Opinione

Kuajt e Trojës e të Sorosit në PD dhe PS - Nga Xhevat Mustafa

27 vjet më parë, më 5 gusht 1992, në gazetën “Rilindja Demokratike” kam botuar shkrimin “Kuajt e Trojës në revansh kundër Demokracisë”. Ky shkrim gjendet edhe në përmbledhjen me analiza, komente dhe opinione gjatë periudhës 1990-2006, me titullin “Duke kërkuar Evropën” (2012) dhe mund të konsultohet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Për kursim vendi, kohe dhe lodhje të syve nga lexuesit, kam shkëputur një fragment nga ky shkrim.

“Sipas një skenari të mjeshtrave të vjetër për kësi punësh ata (“kuajt e Trojës”) u instruktuan mirë për të gjithë platformën e tyre teorike dhe praktike. Në ditët e para të dhjetorit 1990 duhej të shkonin në Sheshin “Demokracia” të ngjiteshin në tribunë e të mbanin fjalime “bombë e flamur” kundër komunizmit, duke mos lënë gjë pa thënë kundër Enver Hoxhës së vdekur, por edhe kundër profesorit të tyre Ramiz Alisë. Dhe ata u ngjirën, duke i sharë e mallkuar, duke lëshuar “shigjeta” e “rrufera”. Profesori i dëgjonte dhe i përcillte me buzëqeshjen e tij të akullt dhe enigmatike, i përgëzonte me vete, apo me mesazhe sekrete “Ju lumtë, vazhdoni se e keni nisur mirë. Jepini edhe më shumë se nuk na mbetet qejfi”. Duke mos u ngopur me tribunat, shfrytëzuan edhe faqet e gazetave për t’u trumbetuar dhe shitur si disidentë të hershëm e të thekur, si të martirizuar nga diktatura, si të përvëluar për demokraci.Nga ana e saj “ZP” gjithnjë sipas këtij skenari, lëshonte “rrufetë” e saj kundër këtyre demokratëve të mëdhenj. Kur ishin në ballë të demonstruesve në fytyrat e tyre nuk binte çuditërisht asnjë shkop gome, ndërsa mbi trupat e bijve dhe bijave të thjeshtë të popullit hapeshin plagë të rënda...Me këtë “pasaportë” disa prej tyre fituan të drejtën për t’u vetëquajtur udhëheqës të lëvizjes demokratike, për t’u ngjitur edhe në udhëheqjen e PD. Pasi ia arritën objektivit të parë detyra e tyre e mëtejshme apo objektivi i dytë, ishte lufta nga brenda për të marrë plotësisht në duart e tyre drejtimin e PD... Prandaj është bërë detyrë e ngutshme imperative hapja e dosjeve të politikanëve dhe qeveritarëve. Po kaq imperative për forcimin e vazhdueshëm të PD dhe të demokracisë është edhe spastrimi nga radhët e saj i të gjithë atyre që hynë në arenën e luftës për demokraci me urdhra apo porosi, me ambicie të propaganduar dhe amorale për përfitime personale apo familjare, me synimin apo detyrën për të diskredituar apo minuar nga brenda demokracinë.”

27 vjet më vonë se unë, gjatë intervistës në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, më 8 korrik 2019, nënkryetari aktual i PD-së, Edi Paloka lëshoi disa akuza të rënda ndaj disa ish-eksponentëve të Partisë Demokratike, duke deklaruar se disa prej tyre kanë bashkëpunuar me “rivalin” Edi Rama “për të pasur përfitime personale”. Domethënë apo shqip e troç fare, se kanë qenë për shumë vjet në barkun e “Kalit të Trojës” apo “në tufën” e sorosianëve brenda dy godinave të selisë qendrore të PD-së. Për atë kohë nuk kisha informacionin dhe bindjen e sotme identifikuese për tufat me “kuaj dhe pela Troje” apo “kukulla të Xhorxh Sorosit”, që ishin futur dhe do të futeshin më pas, në kuadrin e “reformimit dhe ripërtëritjes” së PD-së, proçes i ideuar, udhëhequr dhe kontrolluar personalisht nga Sali Berisha.

