Opinione

Aurel Plasari i përgjigjet Ramës me dokumente: Pse Teatri nuk është ‘dopolavoro’

Kryeshërbëtori ka gabuar përsëri. Ai e meriton të thosha që ka gënjyer, ka mashtruar, ka manipuluar, por po ia kursej ende fytyrën duke thënë që ka gabuar. Të cituar nga mediat, lexoj që lidhur me korpusin kulturor-historik, atë në të cilin funksionojnë sot Teatri Kombëtar dhe Teatri Eksperimental, ai i është përgjigjur një qytetari me avazin e “dopolavoros”:

“Si rikonstruktohet një godinë e bërë me tallash dhe e cila qëkur u ndërtua, u ndërtua nga ushtria italiane si kompleks i përkohshëm për argëtim pas pune!… Po kështu është kur flet njeriu për diçka që s’e di dhe s’e kupton, në vend se të flasë për ato që di dhe kupton! Përqafime”.

Nuk di në ia ka kthyer përqafimin qytetari, por di atë thënien e moçme: “Kush të lyen, kush të lan, kush avazin ty ta mban, të bën varrnë dhe të qan…”. Prandaj për interesin publik sqaroj sa vijon:

E para: ato që përgjatë “Njëzetvjetëshit” fashist u quajtën në gjuhën popullore “dopolavoro”, shqip “paspunë”, ishin në fakt institucione përbërëse të së quajturës “Opera Nazionale del Dopolavoro” (OND). Ajo kishte për detyrë të kujdesej për kohën e lirë të “njerëzve të punës” nëpërmjet sportit, ekskursionizmit, turizmit, edukimit artistik dhe kulturor, por edhe asistencës sociale, sanitare, higjienike, si edhe aftësimit profesional. OND ishte organizuar si një rrjet asociativ në varësi të drejtpërdrejtë të kreut të qeverisë, d.m.th. në Itali të Mussolinit, në Shqipëri të kryeministrit përkatës nën fashizëm. Pra e organizuar në mënyrë shumë më serioze se institucionet përgjegjëse sot nën autoritetin e ministreshave kryesisht të padijshme të Kryeshërbëtorit.

Kjo do të thotë që të quajturat “dopolavoro” nuk paskëshin qenë as dylberhane, sikundër e kam thënë një intervistë, as “scopatoio”, sikurse quajti një herë në mllef e sipër i madhi D’Annunzio deri teatrin Alla Scala të Milanos. Edhe një mendje e zakonshme e kupton se ata që orvaten të përdorin sot konceptin “dopolavoro”, duke e veshur me një tis qejfllëku, zbulojnë vetëm çfarë zien në fantazinë e tyre. Nuk besoj ende të jenë fantazitë e Kryeshërbëtorit, janë të bishtrave të tij, por të atilla fantazive u gjendet dermani gjetiu, jo në “dopolavoro”.

E dyta: kompleksi këtu në diskutim as ka qenë konceptuar, as ka qenë ndërtuar si “paspunë”, it. “dopolavoro”. Monumenti në fjalë, i konceptuar, projektuar dhe realizuar në kryen e herës si Rrethi italo-shqiptar “SKANDERBEG”, ishte nismë e qeverisë shqiptare nën mbretin Zog. Për organizmin e tij, të “komitetit konsultativ” të tij, të statutit të tij, si dhe për ndërtimin e kompleksit ku ai do të vendosej shkruhet në aktet dokumentare të shtetit shqiptar qysh në vitin 1938, ndërsa themelimi zyrtar i Rrethit italo-shqiptar “SKANDERBEG” del i regjistruar në datën 5 janar 1939. Ushtria italiane nuk kishte ardhur ende dhe nuk kishte se ç’të ndërtonte për t’u argëtuar “paspune”.

Në Shqipërinë e aneksuar në të njëjtën “perandori” me Italinë fashiste, autoritetet italiane e respektuan vullnetin e shtetit shqiptar për Rrethin në fjalë. Përfundimin e ndërtimit të kompleksit shtypi shqiptar e ka njoftuar më 31 maj 1939 (“Rrethi “SKANDERBEG”. Ngrehinë e madhe kulturore, artistike dhe argëtimore” etj.), ndërsa përurimin e Rrethit më 8 gusht të po atij viti.

Më 1940, me financimet e miratuara nga Ministri i Punëve të Jashtme Galeazzo Ciano dhe me një dekretligj të 8 prillit, u themelua në Tiranë Fondacioni “SKANDERBEG” si Ent kombëtar për zhvillimin e mëtejshëm (l’incremento) të kulturës (D.lgt. Albania 8 apr. 1940, n. 114).

