Blog

Fluturo i lirë  ADEM DEMAÇI!

 Nga Donat Syla*

Ishin vitet kur televizori nuk zhurmonte shqip. Vitet kur punëtorët e TVP-së  nuk lejoheshin të  bënin punën e tyre. Tek tuk, nëpër zona më të thella, dikush kishte fatin ta shikonte programin e TVSH-së. Këtë fat rrallë e kishim edhe në Prishtinë. Nuk e di pse, po zakonisht nderhyrjet e TVSH-së në frekuencën e RTB2 (kanali i dytë  i Beogradit) bëheshin gjatë fundjavës. Mbase, “nxënësit e xhaxhit Enver”, donin të  kapnin sa më  shume audiencë  në  Kosovë, e rrjedhimisht, rrisnin përpjekjet për te na sjellë Shqiperinë më afër të shtunave e të dielave.

Në  familjen time kishte festë në secilën ndërhyrje që bënte TVSH duke ia zënë sinjalin RTB2. Ndonjë herë, ky lloj “kidnapimi” frekuencor ndodhte për pak minuta, e programi që transmetohej nga TV e Shqipërisë të sapodalë nga monizmi, ishte një lloj konglomerati programor shumë i pashije. Sidoqoftë, për familjen tonë ishte një beteje e madhe e fituar në raport me ata që na kishin vënë çizmen në kokë. Gjithë kjo ndjesi e lirisë dhe e guximit identitar venitej e shuhej sapo mbyllje derën e shtëpisë e dilje në rrugë. Më ka rastisur dhjetra herë  si i mitur, të shihja policë të Serbisë, por edhe policë që vetëm me kërrbaç e kthenin përmbys tërë  pazarin e Ulpianës. I rrihnin, ua merrnin me krejt çka kishin shqiptarëve të gjorë. E jeta vazhdonte në huti e në heshtje.

Infuzionin e mbrojtjes së identitetit, shqiptarët e Kosovës e ushqenin nga ndonjë videokasetë e produksioneve private, që për atë kohë kanë bërë punë shumë  të guximshme. Mbaj mend një  seri “Një  pallto për babain tim në  burg...”. E di që ndër aktorët ka qenë edhe i ndjeri Shani Pallaska. Ishte film që pasqyronte në çfarë derexhe ishim katandisur, sesa të poshtëruar ishim, veç pse ishim shqiptarë . Por i gjithë rrëfimi përfundonte këtu, e jeta ose përçapja për të mbijetuar vazhdonte si te Sizifi...

Një prej atyre ditëve të aparteidit, në banesën tonë erdhi një shok i babait tim të ndjerë. Nuk e mbaj mend emrin e mysafirit. Ishte kohë e drekës. Pasi hëngrëm, babai po i thotë  mikut të  tij: nxirre atë  ta shohim! Shoku i babait lëvizi për tu afruar te pallto e tij, prej nga ku nxorri një videokasetë VHS. E unë  plot kureshtje doja të dija se çfarë  materiali ka ajo kasetë. Si “ekspert” i ndrrimit të  kabllove nga antena tek videoplayer-i, me sportivitet e përgatita kasetën për ta shikuar.

Ishte një emision në Beograd. Nuk e mbaj tani emrin e kanalit, por e di se nuk ishin televizionet shtetërore të Serbisë.

I ftuar në emision: Adem Demaçi! Une kisha dëgjuar shumë për bacën, por nuk është se dija edhe aq shum  për të atë kohë.

Në atë emision, ku pos moderatorit dhe gjithçkaje që frymonte urrejtje e ksenofobi, unë aty kuptova se ai ishte shqiptari tjetër, shqiptari që kishte guxim në Beograd të thotë të vërtetën për të drejtën e shqiptarëve si dhe për krimet gjatë historisë që ka bërë Serbia ndaj nesh.

Nga aty kuptova se historitë për Skenderbeun e Hasan Prishtinën e gjithë shqiptarët e mëdhenj nuk kanë qenë sajime, por vlera që  u sublimuan te një atdhetar e filantrop si Adem Demaçi, që edhe pse i regjur nga burgu për tri dekada, asnjëherë nuk u thye, por as nuk e ushqeu të keqen ndaj tjetrit. E deshi Kosoven, i deshi shqiptaret, farën që ia dha një mal mbi supe ta mbajë  gjatë  gjithë  jetës.

Fluturo i lirë ADEM DEMAÇI!

*Autori, me profesion gazetar, aktualisht është Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto.

Tagged under Adem Demaçi Donat Syla