky është morali i pushtetarëve të sotëm, Kushtetuta thirret kur iu nevojitet për të kaluar lumin, pastaj bëjnë prapë sipas «kanunit» të tyre prej autokratësh të përbetuar. Aq më tepër, në këtë kohë, kur Kushtetutën e kanë lënë dhe pa mbrojtësen e saj, Gjykatën Kushtetuese”. Ku është “kanuni” këtu si i tillë? Përpos se si mjet stilistik në rrafshin e të shkruarit.

Kanuni është një histori e së shkuarës dhe shoqëria moderne e 2019-s e vlerëson vetëm si trashëgimi kulturore. Kushtetuta dhe vetëm ajo është dokumenti themeltar juridik i shtetit tonë. Kësisoj, nuk mund të imagjinohet që sot të qeveriset vendi me kanun e unë këtë e besoj ngultas dhe ndaj s’ka arsye për keqkuptim.

Por zoti Tarifa e kishte pasur me kohë gati “përgjigjen” për këtë qasje timen dhe kishte pritur rastin të “gaboja” përsëri, pasi, siç thotë vetë, të njëjtën ide timen e kishte hasur vite më parë në librin tim “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” (Tiranë, 2010), çka e bën replikën e tij të qëllimshme. Është e drejta e tij si një studiues, që ka publikuar vështrime edhe rreth Kanunit, të mos jetë dakord me mendimet e mia, ashtu siç, për hir të së vërtetës, as unë nuk kam qenë ndonjëherë dakord me shtjellimet e tij lidhur me Kanunin, për të mos thënë se ndonjë ide e tij në këtë qasje më është dukur absurde. Sociologu Tarifa e rrok Kanunin në prizmin sociologjik, duke u mbështetur vetëm në disa sociologë të huaj, si gjermani Max Weber, ndërsa, për mendimin tonë, zor se mund të arrihet në përfundime shkencore pa përfshirë dhe mendimin shqiptar për Kanunin, por dhe të disa studiuesve të huaj të mirënjohur të Kanunit, juristë etj.. Por kjo është puna e tij!

Sa më përket mua, në librat dhe shkrimet e mia me këtë problematikë, nuk kam thënë asgjë ndryshe nga Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Zef Valentini, Margaret Hasluck, Fabian Barcata, Ernesto Kozi, Walter Peinsipp, Emid Tedeskini, Frano Illia, Ismet Elezi, Zef Pllumi, Yamamoto Kazuhyko, Xhemal Meçi, Shefqet Hoxha etj.. Pastaj, nëse cilido kritik i Kanunit mund të vërë në diskutim idetë dhe pikëpamjet e çdokujt për Kanunin, si do t’ia bëjë me “Prillin e thyer” të Ismail Kadaresë, që është veçse kanuni shqiptar me dritëhijet dhe përthyerjet e veta social-historike dhe etike. Ajo çfarë unë kam bërë, ka qenë kundrimi në rrafsh publicistik i deformimeve skandaloze të Kanunit në kohën e tranzicionit.

Por Tarifa thotë se unë dashkam të kthej Kanunin!? Ku? Si? Përkundrazi, shkrimi fshikullon politikanët që nuk kanë respekt për Kushtetutën dhe me emrin e saj abuzojnë, ndaj nuk kishte pse të tjetërsohej në replikën e tij sensi i shkrimit tim, duke peshuar pa vend mbi fjalën “kanun”, e cila për të qenë korrekt me lexuesin mund të vihej në thonjëza! Kanuni nuk është unë. Kanuni është koha e stërgjyshit tim. Në botimet e mia nuk kam bërë ndonjë apologji për Kanunin, duke qenë se ky korpus juridiko-dokësor e ka të panevojshme një gjë të tillë. Kanuni është botuar dhe në Amerikë, i përkthyer nga Leonard Fox, dhe është mirëpritur si traditë shqiptare. Edhe autori i këtyre radhëve librin e parë në këtë hulli, “Kanuni dhe koha e sotme – mbi kuptimin e së drejtës zakonore dhe të shtetit ligjor” (Tiranë, 2001), e ka botuar si një projekt të World Vision, zbatuar në shkollat e Shqipërisë. Libri nis me fjalinë: “Në shkollë, nxënësi edukohet me frymën e ligjit, si në çdo vend tjetër modern”, libër për të cilin, pas botimit, ka shkruar një artikull vlerësues profesor Ismet Elezi, me të cilin asokohe nuk njiheshim nga afër.

