Opinione

Përse Rusia e la Greqinë jashtë rrugës së gazsjellësit ‘Turkish Stream’ - Nga Shaban Murati

Pasi shpresoi pesë vjet me rradhë se do të ishte pjesë e gazsjellësit “Turkish stream”, Greqia e pa befas veten të lënë nga Rusia jashtë këtij gazsjellësi, që do të furnizojë Europën nëpërmjet Ballkanit me gaz rus. Athina mbeti e shokuar kur ministri rus i Energjisë, Aleksandër Novak, njoftoi në 26 korrik nga Antalia e Turqisë se Moska ka vendosur që stacioni i parë u gazsjellësit “Turkish stream”, që do të transmetojë gazin rus nga Turqia për në Europë, do të jetë Bullgaria.

Greqia pëson kështu një grusht të rëndë në ambicien e saj të madhe për të qenë qendra kryesore shpërndarëse e gazit botëror, duke synuar që të kalojnë në territorin e saj edhe gazi rus, edhe gazi azerbajxhanas, edhe gazi izraelit. “Njoftimi i ri që Rusia ka zgjedhur Bullgarinë dhe jo Greqinë për degën e dytë të “Turkish stream” ka shkaktuar një lloj makthi”, - shkruante në 2 gusht portali “industryeurope.com”.

Athina që në vitin 2015 gjatë vizitës së kryeministrit Cipras në San Petërsbug kishte nënshkruar me Rusinë edhe Memorandumin e Mirëkuptimit për kalimin e gazsjellësit “Turkish stream” në territorin e Greqisë dhe që do të financohej nga kompanitë ruse. Në 7 dhjetor të vitit të kaluar kryeministri grek Cipras u takua në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin dhe një nga çeshtjet kryesore ishte kërkesa greke per kalimin e gazsjellësit nëpër Greqi.

Presidenti rus e cilësoi si realiste kërkesën greke, ndërsa ministri i jashtëm grek, Katrougalos, e bëri të mbaruar punën, duke deklaruar se Athina e kishte diskutuar çeshtjen edhe me Komisionin Europian. Kaq e sigurtë ndjehej Athina për kalimin e gazsjellësit “Turkish stream”, sa që kryeministri Aleksis Cipras deklaronte se Greqia nuk e pranon emrin gazsjellësit “Turkish stream”, dhe do t’i verë emër tjetër.

Moska deri në minutat e fundit nuk u prononcua kurrë se cili shtet ballkanik, Greqia apo Bullgaria, do të ishte rruga e gazsjellësit që do të çonte gazin rus në Europë nga Turqia. Tani që dy degët e “Turkish stream” të transmetimit të gazit nga Rusia në Turqi kanë përfunduar dhe kur sipas presidentit rus Putin në fund të vitit 2019 do të fillojë furnizimi i gazit nëpërmjet tij, Moska i hodhi ujin e ftohtë Athinës duke shpallur se gazsjellësi do të kalojë nga Turqia nëpër Bullgari.

Diplomacia dhe qeveria greke nuk kishin nxjerrë mësime nga taktika e njohur e diplomacisë energjitike ruse, që luan gjithmonë ndaj shteteve tranzituese me porta alternative hyrëse të gazsjellësve rusë dhe kurrë nuk e shpall që në fillim gjurmën e gazsjellësit. Mënjanimi i Greqisë nga gazsjellësi “Turkish stream” është rezultat i llogarive të gabuara të diplomacisë dhe të qeverisë greke, të cilat mendonin se duke bërë lojra të shumfishta energjitike dhe gjeopolitike do të mund të realizonin rolin aq shumë të ëndërruar të Greqisë si qendër e shpërndarjes së gazit të tre kontinenteve drejt Europës.

Vendimi i Moskës për ta mënjanuar Greqinë nga rruga e gazsjellësit “Turkish stream” buron nga rrethana dhe llogari të qarta gjeopolitike ruse, të cilat prevalojnë mbi interesat e ngushta ekonomike apo energjitike.

Arsyeja e parë e këtij vendimi duhet të jetë përfshirja e Greqisë në një intrigë të re gazsjellësish për të sjellë gazin izraelit në Europë nëpërmjet detit të Qipros dhe të Greqisë. Ky është projekti “East Med pipeline”, gazsjellësi i Mesdheut Lindor, të cilin Greqia e krijoi si një aleancë të re energjitike dhe gjeopolitike midis Greqisë, Qipros dhe Izraelit, me objektivin e lexueshëm të një poli trepalësh kundër Turqisë.

Në 20 mars të vitit 2019 në Tel Aviv u organizua samiti i tre shteteve të mësipërme, të cilat nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare për projektin e gazsjellësit të ri prej 2200 kilometrash nëpër det për të dërguar gazin izraelit në Ballkan e prej andej në Europë. Natyrisht krijimi i këtij trekëndëshi të ri energjitik dhe gjeopolitik nuk mund të shihej me sy të mirë në Moskë, e cila nuk mund të pranonte që Greqia të luante me dy porta, edhe me Rusinë, edhe me gazsjellësin rival nga Izraeli. Gazsjellësi i ri “East Med” është më shumë një projekt gjeopolitik, se sa energjitik, që pritet të sjellë komplikime situatash ndërkombëtare në Mesdheun Lindor dhe në Ballkan.

