Opinione

Në panik prej ikjes së rinisë nga atdheu - Nga Rudi Erebara

Shoh se ka plasur vu paniku se të rinjtë po largohen. Po mirë, kur ikën të rinjtë përpara 30-vjetësh, 20-vjetësh, xhanëm përpara 10-vjetësh, pse nuk pati panik ? Kishte dhimbje, por jo panik. Sepse të rinjtë po iknin për punë. Për një jetë më të mirë për veten. Edhe për të ndihmuar familjet. Si për t'iu hequr si barrë, financiare, si për të qenë gjithashtu një ndihmë financiare që u hiqte barrën e varfërisë. Tani na është panik se po ikin të rinjtë ? Edhe e shoh këtë të shprehur kryesisht nga të rinjtë. Panikun në fakt duhet ta kemi ne që po plakemi. Sepse për ne nuk ka kush punon më. E kemi parë në të gjithë botën. Pleq që paguajnë emigrantë t'u bëjnë pazarin, t'u presin thonjtë, t'u lexojnë një libër. Paguajnë të panjohur të blejnë jetën që duhej të kishin pasur sikur të mos iknin të rinjtë.

Të rinjtë ikin nga Shqipëria në Itali. Të rinj italianë ikin në Gjermani a Angli. Edhe ndoshta të rinjtë gjermanë e anglezë shkojnë në Amerikë. Pra ikja ekziston në gjithë Europën. Por nuk ekziston në shifrat tona. Afrikanët që ikin e mbyten pa mbërritur nëpër brigjet e Europës, si siranët, e të tjerë, ikin sepse kushtet e jetës në vendet e tyre janë të pamundura për të mbetur gjallë. Thatësia, lufta, sëmundjet. Popullsi të tëra të shfarosura dhe të tjera të sëmura aq sa nuk ia dalin dot të prodhojnë mbështetje për veten. A jemi ne këtu? A janë të rinjtë italianë, anglezë apo gjermanë, këtu ? A ikin të rinjtë amerikanë të rrojnë në Meksikë, Brazil, Kinë, a diku tjetër ? Patjetër që po. Pra ikja nuk është e padëgjuar. Por nuk kam parë ndonjë panik të këtillë për emigracionin nëpër vendet e tjera fqinje europiane. Italianë e grekë kanë ikur me miliona gjatë shekullit të XX. 22 milion italianë thuhet se ka në Argjentinë. 6 milion turq në Gjermani. Me miliona gjithashtu në Amerikë, Australi, e kudo. Pra ikja është e lidhur me varfërinë, sepse varfëria është e lidhur me punën. Paniku, këtu në Shqipërinë tonë, shprehet në shembujt nga më të ndryshmit. Po ikin studentët. Po ikin nxënësit maturantë. Ikin e studiojnë e nuk kthehen më. Kam hasur edhe shifra, por jo sa kam parë e dëgjuar këtë 10-vjeçarin e fundit, apo më saktë 5-vjeçarin e fundit. Është një ikje e një rinie e cila nuk po shkon për punë. Po shkon për një jetë europiane. Për një shkollim europian. Emigracioni në Europë nuk ishte i tillë. Ishte thellësisht i përbërë nga popullsi që iknin për punë. Edhe vazhdon të jetë i tillë edhe sot. Punë të pakualifikuar.

Shqiptarët e rinj ikin. Edhe shkojnë në një vend ku me siguri nuk i afrohen kurrë statusit shoqëror që kanë pasur në Shqipëri. Jo të gjithë sigurisht, por shumica dërrmuese gjen një fat të tillë. Atëhëre pse është kjo jeta atje më e mirë? Sepse jeta atje në perëndim, është e bërë më mirë, për italinët, e për gjermanët, anglezët dhe amerikanët. Po. Këta popuj e kanë bërë jetën më të mirë për veten, edhe pranojnë në jeten e tyre edhe emigrantët. Atje shqiptarit, nuk i duhet të ndërtojë rrugët, ndërtesat, ujësjellësat, shkollat, recetat e gatimit, policinë e gjykatën. Jo. Atje qytetërimi është i bërë. Shqiptari i ri a i vjetër, sipas fatit, përpjekjes a zotësisë, do të kapë një status shoqëror edhe do të ndjekë një jetë, sipas rregullave të shkruara për çdo vendas.

