Opinione

Një cikël i rrezikshëm ose thelbi gjeopolitik i krizës së re në Bosnjë - Nga Shaban Murati

Bosnjë-Hercegovina hyri në një cikël të ri krize të rrezikshme, pas dështimit më 20 gusht të Presidencës trietnike, që të arrinte formimin e qeverisë së re të shtetit të përbashkët, që ka dhjetë muaj pa qeveri, që nga zgjedhjet parlamentare të Tetorit të vitit të kaluar. Presidenca trepalëshe, e përbërë nga përfaqësuesit e tre popujve shtetformues të shtetit, u mblodh për të realizuar marrëveshjen e nënshkruar më 5 Gusht, nga tre forcat kryesore politike të tre popujve përbërës të shtetit, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së në Sarajevë, Lars Gunar Vigemark. Sipas marrëveshjes trepalëshe të 5 Gushtit, të tre palët kishin rënë dakord që deri në datën 5 shtator duhej të krijohej qeveria e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. BE dhe SHBA e përshëndetën marrëveshjen e 5 Gushtit, sepse ajo ngjalli një shpresë për një dinamikë të re të funksionimit të shtetit të përbashkët. Por mbledhja e Presidencës trepalëshe e datës 20 gusht për formimin e qeverisë, dështoi për shkak të bllokadës, që vendosi anëtari përfaqësues i serbëve, Milorad Dodik, ndaj Programit Kombëtar Vjetor të qeverisë së ardhshme.

Bllokada e përfaqësuesit të serbëve në Presidencën trepalëshe erdhi nga synimi i tij për të bllokuar aktivizimin e “Planit të Veprimit për Anëtarësim” të Bosnjë-Hercegovinës në Aleancën Atlantike. Ndërsa përfaqësuesit e boshnjakëve dhe të kroatëve në presidencën trepalëshe, u shprehën në favor të aktivizimit të “Planit të Veprimit për Anëtarësim” në NATO, MAP, përfaqësuesi i serbëve në këtë Presidencë refuzoi në mënyrë kategorike. Qeveria e re duhej të miratonte një paketë, në të cilën përfshihej Plani Kombëtar Vjetor i shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, gjë që ishte kërkuar nga mbledhja e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Dhjetor të vitit 2018, që Bosnjë-Hercegovina të aktivizonte “Planin e Veprimit për Anëtarësim” në NATO. Por anëtari serb i Presidencës trepalëshe e bllokoi, pikërisht se nuk do që “Plani i Veprimit për Anëtarësim” të aktivizohet dhe deklaroi se ai është kundër anëtarësimit të Bosnjë-Hercegovinës në NATO.

Bllokada e përfaqësuesit të serbëve në Presidencë është një shkelje flagrante e marrëveshjes trepalëshe të 5 Gushtit, të nënshkruar nga vetë Milorad Dodiku, me përfaqësuesit e popujve të tjerë të Bosnjës dhe ku në pikën e tretë të marrëveshjes thuhet konkretisht që “Angazhimi për të gjallëruar marrëdhëniet me NATO-n duhet të konfirmohet”. Pra Milorad Dodik refuzon të pranojë atë, që vetë e ka firmosur në datën 5 Gusht. E rëndësishme është të theksohet se Dodik po kundërshton një vijë dhe një qendrim zyrtar, të cilin vetë përfaqësuesit e serbëve në Presidencë dhe “Serpska Republika” e kanë përkrahur më parë. Udhëheqja e përbashkët trepalëshe e Bosnjë- Hercegovinës, përfshirë edhe përfaqësuesin serb, në qershor të vitit 2001, ka shprehur kërkesën që Bosnjë-Hercegovina t’i bashkohet NATO-s. Në Dhjetor të vitit 2006, Bosnjë-Hercegovina është bërë zyrtarisht anëtare e programit të NATO-s “Partneritet për Paqe”, PFP, program që përmban partneritetin me shtetet që aspirojnë për anëtarësim. Udhëheqja e përbashkët trepalëshe, përfshirë përfaqësuesin e serbëve në Presidencë, e përshëndetën këtë status prej shteti anëtar të “PFP”. Më interesant është se përfaqësuesi i serbëve të Bosnjës në Presidencën trepalëshe, Nebojsha Radmanoviç, që edhe kryesonte këtë Presidencë dhe që ishte edhe anëtar i të njëjtës parti me Milorad Dodikun në “Serpska Republika”, në vitin 2009 paraqiti aplikimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO, për të marrë “Planin e Veprimit për Anëtarësim”. Madje serbi Nebojsha Radmanoviç i deklaroi atëhere Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, lordit Robertson, se ai ishte i kënaqur nga suksesi i fqinjëve si Kroacia dhe Shqipëria në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe besonte që Bosnjë-Hercegovina të ndiqte të njëjtën rrugë.

Tani, në kundërshtim me dokumentet e përbashkëta zyrtare të marrëdhënieve midis Bosnjë-Hercegovinës dhe NATO-s, në kundërshtim me kërkesat zyrtare të udhëheqjes trepalëshe të shtetit për anëtarësim në programet integruese të NATO-s, në kundërshtim me përfaqësuesit e mëparshëm të vetë serbëve në Presidencën trepalëshe për avancimin e marrëdhënieve të Bosnjë-Hercegovinës me NATO-n, del anëtari i ri serb i Presidencës, Milorad Dodik, dhe bllokon aktivizimin e “Planit të Veprimit për Anëtarësim” në NATO dhe të avancimit të integrimit atlantik të shtetit.

