Opinione

Konstatimi i të Keqes nuk mjafton për të shpëtuar prej saj - Nga Klodi Stralla

Në pritje të shtatorit, të protestave dhe denoncimeve

Në portale, por edhe në Facebook, ka me qindra analiza, statuse e komente që e konstatojnë të Keqen në detaje dhe me shumë vërtetësi. Natyrisht, çdo gjë para se ta luftosh duhet ta njohësh dhe nga ky regull nuk bën përjashtim as e Keqja, në çdo fushë që shfaqet. Por kjo nuk mjafton për të shpëtuar prej saj, nëse nuk rekomandojmë rrugët dhe mjetet e luftimit.

Për të qenë më konkret, po i referohem qeverisjes gjashtëvjeçare të Rilindjes që, per mua, i ka bërë shumë dëme vendit, sidomos shtet-ndërtimit, dëme që do të duan vite të riparohen. Votimet e 30 qershorit treguan se mbështetja popullore për Rilindjen ishte më e ulta në historinë e saj, por kjo nuk do të thotë a priori që populli ka besim tek pala tjetër, Opozita.

Si regull, në demokraci, rotacionet realizohen përmes zgjedhjeve periodike, por kur partitë në pushtet sillen si regjime, si Parti-Shtet, sikundër ka ndodhur tek ne në vite, është vështirë që rotacionet të realizohen përmes votës, paqësisht dhe pa konflikte. Ky është shkaku që Shqipëria ende nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të pranuara nga palët.

Nëse opozita aktuale do të gëzonte mbështetjen e shumicës të shqiptarëve nuk kish arsye për t’u bishtnuar zgjedhjeve dhe as të dilte në rrugë, por do të hynte në zgjedhje dhe do t’i fitonte ato, me gjithë avantazhet që ka pala tjetër nga të qënit në pushtet, si blerja e votave apo bashkëpunimi me krimin. Me sa duket opozita nuk është e sigurt për këtë. Me shumë xhaketa të vjetra në rradhët e saj dhe me të rinj jo bindës, të katapultuar prej kryetarit, e ndjen se, ndonëse Rama nuk pëlqehet nga shumica, nuk pëlqehet masivisht as ajo. Dalja në rrugë do të thotë dalje nga sistemi, përplasje me kundërshtarin dhe këtë lloj zanati po qe se nuk di ta bësh si duhet, më mirë mos bëj sikur po e bën, se bëhesh qesharak.

Për mua, nëse PD pretendon realisht ta luftojë të Keqen, duhet së pari ta fillojë nga vetja për t’u bërë e besueshme nga shumica e shqiptarëve. Kjo mund të fillojë me dorëheqjen e Bashës dhe çeljen e garës së ndershme brenda partisë, në të gjitha nivelet drejtuese, duke hequr dorë përfundimisht nga katapultimet klienteliste të kryetarit. Së dyti, të përpunojë një draft-platformë negociuese me kundërshtarin (PS), por edhe me të gjithë faktorët socialë të vendit, për një Kushtetutë të re, ku të hiqet dorë nga mendësia dhe praktika e Partisë-Shtet (mbushja e institucioneve me militantë partiakë), nga listat e mbyllura të kryetarëve (të kalohet në sistemin mazhoritar), të delegojhet në popull vendimarrja me interes të madh kombëtar (referendume). Së treti, të mos bëjë asnjë koalicion parazgjedhor me parti dhe lidera fantazmë e të korruptuar, që i janë bashkëngjitur asaj ndër vite dhe ia kanë nxirrë faqen.

Nëse rifiton besueshmërinë e shumicës të shqiptareve (kjo nuk është aq e lehtë), manipulimet qeveritare janë vetëm disa guralecë pengues në rrugen e saj drejt qeverisjes më të mire të vendit.