Opinione

Zhgënjim në Ditën Botërore të Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit

Nga: Klodi Stralla

Vite më parë, në bisedë me babain për Shqipërinë e viteve të para të pasluftës, që historiografia jonë parapëlqen ta quajë “pas çlirimit”, më thoshte shpesh që intelektualët e asaj kohe, me kulturë perëndimore, nuk besonin se Perëndimi demokratik do t’i linte gjatë në pushtet komunistët, që e uzurpuan atë me dhunë në fund-nëntorin e 1944-ës dhe e legalizuan me zgjedhjet farsë, të manipuluara, të 2 dhjetorit 1945. Koha tregoi se ata u gabuan në parashikimet e tyre.
Fatkeqësisht, përsëri ne, bijtë e tyre, po bëjmë të njëjtin gabim si ata, duke i parë Perëndimorët (ndërkombëtarët) si shpëtimtarët tanë, ndërkohë që ata gjithmonë kanë parë interesat e tyre, duke mbajtur anën e “xhelatit” dhe jo atë të “viktimës”.

Gabimi i prindërve tanë vinte nga fakti se ata e shihnin Botën me “syze” morale, ku qeveritë dhe politikanët e çdo vendi përpiqen që të shtojnë mirëqënien dhe sigurinë e popujve të tyre, të garantojnë liri sa më të gjera për ta, të përhapnin diturinë dhe drejtësinë për të gjithë - pra, me një fjalë, të mbështesnin e përhapnin “të mirën”, duke luftuar vazhdimisht “të keqen”. 
Por ja që bota, mesa duket, nuk funksionon kështu: Interesi, që e quajnë pragmatizëm; hipokrizia, që e quajnë diplomaci, vjedhja, që e quajnë korrupsion, janë në themel të botës reale dhe morali, solidariteti, transparenca dhe ndershmëria gjenden vetëm në tekstet mësimore të shkollave.

Vazhdojmë të besojmë se, në dhjetorin e ’90-ës, në Shqipëri u vendos pluralizmi, pra një sistem politik shumëpartiak, ku grupet e ndryshme sociale të përfaqësoheshin proporcionalisht dhe të konkuronin ndershmërisht për ta udhëhequr vendin me alternativa të ndryshme. Gabojmë, nuk është kështu; Me bekimin e ndërkombëtareve, Partia e Punës u klonua në disa kopje që mendojnë dhe veprojnë njëlloj, me të njëjtat mendësi e praktika të partisë mëmë–si Parti-Shtet.

Vazhdojmë të besojmë se, në dhjetorin e ’90-ës, në Shqipëri u vendos prona private, pra një sistem ku pasuria të trashëgohej apo fitohej sipas regullave mijëvjeçare të Kodit Civil, ku pronari të mbrohej nga shteti dhe të taksohej ndershmërisht. Por përsëri gabojmë, nuk është kështu ; 
Me bekimin e Ndërkombëtarëve, pronarët e vërtetë, ata që u grabitën mizorisht nga komunistët e 44-ës, u rigrabitën përsëri nga bijtë e tyre shpirtërorë të pas ’90-ës dhe e gjithë pasuria kombëtare, e vënë me mund dhe djersë prej të gjithëve, ra përsëri në duart e tyre. Informaliteti dhe arbitrariteti i qëllimtë mbretëron ngado : në administratën shtetrore, në biznes, në media, në sport, në shkolla e spitale, në shoqërinë civile, ngado! Askund nuk ka konkurencë reale, me rregulla loje, që është edhe thelbi i një shoqërie kapitaliste. Ka vetëm interes material afatshkurtër dhe nepotizëm klanor!

Vazhdojmë të besojmë se, pas dhjetorit të ’90-ës, Shteti shqiptar do të ish i të gjithë shqiptarëve, jo si dikur, “Ne” dhe “Ata”, ‘të mirët’ dhe ‘të këqinjtë”. Por përsëri gabuam. 
Kudo në administratën publike, në drejtësi, në udhëheqje të politikës, bile edhe në të ashtuquajturat “shoqëri civile” janë kudo ata - shushunjat, që vetëm konsumojnë me babëzi pasuritë kombëtare dhe punën e djersën e të tjerëve, duke e ngritur demagogjinë në rangun më të lartë (model më përfaqësues se lali Eri nuk mund të gjesh). Pinjollë identike të sojit të tyre!