Tanimë ai përbëhej nga dy seksione autonome me funksione të ndryshme: Rrethi italo-shqiptar “SKANDERBEG”, me detyrë të promovonte marrëdhëniet kulturore dhe artistike italo-shqiptare me dekretet përkatëse (D.lgt. Albania 8 apr. 1940, n. 114, d.lgt. Albania 8 apr. 1940, n. 142, e d.lgt. Albania 30 ott. 1941, n. 304 etj.) dhe Instituti i Studimeve Shqiptare me detyrë zhvillimin dhe mbështetjen e dijeve Albanologjike, si dhe të Letrave dhe Arteve (D.lgt. Albania 8 apr. 1940, n. 114, d.lgt. Albania 8 apr. 1940, n. 141), i shndërruar më vonë në Institut Mbretëror të Studimeve Shqiptare (D.lgt. Albania 10 ago. 1942, n. 221).

Do të ishte nëpërkëmbje të papërgjegjshmish t’i konceptosh sot si “dopolavoro” strukturat që atë e përbënin. Jo vetëm atë krah që funksiononte si “Kinema-teatrin SAVOJA” e më vonë “Kosova”, të klasifikuar në kohën e tij si “i cilësisë së parë”. Por si mund të quash “dopolavoro” fondacionin që punonte aty nën motto-n “PRO CULTURA”? Të quash “dopolavoro” atë institucion që tanimë ka mbresuar historinë e Albanologjisë si “Instituti i Studimeve Shqiptare”, ku kontribuuan emra të shquar si Dhimitër Berati, Aleksandër Drenova (Asdreni), Karl Gurakuqi, Anton Harapi, Et’hem Haxhiademi, Kolë Kamsi, Sotir Kolea, Xhevat Korça, Nikollë Lako, Bernardin Palaj, Lasgush Poradeci, Odhise Paskali, Vincenc Prennushi, Ilo-Mitkë Qafëzezi, Namik Resuli, Justin Rrota, Eqrem Vlora, Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj.? “Dopolavoro” ta quash atë ngrehinë ku ai institucion i parë shtetëror albanologjik pati zyrat, bibliotekat dhe sallat e mbledhjeve, si dhe ku më 9 më 13 prill 1940 u mblodh “Ma i pari Kuvend i Studimevet Shqiptare”? “Dopolavoro” ta quash Institutin e Studimeve Shqiptare, të drejtuar aty nga At Anton Harapi, ku u përpunua edhe ajo platformë e re veprimtarie e njohur dhe e botuar si “Programi i ‘Seksionit Kosova’ (1944)”? Etj.

E treta: për një fat të keq të Kryeshërbëtorit, nëse pati në Tiranë, në ndërkohën e fashizmit, një “dopolavoro”, ajo ndodhej disa pak qindra metra më përtej Rrethit italo-shqiptar “SKANDERBEG”, pikërisht aty ku Kryeshërbëtori nuk do ta kishte dashur: ishte ndërtesa në të cilën funksionon sot Akademia e Arteve ose Universiteti i Arteve. A mundemi ne ta aktualizojmë sot emërtesën e dikurshme fashiste të ndërtesës në fjalë që të përligjnim prishjen e saj? Me një aktualizim si ky do t’i binte që vetë z. Kryeshërbëtor të ketë shërbyer në “dopolavoro”, duke dhënë mësim si pedagog në “dopolavoro”, si edhe të këtë kryer studimet në “dopolavoro” dhe të jetë diplomuar pikërisht në “dopolavoro”. Për të mos kujtuar që edhe ati i tij ta paskësh shkrirë mësimdhënien e jetës në po atë “dopolavoro”. Etj.

E katërta: aktualizime të tilla manipulative paralajmërojnë edhe më zi, paralajmërojnë kazmën kundër mbarë bërthamës arkitekturore dhe urbanistike të kryeqytetit të Shqipërisë, të konceptuar dhe projektuar nga emra të mëdhenj të arkitekturës italiane: Bosio, Berte’, Morpurgo, Brasini, Di Fausto etj. A t’ia vëmë kazmën ndërtesës së Universitetit të Tiranës ngaqë ajo ka qenë “La Casa del Fascio”? A t’ia vëmë kazmën, po në atë shesh, dy ndërtesave të Rektoratit dhe të Akademisë së Studimeve Albanologjike sepse aty paskësh qenë “Gioventù del Littorio Albanese”? Apo edhe ndërtesës ku sot funksionojnë strukturat e Kuvendit të Shqipërisë ngaqë ishte një herë e një kohë “Istituto Nazionale Fascista per l’Assicurazione degli Infortuni sul Lavoro”, madje më vonë edhe pak “Komitet Qendror” i PPSH? Dhe, më në fund, përse mos të ngrihet një kazmë e mirë mbi vetë kryet e Kryeshërbëtorit në ndërtesën ku ai mban qeverinë: sepse dikur ajo ndërtesë ka qenë “Palazzo del Lugotenenza”?

Pata paralajmëruar, këtu e një mot të shkruar, që kazma e ngritur kundër kujtesës historike të kthehet kundër vetes.

Burimi: Panorama