Opinione

Politika pjell kaosin urban - Nga Vangjush Saro

Nga bunkerizim në kullëzim

“Kemi nevojë për lirinë që të ndalojmë abuzimet e shtetit dhe kemi nevojë për shtetin që të shmangim abuzimet me lirinë…” Karl Poper

Nga qendra e kryeqytetit shqiptar, nga “territori” i Teatrit Kombëtar, ku ka filluar sërish një betejë absurde mes qeverisë e artistëve, apo nga Sahati i Tiranës, pak metra pas të cilit po buçet ajo gjëja e frikshme që hap themele e paralajmëron kulla e, deri në pikat më të largëta të vendit – për shembull, Ksamili, ishujt Jonianë – mund të shihet me sy të lirë kaosi urban që ka pllakosur vendin. Ky i shkretë, është shndërruar në një kantier-mostër, ku nuk merr vesh i pari të dytin; të gjithë ndërtojnë, të gjithë prishin, të gjithë ankohen… Kryetari i sotëm i Bashkisë së Tiranës, për të cilin mund të thuhet se ka bërë edhe punë të mira, erdhi në atë zyrë të rëndësishme me premtimin e bujshëm se nuk do të jepte leje ashtu, vend e pa vend, si… paraardhësi i tij. Por shihet qartazi se Tirana është mposhtur nga babëzia për të ndërtuar kulla. Dhe kjo është kaq e turpshme!

Besoj se termat; Teatri Kombëtar, Astir, Rruga Milot-Balldren etj., janë të gjitha brenda kësaj panorame. Kaosi urban është një nga “arritjet” më të trishta të këtyre tre dekadave të fundit. Mund të ketë ndërtime nga më luksozet në Shqipëri. Kur shikon disa hotele, bare e restorante llamburitës, thua me vete pa le ku gjendesh… Por në hartën e përgjithshme, prapëseprapë zotëron rrëmuja. (“Megjithatë, kalldrëmi ishte i lerosur…” A. Kamy) Krejt Ultësira Bregdetare është në një kaos total. Hapësira Tiranë-Durrës është shfytyruar prej kohësh. Nuk merret vesh ku është shtëpia, ku është rruga, ku është një copëz arë. Pjesa përkitazi bregdetare, edhe më keq. Asnjë fshat apo qytezë nuk duket e sistemuar, të themi me shtëpitë, fushat, kanalet, korijet e veta; përkundrazi, një mish-mash i paparë mbizotëron anembanë. Nga bunkerizimi i kohës tjetër, një temë e vjetruar tashmë, ne u hodhëm menjëherë në betonizimin e vendit, të fushës e të bregdetit, posaçërisht.

Këtë “dhuratë” të hidhur e kemi nga politika. Ishte ajo që, për interesa të errëta, lejoi mijëra ndërtime pa leje, sidomos në zonat pranë e përreth kryeqytetit, në të gjithë kufijtë e mundshëm të Durrësit dhe, ca më keq, përgjatë vijës bregdetare, nga Velipoja në brigjet e Karaburunit. Duke menduar për problemet e veta afatshkurtëra, politika kompromentoi zgjedhësit, përndryshe gjithfarëlloj të shpërngulurish, por edhe gjithfarëlloj “ndërtuesish” e “biznesmenësh”, që do t’i duheshin kur të kishte zgjedhje e, në të njëjtën kohë, u kompromentua dhe u mposht prej tyre, sepse asnjëherë, asnjë ditë, nuk ishte në gjendje t’iu vinte fre, pasi që i kishte lënë të bënin ç’të mundnin me tokën bujqësore, me hapësirat dhe ndërtesat urbane e ato sociale, por sidomos me parcelat anës deteve.

Ndërtimi i disa akseve rrugore të rëndësishme në Veri e në Jug, duket se u bë shkas që në këto hapësira territori të sistemohej disi. Por ç’është menderosur, vështirë të vijë në vete. E ndërkaq, nuk themi asgjë të re po të kujtojmë se kaosi urban pengon zhvillimin normal të ekonomisë, të bujqësisë, transportit dhe frenon zhvillimin e turizmit, tremb çdo lloj nisme për të nesërmen. Prirja për të bërë para, vetëm para, në kurriz të kujtdo, të qytetarit dhe pasurive natyrore të vendit më së pari, është rënduar edhe nga i ashtuquajturi “zhvillim”. Janë dhënë leje për HEC-e e ndërtime të tjera brenda parqeve kombëtare. Pasojë e këtij kaosi, është ndotja e mjedisit, si askund; ndotje fizike dhe estetike. Shqipëria, thuhet në disa burime, është vendi më i ndotur i Evropës. Kjo ndodh në një kohë që shqiptarët, sipas mediave, paguajnë mbi 370 milionë euro në vit taksa mjedisore. Nuk ka qytetar të këtij vendi, por as edhe pasunar asi, që të jetë i qetë. (“Në xhungël gjithkush vuan…” R. Kipling)

Për më keq, kaosi urban vazhdon të përdoret nga politika për interesa gjithnjë e më të fëlliqura, të papërfillshme krahasuar me hallet që përjeton vendi. Kaosi urban ka prodhuar, veç të tjerash, një lloj bunkerizimi të ri të vendit, këtë herë sipas territoreve politike. Të ndërtosh një shkollë, një spital, një rrugë, pra objekte të karakterit social, duhet të hapësh luftë të madhe me banorët, të cilët, nga e mira apo nga e keqja, vetë apo duke u yshtur nga aksh parti, i japin sakaq ngjyrime politike çdo përpjekjeje për një vepër sociale. Çështjet teknike politizohen menjëherë dhe krijojnë tensione.

Nga koha në kohë, gazetarë, ekspertë, zyrtarë, sipas mendjes së vet, kanë gjetur arsyet dhe përgjegjësit për këtë gjendje. Në vështrimin tim, me fakte dhe me bindje, më së pari Sali Berisha dhe Edi Rama janë dy nga mëkatarët më të mëdhenj në këtë temë. (Mbase dikur do të ketë një përballje të tyre me ligjin për sa më lart.) I pari dha komanda të gabuara që në krye të herës, ai e di pse. I dyti u mburr për “kthim të kryeqytetit në identitet” dhe e zhyti atë në beton. Të dy ata, secili në mënyrën e vet dhe në kohën e vet, kanë frymëzuar një stil ndërtimesh që mund të pranohen vetëm në një vend të çoroditur e ku gjallon një politikë e çoroditur. (“Më në fund, ky njeri duhej të kishte qenë një nga gomarët e mullirit tonë të madh shoqëror.” Balzak. “Xha Gorio”)

Është shumë e vështirë të risistemohet nga pikëpamja urbane harta e copëtuar dhe e shfytyruar e vendit. Ndoshta një administratë (e një kohe tjetër) e ndërtuar me teknikë të mirëfilltë dhe me zyrtarë që nuk mendojnë vetëm për të vjedhur, mund të ndriçonte sadopak këtë errësirë shkëlqimesh të rreme e mund të sistemonte disi (vetëm disi) këtë kaos, që tregon se si nuk duhet të jetë zhvillimi e si nuk duhet të sillet politika./Telegraf