Mendonim se, pas dhjetorit ’90-të për Shqipërinë, pas qershorit ‘98 për Kosovën apo pas majit 2001 për Maqedoninë, çështja e bashkimit kombëtar do të hynte në rrugën e zgjidhjes. Por përsëri gabuam. 
Elitat politike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, të sponsorizuara dhe mbështetura nga Perëndimorët, rezultuan kozmopolite, mediokre, të korruptuara dhe të kriminalizuara; shitën interesat kombëtare për përfitime vetjake (tani do të aderojnë edhe në Jugosllavinë e re), duke detyruar mijëra të rinj të talentuar e të shkolluar në Perëndim, të braktisin vendin për të mos u kthyer me kurrë. Eksod biblik, që vazhdon me ritme të frikshme edhe sot (tani po kujtohen francezët të dërgojnë policët e tyre të ruajnë kufijtë e Kryeministrit që disa kohë më parë e shpallën “Chevalier de Legion d’honner” (Kalorës i Legjionit të Nderit). Shtoi kësaj edhe kanabizimin e gjithë vendit (në bashkëpunim me ndërkombëtarët) dhe tabloja bëhet më e qartë dhe e ardhmja më e zymtë.

Zgjedhjet e 25 qershorit, shoqëruar edhe me “zgjedhjet” për kryetarin e “Opozitës”, por sidomos Samiti i Triestes i 12 korrikut 2017 dhe vizita në Malin e Zi e zv. Presidentit amerikan Pence, për mua, i vunë kapakun çdo iluzioni se ky vend mund të bëhet një shtet normal, me mirëqenie të pranueshme, me dije të shëndosha dhe me drejtësi për të gjithë, shtëpia e përbashkët e gjithë shqiptarëve, se paku ne 30 vitet që do të vijnë. 
Mjafton të shohësh turin që ka ndërmarrë KM ynë, në stilin enverist “gju më gju me popullin”, “ç’don populli bën partia dhe ç’thotë partia bën populli”, në vend të ulet me specialistët për të hartuar plane strategjikë afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit, më bëjnë të besoj se enverizmi na është ulur këmbëkryq dhe ky vend do të vazhdojë, si më parë, të mbetet herë një “Kavie eksperimentale” dhe herë një “Monedhë shkëmbimi” për ATA (Elitat kozmopolite), në lojën e tyre të interesave ballkanike (mesa duket ky ka qënë edhe qëllimi i tyre kur e krijuan këtë shtet një shekull më parë) dhe ne do të vazhdojmë të ushqejmë iluzione të kota se ata mendojnë seriozisht për ne dhe për të mirën tonë.

Dikush mund të më thotë se, kur nuk jemi vetë në gjendje ta ndryshojmë situatën, qoftë se nuk duam, qoftë se nuk dimë ose qoftë se nuk guxojmë të sakrifikojmë për të mirën e përbashkët, kjo do të thotë se këtë gjendje e meritojmë. Ju jap plotësisht të drejtë dhe u kërkoj ndjesë për optimizmin tim, shpesh të pabazuar, që e kam reflektuar në mjaft prej shkrimeve të mia të mëparshme, por ajo që sugjeroj modestisht është të heqim dorë nga adhurimi dhe servilizmi ndaj të huajve, sepse nën “diellin”, “shiun” dhe “plehun” e tyre rriten e lulëzojne këta “trimat” tanë.
Këtë tashmë e kam bindje.

*Shkruar më 23 gusht 2017

Piktura, që shoqëron këtë shkrim, është e piktorit të famshëm spanjoll Francisco Goya (1746-1828), e titulluar “EL MUNDO” (Bota)