Opinione

Protesta e dhjetë e opozitës dhe një refleksion politik- Nga Ndue Dedaj

Opozita, të hënën, më 8 korrik, zhvilloi protestën e saj të dhjetë, paqësore dhe pa asnjë shenjë dhune, siç ka ndodhur në disa protesta të mëparshme. Pikërisht tani, pas votimeve njëngjyrëshe të 30 qershorit, është koha e një reflektimi të thellë të opozitës ndaj vetes dhe e të tjerëve ndaj saj, në radhë të parë, pozitës. Do të ishte me pasoja nëse kjo e fundit nuk do ta shihte në sy “fitoren” e saj të humbur, që të kujton nusen e dikurshme që vdiq në udhë ditën e dasmës, për faj të krushqve, që ishin të vendosur ta nxirrnin nuse, gjallë e vdek, në ditë të caktueme!?… “A thue s’kish viti tjetër ditë?”, – akuzon balada e asaj vdekje të pazakontë.

Njëherësh, do të ishte arrogancë politike dhe shtetërore nëse protestat e opozitës nuk do të merreshin si forcë e saj. I dobët nuk është kurrë ai që ka kauzën e lirisë së votës. Tashmë, i vetmi pushtet i opozitës është protesta, e cila do të vijë duke u zgjeruar, pasi shqiptarët nuk mund ta pranojnë hendekun ku kanë rënë, në monizëm, çka do t’i bëjë ata të reagojnë me të gjitha mjetet demokratike, duke nisur nga vjeshta.

TË TJERËT PËR OPOZITËN

Mund të ketë perceptime të ndryshme për opozitën, por funksioni saj është vetëm një, ta pasqyrojë qeverisjen, jo siç dëshirojnë qeveritarët, por ashtu siç është dhe siç e kërkon interesi publik. Në demokraci ka një pushtet që konsumohet nga “mbipesha” e vet dhe kjo është shumica qeverisëse, ka dhe një pushtet tjetër po aq të rëndësishëm – opozita, që nuk konsumohet për faktin se nuk ka të bëjë me taksat publike dhe nuk ka ndikim mbi pushtetet e tjera. Si e tillë, duhet të jetë e mirëpritur në çdo nismë të saj për të përmirësuar qeverisjen. Mirëpo, në Shqipëri, ku gjërat shkojnë më së shumti në kundërrrjedhë, është bërë zakon që barrët të shkarkohen mbi opozitën. Nga ata që kanë pushtetin, asaj i faturohen krizat dhe anomalitë e tjera të mosfunksionimit të shoqërisë. Një dukuri shqiptare kjo, ta kërkosh shkaktarin e së keqes atje ku nuk mund të jetë praktikisht.

Është e habitshme se kritizerin ndaj opozitës nuk e bën vetëm lidershipi qeverisës, nga i pari tek i fundit, përfshi dhe funksionarë të lartë shtetërorë që shihen si të depolitizuar, por dhe analistë të ndryshëm të ethshëm, që e trajtojnë opozitën si birin plangprishës, që nuk i bindet shefit të qeverisë. Është në dorën e Kryeministrit t’i shtrijë dorën ose jo opozitës, pas 1 korrikut, u shpreh në “Opinion” në TV Klan analisti proqeveritar Baton Haxhiu, duke e detyruar kolegun Armand Shkullaku ta kundërshtonte. Detaje të tilla reflektojnë psikologjinë tonë, që fati i opozitës është në dorën e të madhit të pushtetit, thellë-thellë një bartje e mendësive bolshevike mbi pakicën. A thua se kemi sërish Partinë e Punës dhe është në vullnetin e saj sesi do të sillet me Frontin Demokratik apo Bashkimet Profesionale!

Pozita dhe opozita janë si dy lokomotiva të të njëjtit tren, që po doli nga “shinat” njëra, ka dalë dhe tjetra. Mendja ta thotë se këtë e di dhe Kryeministri Rama, përderisa në daljen e parë publike pas votimeve, zgjati dorën nga opozita për dialog. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo vërtet është pjekur në vetëdijen e tij apo u tha sa për konsum publik, si në rastin e 6-7 letrave dërguar Bashës në pikun e fushatës elektorale, kur de fakto shfaqja kishte filluar dhe 30 qershori për të ishte diçka pa kthim. Opozita nuk vjen në hulli me ty për të “bashkëqeverisur”, pasi kjo do të ishte përdorje e saj. Ajo ka hullinë e vet, që ia kur ia do qejfi dhe luan me pushtetin, si në rastin e partneritetit publik-privat për gjithçka.