Është domethënës fakti se Berishës i kanë dalë të tillë edhe nënkryetarët e vet, Arben Imami, Bamir Topi, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode, njera nga më të përkëdhelurat prej tij me poste të larta partiake dhe qeverisëse, Majlinda Bregu si dhe plot ish anëtarë në kryesinë e PD-së dhe në ekipet e saj qeverisëse... Për ndonjerin apo ndonjerën, Berisha mund të justifikohet me pendesë se ka gabuar në vlerësimin dhe përzgjedhjen e tyre dhe të shprehë keqardhje se për hirë të këtyre ka “djegur” kandidatura demokratësh të vërtetë e të pablershëm nga kundërshtarët politikë, më të aftë, më të ndershëm e më të frytshëm. Por, duke pasur parasysh se përgjithësisht “në jetë njeriu gabon një herë dhe prej tij nxjerr mësime”, nuk mund të besohet dhe pranohet se ai mund të justifikohet për gabime njerëzore me të gjithë.

Është vështirë e besueshme, e kapërdijshme dhe e pranueshme se të gjithë ia kishin dhe bënë me të pabesë, kur është bindje masive se Berisha ishte në dijeni edhe të një mize, mushkonje, zhapiku..., që futej nëpër kabinetet e tij, nëpër zyra dhe ambiente të tjera të PD-së, Presidencës, Kryeministrisë, ministrive... Natyrshëm shumëkujt i jepen arësye dhe të drejtë të mendojë edhe se mos vallë, me apo pa dashje, me rekomandim apo afeksion personal, ua lehtësoi rrugën dhe misionin me symbylljen dhe gojëkyçjen për shumë vite, duke i vënë dhe lënë në detyra të rëndësishme partiake dhe qeverisëse, deri sa i lanë në derë PD-së plot “kopilë” korrupsioni, paaftësie, papërgjegjshmërie, shpërdorimesh, sa mes shqiptarëve të bëhet bindje masive se “të dy palët janë njësoj”? Apo, deri sa e sollën PD-në në këto 6 vite e në këto ditë, kur nuk duket as tamam gjallë dhe as tamam e kallur nën dhe; as tamam PD dhe as tamam opozitë, me të gjitha atributet, pushtetet, autoritetet dhe respektet e një opozite shpresëdhënënëse dhe perspektivëhapëse, qeveri-rrëzuese dhe qeverindërtuese?

Por, në gjendje të tillë është edhe PS-ja, e cila, e marrë peng apo e tjetërsuar nga “Rilindja”, mbushur dhe nëpërkëmbur nga “kuaj dhe pela Sorosi”, mund të cilësohet edhe ish-PS. Si rrjedhojë, i gjithë vendi, sidomos në dy vitet e parë të mandatit të dytë qeverisës të “Rilindjes”, është në gjendje kolapsi ligjor, institucional, shtetëror. Kjo shprehet në atë se sot de facto jemi pa parlament, pa qeverisje legjitime, sidomos në nivelin lokal, pa pluralizëm, pa demokraci, pa opozitë, pa president, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa KQZ, që të përfaqësojë raportin e forcave në parlament... Shkurt e shqip, falë këtyrë 6 viteve të qeverisjes nga “Rilindja”, jemi shtet pa... shtet.

Është e natyrshme që faturat e këtyre mangësive të shumta të bien si gur nga qielli mbi kokën e shumicës së qytetarëve të thjeshtë të të gjitha ngjyrave dhe bindjeve politike, të paparti apo “të pavarur”. Për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomiko-shoqëror, të pagave dhe pensioneve, të mirëqenies, etj., Shqipëria 2019, ashtu siç ka qenë, edhe më 28 nëntor 1912, më 7 prill 1939, më 29 nëntor 1944, më 22 mars 1992..., pas 75 vjet qeverisjeje apo “pengmarrjeje” nga “e majta”, llogaritet e fundit në Evropë. Por, mund të “mburremi” se jemi ndër vendet e para në Evropë për emigracion masiv, për kultivim dhe trafikim kanabisi dhe drogërash të tjera; për korrupsion, kriminalitet, informalitet; për pasjen e ekipeve politiko-qeverisëse, juridike..., ndër më të pasurat; për vetëbllokim të proçesit të integrimit të vendit në BE...

