Blog

Hipokrizi kryeministrore

Nga: Ndue Ukaj

Edi Rama dhe Hashim Thaçi, janë dy liderë që flasin pareshtur për nevojën e integrimit të Ballkanit në familjen europiane.

Me diskursin e tyre patetik, ata ua kalojnë çdo lideri në Europë.

Fjalimet e tyre janë plot parulla europiane dhe diskursi i tyre, nganjëherë shkon deri në kufij të adhurimit dhe dashurisë për kontinentin e kulturës, artit, ekonomisë dhe lirisë.

Por, të dy, shquhen për veprime jo europiane.

Të dy “dashurinë” e tyre për këtë organizate politike, që, thënë të vërtetën, po kalon nëpër sfida serioze, e shprehin me fjalët më të zgjedhura, por, të dy, që një kohë, janë vegla në duar të regjimit të Erdoganit dhe të zgjatimit të hegjemonisë së tij në Ballkan.

Të dy janë vegla të sulltanit të ri të Turqisë, që tanimë është bërë njëri nga armiqtë kryesorë të vlerave perëndimore. Të demokracisë dhe solidaritetit europian, prej të cilit shqiptarët kanë përfituar shumë. Lirinë dhe gjithçka tjetër.  

Dhe të dy, sa herë u duhet, për interesa të brendshme, e sulmojnë ashpër Bashkimin Europian, dhe, prej tij kërkojnë fleksibilitet, tolerancë, mirëkuptim...

Krejt kjo justifikohet, sepse të dy kanë nevojë për armiq të vazhdueshëm për të legjitimuar fuqinë e tyre.

Tash, neve jemi bërë popull, që, kur na thonë, fluturon gomari, si në kor bërtasim: fluturon.

Por, klithmat dhe gjëmat tona nuk do të ndalen, derisa nuk do të ndalemi dhe të themi me zë të lartë: jo, gomari nuk fluturon!

Mjaft më me mashtrime!

Tagged under Ndue Ukaj