OPOZITA PËR VETEN

Ana tjetër e medaljes dhe kryesorja është ajo s si vetë opozita duhet të nisë reflektimin e saj, duke kërkuar të tjera shtigje, sjellje dhe përgjegjësi para elektoratit të vet dhe para shqiptarëve, si alternativë qeverisëse e besueshme. Opozita nuk gjuan vetëm gabimet e pozitës, por krahas denoncimit të aferave korruptive, trafikimit të votave, krimit të organizuar, paudhësive të administratës etj., përpunon strategjitë e saj programore dhe i shpall ato. Ka spikatur muajt e fundit aksioni opozitar për zgjedhje të lira e të ndershme, nisur nga përgjimet e Dibrës dhe Durrësit, por ai maturohet më tej, kur analizohet çdo hap i hedhur, sa të frytshme ishin vendimet e marra, ku qenë gabimet e teprimet etj. Aq më tepër, pas një maratone zgjedhore antidemokratike si votimet e 30 qershorit.

Për vetë psikologjinë tonë, është mjaft e vështirë ngritja e lidershipit mbi veten, por duhet bërë. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-s, la jashtë listave për deputetë një pjesë të lidershipit të PD-së, që nuk kishte qenë dakord me ardhjen e tij në krye. Arti i kompromisit fillon në radhë të parë me njerëzit e tu, pastaj me të tjerët. Përjashtimi i bujshëm i tyre nga ato zgjedhje e ka dobësuar opozitën dhe do të vazhdojë të ketë ndikimin e vet negativ derisa të gjendet mënyra që ata të jenë sërish pjesë organike e partisë që e krijuan dhe kanë dhënë aq shumë për të. Udhëheqja e re e PD-së duhej të kishte nxjerrë mësime nga skizmat e hershme, ku përçarjet e kishin lënë në opozitë, kurse ribashkimet e kishin sjellë në pushtet, si në vitin 2005. Një forcë politike progresive nuk ndryshon prej të tjerave dhe aq nga njerëzit që e përbëjnë, por nga rregullat e lojës që vendos, që kufizojnë në radhë të parë pushtetin e liderit. Këndej nga ne ky rrezik është për të gjitha partitë, sado demokratik ta kenë statutin.

Për mendimin tonë, PD, si opozitë e djathtë, nuk duhej të ngjizej në një me LSI-në, që është një forcë politike e majtë, paçka vrazhdësisë dhe arrogancës së pushtetit. Koha e aliazheve të tilla politike kishte kaluar, boll ishte vepruar (flirtuar) kështu që nga viti 1992, kur koalicioni i parë politik i panatyrshëm ishte ai: PD-PSD. Qëndrimi në atë çfarë ti përfaqëson është parimor si për PD-në, si për LSI-në, secili në shkamin e vet. Nuk mund të vazhdohet dhe pas tridhjetë vjetësh me të njëjtin stil aleancash opozitare për pushtet. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë kompozimin e PD-së, me Monika Kryemadhin në krah, kur në vendin e saj, sipas shumë prej tyre, duhej të ishte Jozefina Topalli. Kjo nuk i heq asnjërës forcë politike të drejtën për të qenë opozitë me pushtetin, por gjithsekush me platformën e vet opozitare, të ndryshme nga tjetra.

Edhe brendapërbrenda spektrit të djathtë, ka parti vegjetuese që kanë mbetur vetëm me kryetarët e tyre, të cilët presin të marrin mikrofonin pas kreut të opozitës, ashtu si dhe në spektrin e majtë. Është e thjeshtë për t’u parë sa je në elektorat. Le të shohim një protestë vetëm të Partisë Republikane. Një protestë vetëm të Partisë Demokristiane. E kështu me radhë. Ka kaluar koha të rrish nën hijen e dardhës e të presësh të këputet ndonjë kokërr e të bjerë në gojën tënde. Elektorati i këtyre forcave politike është arshivuar në historinë e pluralizmit. Ndërkohë, “parti” të tjera janë zgjuar në Shqipëri, siç janë studentët protestues, por që opozita duhet t’i bëjë për vete, jo duke iu mbajtur fjalime patetike, por duke hartuar programe serioze për problematikat e tyre studentore dhe të universiteteve.