Bllokada e tij krijon një situatë të re tensionesh dhe krize në vend, e cila mund të ketë pasoja të renda. Dodik kërcënoi dhe shantazhoi se nëse nuk krijohet qeveria e re me kushtet e tij deri në datën 5 shtator, pra që qeveria të heqë dorë nga aktivizimi i MAP, atëhere parlamenti i “Serpska Republikës” do të ndërmarrë hapat e daljes nga Marrëveshja mbi forcat e përbashkëta të armatosura të Bosnjë-Hercegovinës, e cila rregullon krijimin e një ushtrie unike të shtetit. Ai kërcënoi se “Serpska Republika” nuk do të njohë veprimtarinë e gjykatave, as të prokurorisë, as të Agjencisë Shtetërore të Zbulimit dhe as agjencitë e tjera të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Pra ai po luan hapur dhe në mënyrë sfiduese kartën e provokimit të një spiraleje të rrezikëshme krize, e cila mund të çojë në konflikt etnik, për shkak të prishjes separatiste të institucioneve të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Natyrisht kriza e re, e prodhuar nga bllokada e vojvodës së separatizmit dhe ultra-nacionalizmit serb Dodik, nuk është e rastësishme. Ajo ka nxitjen dhe mbështetjen e fortë të Rusisë dhe të Serbisë për shkallëzimin e rrugës destruktive dhe tensionsjellëse. Duket qartë se pikërisht për të lozur këtë rol, ai u zgjodh dhe u mbështet fort nga Moska në fushatën elektorale të Tetorit 2018, për t’u zgjedhur anëtar i Presidencës nga “Serpska Republika”. Ambasadori i Rusisë në Sarajevë, Pjotr Ivancov, e shprehu hapur mbështetjen e tij për qendrimin bllokues të Dodikut, duke deklaruar në 21 Gusht në botimin “Zëri serb”, se “Rusia ka shprehur vazhdimisht qendrimin negativ ndaj zgjerimit të NATO-s në Bosnjë-Hercegovinë. Tani ne vërejmë aktivizim të përpjekjeve për të tërhequr Bosnjë-Hercegovinën në NATO. Kjo është ndërhyrje në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës”. Rusia doli kundër deklaratës së përbashkët të ambasadorëve të vendeve të Komitetit drejtues të Këshillit të Zbatimit të Paqes në Bosnjë-Hercegovinë të 2 Shtatorit dhe nuk e nënshkroi deklaratën e përbashkët, e cila i bën thirrje palëve në Sarajevë të mos marrin veprime, që nënvleftësojnë, dobësojnë, ose pengojnë funksionimin e duhur të institucioneve shtetërore.

Rusia nuk e nënshkroi deklaratën e përbashkët, sepse asaj nuk i intereson funksionimi i institucioneve shtetërore dhe as i shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Nuk i intereson as zgjidhja e krizës aktuale politike, sepse asaj i duhet që tensionet në këtë shtet të vazhdojnë dhe që pastabiliteti të çojë në konflikte të vazhdueshme politike, etnike dhe fetare në atë shtet. Moska kërkon me çdo kusht që Bosnjë-Hercegovina të ndalohet të hyjë në NATO, pavarësisht se vetë Presidenca trepalëshe e këtij shteti ka aplikuar zyrtarisht dhe me vullnet të lirë për integrim atlantik. Këtë strategji ruse ka marrë përsipër ta zbatojë serbi rus Milorad Dodik. Moska ka krijuar marrëdhënie të posaçme me “Serpska Republikën” dhe me përfaqësuesin e ri të saj në Presidencën trepalëshe që të bllokojë rrugën e integrimit atlantik të shtetit nëpërmjet kërcënimit të prishjes së shtetit. Portali “intellinews.com” shkruante më 29 Gusht se “ka pasur raporte që në vitin 2018, Moska ka furnizuar fshehtas me armë dhe ka stërvitur ushtarakisht “Serpska Republikën” dhe analistët sugjerojnë që Putin mund të shpërthejë një konflikt në Bosnjë, që do t’i përshtatej interesave të tij”.

Hapja e një krize të re nëpërmjet bllokimit të aktivizimit të “Planit të Veprimit për Anëtarësim” në NATO dhe shantazhi i udhëheqësit serb për të ecur drejt shkëputjes faktike të “Serpska Republikës” janë parathënie e zhvillimeve të reja negative në shkallë vendi dhe rajoni dhe sinjalizojnë një përplasje të re gjeopolitike, midis Rusisë dhe Perëndimit në Ballkan. Siç theksoj në librin tim “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana”, (Tiranë, 2019): “Rusia, duke parë që Ballkani po i rrëshqet nga influenca, po nxiton të riorganizojë forcat dhe mundësitë që i kanë mbetur në shahun gjeopolitik ballkanik. I kanë mbetur dy ushtarë në fushë: Beogradi dhe Banja Luka, të cilët po i aktivizon jo për të fituar Ballkanin, por për të turbulluar lojën, rregullat dhe Ballkanin”. (fq.148). Është një lojë tradicionale e rrezikshme me zjarrin, ku strategjia ruse synon të djegë integrimin europian dhe atlantik të rajonit.

Burimi: DITA