Presidenti i “ECP Cyprus Natural Hydrocarbons Compani”, Charles Illinas, i deklaroi portalit “neweurope.eu”: “East Med pipeline është një projekt politik, me pak shanse që të ndërtohet për arsye tregëtare”. Vlen për t’u theksuar se Italia, që është stacioni i parashikuar mbërritës i gazit izraelit të ardhur nga Greqia, ka dalë kundër projektit. Kryeministri italian Giuseppe Conte në 7 maj 2019 deklaroi se Italia do të kundërshtojë projektin “Poseidon”, që është sektori i fundit i “East Med”, nga Greqia në Itali, duke vënë në pikëpyetje gjithë projektin greko-qiprioto-izraelit.

Jo pa rëndësi është edhe fakti se sipas burimeve diplomatike Gjermania, Franca dhe Austria e kanë mbështetur gazsjellësin “Turkish stream”, pavarësisht se nga do të vendoste Rusia hyrjen e tij, nga Bullgaria apo nga Greqia.

Greqia hyri në këtë vektor të ri energjitik të Mesdheut Lindor me një strategji të lexueshme politike lokale dhe jo rastësisht të tre shtetet e trekëndëshit energjitik “East Med” karakterizohen nga marrëdhënie jo miqësore me Turqinë. Me një fjalë trekëndëshi “East Med” konturohet si një projekt gjeopolitik me emërues të përbashkët interesin trepalësh të rrethimit dhe të dobësimit energjitik dhe gjeopolitik të Turqisë.

Kjo koniukture e re energjitike dhe gjeopolitike nuk është rrethanë e favorshme për pozitën energjitike dhe gjeopolitike të Rusisë, për të cilën “East Med” çfaqet jo vetëm si rival energjitik, por edhe si faktor komplikues i pasigurive gjeopolitike në rajon. Interesi i Rusisë ishte realizimi i gazsjellësit “Turkish stream” dhe seriozitetin e angazhimit rus e tregoi fakti që Rusia i ndërtoi menjëherë të dy degët e këtij gazsjellësi, i cili do të nisë furnizimin në 1 janar të vitit të ardhshëm.

Përmbajtja antiturke e projektit “East Med” u konsiderua si pengesë artificiale nga strategjistët e Kremlinit, për të cilët roli dhe rëndësia energjitike dhe strategjike e Turqisë në politikën globale është shumë herë më e madhe se sa e Greqisë. Ndaj Moska vendosi ta privojë Greqinë nga pjesëmarrja në gazsjellësin “Turkish stream” dhe ta lerë të zhytet në projektin pa perspektivë “East Med”.

Arsyeja e dytë, që e shtyu Moskën të vendosë mënjanimin e Greqisë nga gazsjellësi “Turkish stream” ka të bëjë me zhvillimet në Ballkan në vitin 2018, ku pas arritjes nga Greqia të Marrëveshjes së Prespës për emrin me Maqedoninë e Veriut, iu hap rruga anëtarësimit të Shkupit në NATO. Dihet që Rusia ka qenë kundër Marrëveshjes së Prespës, sepse çonte në zgjerimin e NATO-s me një shtet të ri ballkanik, ndaj dhe punoi fort në Greqi dhe në Maqedoni për mobilizimin e forcave kundërshtare të Marrëveshjes së Prespës.

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO krijonte rrethanën e re, që gazsjellësi “Turkish stream” nga Greqia të kalonte nëpër territorin e një anëtari të ri të NATO-s. Kjo perspektivë nxiti qendrimin rus për të shmangur edhe Greqinë, edhe Maqedoninë e Veriut, nga rruga e kalimit të gazsjellësit “Turkish stream”.

Arsyeja e tretë janë acarimet kulmore në fushën e marrëdhënieve ndërortodokse dhe çarja e madhe historike midis Patriarkanës Ortodokse të Fanarit Grek të Stambollit dhe Kishës Ortodokse Ruse për shkak të dhënies së autoqefalisë Kishës Ortodokse të Ukrainës. Moska e klasifikoi këtë si goditje ndaj interesave të saj strategjike dhe gjeopolitike në një plan ndërkombëtar dhe e konsideroi Greqinë si bashkëpjesëmarrëse e “komplotit të madh Perëndimor” për dobësimin e Kishës ruse dhe të influencës së Rusisë në botë.

Projektimet dhe intrigat energjitike nuk mund dhe nuk duhet të ndahen nga interesat gjeopolitike të njerit apo tjetrit shtet me peshë në planin energjitik dhe kontinental. Këto janë lojra të mëdha, të cilat provojnë se kur shtete të vegjël si Greqia tentojnë ambicie përtej fuqisë reale, humbasin dhe rolin e tyre individual, pa arritur dot të bëhen faktor rajonal.

Burimi: DITA