Në replikën e stisur të z. Tarifa, të habit keqkuptimi i shkrimit tim, i cili, gjithkush e kupton, se nuk ka aspak si qëllim rikthimin e Kanunit si një rekomandim për të sotmen. Dhe gjen rastin t’i bëjë autorit të shkrimit, por dhe lexuesit, një leksion të mërzitshëm, se si e ka parë ky e apo ai dijetar i huaj Kanunin. Ngaqë nuk ka se çfarë të thotë për paragrafët e shkrimit, pedagogu merret me autorin e tij, gjë e njohur kjo për një kategori replikuesish të shkollës së vjetër, se “…ideja e z. Dedaj është sociologjikisht e painformuar, madje absurde, ndërsa logjikisht tërësisht e pasaktë”. Hajde, merre vesh këtë vulg fjalësh! Si është e mundur të shkruhet kështu? Për të mos u marrë me gjithë lajthitjen, kush është ai që përcaktuaka logjikën tërësisht të saktë, apo të pasaktë të dikujt tjetër?! Profesori e di se në një shoqëri moderne kushdo thotë mendimin e tij dhe është lexuesi që gjykon e jo tutorët e ndryshëm, aq më pak ata ideologjikë. E përsëris, përmes shkrimit “ngacmoj” politikën të reagojë, kurse sociologu replikues merret me interpretime rreth gjakmarrjes, a thua se kjo ishte tema e shkrimit tim!? Punë për të! Shtjellimet e tij mund të jenë interesante për diku tjetër, por jo si replikë për shkrimin tim, ku përmes përqasjes stilistike me Kanunin të zhvillimeve të sotme shqiptare, kam treguar se sa në zgrip është shteti ynë sot, që nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë në funksion etj. Kjo, them unë, na bëri me hedh sytë nga Kanuni, vetëm sytë!… Ndërsa togfjalëshin “demokraci fshatare” nuk e kam përdorur unë, por njëri ndër të rrallët juristë që është marrë me Kanunin, W. Peinsipp, që i ka njohur shqiptarët në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në Kosovë si diplomat austriak.

Tarifa e bën fakt të kryer që unë kërkoj kthimin e Kanunit, kur shkruan: “Si mundet një mendje e arsyeshme të kërkojë kthimin në një traditë që e legjitimonin dhe e justifikonin kushte historike, politike, ekonomike e shoqërore dhe një strukturë sociale që sot nuk ekzistojnë më?” Po ku e kam thënë unë këtë gjë? Në cilin paragraf e rresht? Askund. Kam thënë të kundërtën, që politika t’i kthejë dinjitetin Kushtetutës së Republikës time dhe të Tarifës, moderne dhe jo aristokratike. Për më tepër sociologu e mbyll replikën e tij “akademike” me konkluzionin e tij që të shkul gazit se shkrimi im tregon “Mungesë të vizionit historik” (!!!) E di se do të më qortojë përsëri zotëria, por s’rri dot pa bërtitur sërish: O tempora, o mores.

Replikuesit i bën përshtypje se si dikush nuk i kursyeka pushtetarët e sotëm, duke i quajtur të pamoralshëm, paçka se dhe sipas tij “një pjesë e mirë e tyre janë vërtet të tillë”. Ai spekulon kur thotë se unë ofruakam shembullin e moralit burrëror për të drejtuar shoqërinë e sotme, përmes parisë së krahinës apo pleqësisë së fshatit. “Për z. Dedaj (sipas tij) nuk ka kurrfarë rëndësie konteksti kohor e shoqëror”(!?) Aq më tepër, (gjithnjë sipas tij), unë ndoshta nuk e di se mënyra demokratike e organizimit dhe drejtimit të shoqërisë lidhet jo me fshatin, ose me jetën rurale, por me qytetin, me jetën urbane, me industrializimin dhe racionalizimin e shoqërisë. As vetë z. Tarifa nuk e beson që unë nuk e di këtë gjë, që nxënësit e shkollës e mësojnë jo më vonë se në klasën e katërt fillore, po hallin nuk e ka tek unë, por te fantazma e Kanunit, se mos po del nga muzeu dhe i zë vendin Kushtetutës (???) E vërteta është se autori i këtyre radhëve nuk është keqkuptuar për herë të parë lidhur me shkrimet e tij për Kanunin dhe gjakmarrjen, diku se Kanuni ende nuk pranohet si duhet, diku se ka lënë gjurmë të thella propaganda komuniste kundër tij etj.. E ky nuk është problemi im.

Së fundi, nuk do të bëj siç bën z. Tarifa me mua, duke i lejuar vetes të shprehë (para)gjykime rreth personalitetit të tij. Por s’rri dot pa thënë se disa njerëz të elitës së këtij vendi, politologë, sociologë, ambasadorë, funksionarë e ish-funksionarë të tjerë, rrallë e tek dëgjohen të thonë ndonjë mendim të vetin kritik a analitik për zhvillimet politike, mbase nga afritë me klanet politike, me të cilat kanë pasur e kanë interesa… Kurse autori i shkrimit të replikuar nga Tarifa nuk ka pasur asnjë favor nga këta apo ata pushtetarë, në asnjë rast, thjesht ka ushtruar zejen e tij të të shkruarit, pa e ditur se një ditë – paradoksalisht – do të japë llogari para ndokujt për mendimet e tij të lira!/www.panorama.com.al