Opozita reale janë demokratët e Shqipërisë, të cilët gjenden aty që nga 90-a, pavarësisht se jo të përbashkuar në PD. Nëse, më në fund, është vullneti që lidershipi i kësaj partie të hapet për të gjithë, atëherë opozita nuk ka nevojë për aleanca të tjera jashtë vetes, pasi janë ata ushtria elektorale e zgjedhjeve të ardhshme, të afërme. Veçse kjo nuk mund të lihet në dëshirën e strukturave aktuale drejtuese të PD-së në rrethe, të cilat nuk i kanë “përzemër” njëlloj të gjithë demokratët. Ajo që ka ndodhur në qendër në 2017-ën, ka ngjarë dhe në bazë, por pa zë, duke bërë që shumë demokratë të shpërfillën nga forumet. Në protestat e PD-së ishin të gjitha “klanet” e saj, që kishin dalë në shesh ngaqë ndihen demokratë. Është dhe ndikimi i këtyre që kishte një refuzim masiv kombëtar ndaj votimeve të 30 qershorit. Ky besojmë është leximi që tashmë duhet ta bëjë lidershipi i PD-së në qendër, për një histori të re të lëvizjes opozitare në vend.

Ai ka detyrimin të krijojë mundësitë statutuore dhe praktike për kandidimin e cilitdo demokrat, sipas parimit një anëtar – një votë etj. Nuk bëhet kjo punë me dy a tre persona, të vetëshpallur, që gjejnë miq në selinë blu për t’ua shënuar emrin në lista për kryetar bashkie apo deputet. Nëse vazhdohet kështu, asgjë ndryshe nuk ka për të ndodhur. Gjithmonë ka “Spiropalë” që ngrihen mbi kapacitetet e veta për të shërbyer partinë dhe qeverinë që i ka katapultuar në zenitin e politikës, kur duhet të jenë ende tek a-ja e saj. Njëherësh, do të ishte i mirëpritur dhe një këshillë të urtësh nga elita e demokratëve, për t’i ujdisur më mirë qëndrimet e opozitës, ku bashkë me funksionarët e sotëm të selisë blu, të dëgjoheshin dhe “ish-ët” e saj etj.

PËRFUNDIM

Partia Demokratike mund të humbasë aleatë pa elektorat dhe të fitojë disa aleatë të rinj, ani se jo politikë, që janë në radhë të parë të rinjtë, të cilët, ngaqë nuk e gjejnë veten këtu, kanë mësyrë dyert e BE-së për punësim (duke na lënë emrat në listat e votimeve), studentët që janë ende larg shokëve të tyre në shkollat e Perëndimit (që vetëm tash po pajisën me kartën e studentit), mediat që nuk kanë standarde bashkëkohore si simotrat europiane (përndryshe nuk do t’i konkurronte “Bild”-i në vendin e tyre), punëtorët e minierave, fasoneve e sektorëve të tjerë që paguhen pak, por dhe kategori të tjera sociale ku opozita ka terren për të vepruar, veçanërisht biznesi i vogël dhe i mesëm, që po nuk u mbështetën me politika favorizuese, do të shkojnë drejt rrënimit.

Shqipëria nuk është vetëm Tirana, nuk janë vetëm rrugët e diskutueshme si Unaza e Re, apo objekte të shumëpërfolura si Teatri Kombëtar etj. Të gjithë i shohim fushat e Shqipërisë të lëna djerr prej vitesh. Të mos mbjellësh tokën dhe të mos prodhosh, kësaj i thonë katastrofë kombëtare. Në këtë kontekst, a nuk meriton një tjetër strategji bujqësia, agroturizmi etj.? E kush më mirë se opozita mund ta shtrijë këtu ndikimin dhe politikën e vet, qoftë dhe duke i zhvilluar disa protesta të “vogla” aty ku prodhohen qepët e patatet, por që nuk gjejnë treg etj.

Kështu e shohin politikën njerëzit e thjeshtë, që ajo të jetë e prekshme, e rrokshme, shërbyese e tyre, përndryshe, të vejë ajo tek ata dhe jo ata te politika…

Burimi: Panorama.com.al