Në të kundërt me shumicën e qytetarëve, “kuajt dhe pelat e Trojës dhe të Sorosit” janë multimiliarderizuar në lekë dhe multimilionizuar në euro, sheikizuar, plotpushtetizuar dhe “tërbuar” nga të gjitha këto përfitime dhe pushtete, siguruar jo me para djerse dhe gjaku nga vetvetja, por të shumicës së qytetarëve, duke shitur fare lirë tek ortakë dhe oligarkë shqiptarë e të huaj pasuritë e mëdha nën dhe mbitokësore të vendit me tendera, koncesione, PPP, me erë korrupsioni që arrin deri në Uashington, por që “çuditërisht” nuk e ndien Mathew Palmer sa herë ndodhet në Tiranë.

Në këto kushte të ferrshme dhe me perspektivë edhe më të errët, nuk është as e drejtë dhe as demokratike që, për hir të mos acarimit të situatës së përgjithshme dhe ruajtjes së statuquo-së politike, ekonomiko-sociale në rajon dhe në vend, opozitës “anemike” të këtyre muajve t'i mohohet dhe keqintepretohet e drejta për protesta paqësore, duke e trembur me gogolin e akteve të kufizuara të dhunshme. Këto kanë qenë të pranishme në çaste “tërbimi” të turmave në protesta në të katër anët e botës dhe i kemi parë edhe në Tiranë, kur PS ishte në opozitë, më 21 janar 2011...

Në fund të fundit, keqqeverisja, arroganca dhe mungesa e dëshirës për reflektim dhe kthesë të sinqertë e të thellë nga ekipi Rama apo “Soros”; “tërbimi” i tij prej pushteteve të shumta e të pakontrollueshme nga lart e nga poshtë; rrëshqitja e pandalshme dhe e përshpejtuar e vendit drejt krizës ekonomiko-sociale; lulëzimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar; vrasja e shpresës dhe besimit për ditë shumë më të mira në një të ardhme të shpejtë, kërkojnë një reagim shumë më të fuqishëm dhe të vazhdueshëm demokratik nga PD-ja dhe nga shoqëria civile.

Ky vend e ky popull ka nevojë urgjente për protesta masive qytetare, nga opozitarë, të pavarur e të shoqërisë civile si dhe nga vetë socialistët idealistë e të vërtetë, edhe me motive e kërkesa të mirëfillta ekonomike e sociale, sepse shumica e qytetarëve janë njëlloj viktima të qeverisjes amatoreske, të papërgjgjeshme dhe dështake të Edi Ramës me shokë e shoqe. Po kështu, është në të mirë të vendit dhe të brezave të rinj të sotëm e të ardhshëm që këto protesta për qeverisje krejt ndryshe, shumë më të mirë, shumë më të ndershme dhe transparente, shumë të frytshme e të ndjeshme, të mos frymëzohen dhe kenë si objektiva të fshehta përmbushjen e ambicieve dhe të synimeve për riciklim apo rikthim sa më të shpejtë në pushtet të disa liderëve apo figurave politike dhe qeverisëse, që janë vetëdjegur me kohë. Si të tillë, këta i shërbejnë më shumë partisë së tyre, vendit dhe qytetarëve, duke pranuar vullnetarisht pensionimin politik, disa qoftë edhe shumë të parakohshëm dhe duke i hapur kështu rrugë edhe figurave me të vërtetë të reja, pa asnjë lidhje as me “Trojën”, as me “Katovicën”, as me Sorosin, as me Titon, Milosheviçin, Vuçiçin...

Për fatin tonë të mirë, kjo është dëshirë dhe kërkesë e hershme dhe shumë herë e përsëritur edhe e miqve tanë të sinqertë ndërkombëtarë, sidomos e SHBA-së dhe e BE-së, e Gjermanisë së Angela Merkelit, për partitë dhe klasat politike dhe qeverisëse në Shqipëri, Kosovë, të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Në mbyllje, dëshiroj të them me sinqeritetin më të madh se duke iu referuar këtij shkrimi të botuar 27 vjet më parë nuk e çoj aspak ndërmend të ndiej kënaqësi e të mburrem për “profeci” se kam paralajmëruar para 28 apo 27 vjetësh për një të keqe të madhe, që i kanosej PD-së dhe të gjithë vendit. Po kështu, nuk më nxit aspak për mburrje se mund të futem ndër të parët që kam kuptuar dhe paralajmëruar të keqen tjetër të madhe për gjithë vendin, fondacionin Soros. Në fund të fundit, si qytetar dhe si shqiptar, jam një nga “ushtria e qytetarëve”, viktima të kopeve të “Kuajve dhe pelave të Trojës, “Katovicës”, të Serbisë, të Sorosit...”