Po ç'ka shqiptari që ikën? Në fillim mendoj se do të ishte me vend të shpjegoja si ikën psh një italian. Një italian ikën si një shqiptar, nëse nuk ia del të rrojë me punën që ka në Itali. Ikën se kërkon aventurë sigurisht një tjetër. Ikën se martohet dikush tjetër. Ikën edhe shkëputet nga statusi shoqëror, por nuk fillon nga minus 10. Italiani që ikën, sado i varfër të jetë, shkëputet nga një status shoqëror ku jetën e ka të garantuar. Fjala vjen në Itali nuk ta shkëput njeri dritën edhe kur nuk paguan, por televizorin po. Këtu shkojnë në burg e varen fukarenjtë se nuk paguajnë dritat. Paniku, është justifikuar se nuk eziston më dëshpërimi fatal i 60 e ca viteve izolim katil. Ku njeriu kishte vetëm një herë fatin të ikte. Edhe kthimi ishte si vdekja. Me kthimin mbaronte gjithë ëndrra për të pasur një jetë, sado më të mirë se në atdhe, por pa status shoqëror. Edhe kjo ikje, tani u shërua pikërisht nga ky liberalizimi i vizave. I dha shenjat e para. Nuk kërkojnë më shqiptarët thjesht një vizë të ikin nga sytë këmbët. Jo kërkojnë edhe status shoqëror njëlloj si italianët, grekët, gjermanët etj, në vendet ku shkojnë. Kërkojnë të kenë edhe një jetë aktive pak a shumë sa vendasit.

Prandaj ndodh paniku. Sepse në Shqipëri, po kërkojnë demokraci, jo më thjesht të mos bien në burg. Po kërkojnë rrugë ku të zhvillohet ekonomia, jo të çojnë thesin e miellit. Kërkojnë shkollë më të mirë që të jetë konkurente e t'i vlejë për punë. Kështu që paniku i dëshirës për më mirë, nuk ka të krahasuar me panikun e dëshpërimit që i hidhte nëpër gomone të zbarkonin nëpër brigje njëlloj si sirianët që vinin nga lufta apo afrikanët që përpiqen t'i shpëtojnë kosës së vdekjes. Po, e vërtetë është që ikin e duan të ikin. Edhe nuk i ndalon dot askush. Sepse është e pamundur të mbash një të ri me rrogat e Shqipërisë, qoftë edhe ato të shtetit. E pamundur të krijosh një frymë kaq atdhedashëse sa të mos ikin në një jetë më të mirë, e cila është atje matanë detit, thjesht e gatshme. E arritshme. Pra kemi të bëjmë me një panik ekonomik, nëse mund të quhet i tillë. Panik i atyre që mbesin. Panik se statuset shoqërore shpërbëhen. Treten familjet. Në Shqipëri nuk kanë për të ardhur emigrantë që të bëjnë pazaret e pleqve, se pleqtë e Shqipërisë nuk kanë me se t'i paguajnë. Por si funksionon në vendet ku ikin shqiptarët. Pleqtë atje, kanë me se të paguajnë sepse kane pronë. Kanë akumualuar pronë me punë, apo një pension që u lejon të paguajnë për mungesën e rinisë që ikën.

Pra paniku që ka kapur sot shoqërinë shqiptare, është konkurenca e jetës shqiptare me jetën europiane. Një konkurencë e pabarabartë, pikërisht se ata të rinj që ikin, lënë pas njëlloj si këto 75 vjet një familje e cila nuk është e vetmjaftueshme në Shqipëri, e për pasojë do të jetë e varur pas të riut që ikën. Pra i riu sot, njëlloj si të rinjtë e përpara 30 vjetëve, tërheq nga pas vetes, problemet e Shqipërisë. Pa u zgjidhur shpejt problemi i pronës, kjo ikje do të vazhdojë, edhe do të jetë shumë herë më e madhe në rast të heqjes fare të vizës së sotme Shengen. Do të ikin gjithmonë atje ku është më mirë njerëzit. Kështu që mendoj se një panik më të madh duhet të kemi përse nuk kthehen emigrantët. Ëndrra e përpara 30 viteve apo 20 viteve ishte të shkoj në emigrim, të bëj pasuri dhe të kthehem. Pasuria ishte një koncept shumë relativ në shifra. Por çfarë ndodhi. Shqiptarët investimin e kthyen. U ndërtuan qytete të reja me dhe pa leje. Vila dhe shumëkatëshe, por emigrantët nuk kthehen. Nuk kthehen për njëmijë e një arsye, por kryesorja sepse jeta në Shqipëri nuk është konkuruese me jetën që kanë atje ku janë.

Ky është paniku që bën të ikin sot të rinjtë, për krahë pune, apo për mendje ne botën e drejtë të konkurencës. Pa u marrë masa urgjente në shkallë kombëtare, për të kthyer tek prindërit, pronën e gjyshërve që i mbajti ata (prindërit) këtu në këtë vend, të rinjtë do të ikin papushim.