Blog

Librashitësja e fund-shëtitores së Sarandës

Nga Mimoza Kuchly

Nuk ishte vendi më i dukshëm, në të vërtetë ishte në fundin e shëtitores, ku njerëzit zbrisnin e ngjisnin shkallët, pa ia hedhur sytë ose dhe e vëzhgonin rrëshqanthi. Moshën nuk ia përcaktova dot, diku 60 +, por nuk ka rëndësi se ky nuk është "profesion" për të rinjtë. Kur e pashë me valixhen, që për nga përmasat ishte më e dukshme se ajo vetë, më ndritën sytë. Ndalova hapat dhe duke e përshëndetur, fillova të rrëmoj në valixhe.

-"Po shyqyr që mbajti kamt(ë) një sarandiote se me than' t'drejtën nuk para kan kohë".

Shkodranët më kanë intriguar gjithmonë me të folmen e tyre. Filluam bisedën dhe më pyeti nëse isha ajo gruja mramë qi kisha tërhek fëmijën tuj zvarrit se donte me shiu ni libër. I them se jo, dhe më erdhi keq në të vërtetë se ajo po mbante në duar një libër për fëmijë, të cilin do kishte pas dëshirë me ia falë vogëlushit, veç për këmbënguljen e tij. Ndër të tjera, duke qenë se isha turiste në Sarandë më propozoi një autor vendali duke më thënë.

"Letërsia e një qyteti është si gatimet tradicionale të tij, e s'ka ma mirë me e njoftë." “Heshtja e Unit" e Pajtim Çaushit, ka me t'rrëmbye si dallgët e detit. Nuk e baj me e shit, por me t'dhanë nji farë orientimit me shiju nji penë që t'ka mungue".

U çua avash-avash, lëvizi librat dy nga tre dhe ma zgjati. Paralel m'u kujtua një librashitëse në një nga libraritë në Tirané, e cila jo vetëm që nuk kishte njohuri per autorët shqiptarë (veç Kadaresë dhe Petro Markos), por që edhe pse isha turiste, më drejtonte tek autorët e huaj shqipëruar kur shpesh mund t'i lexojmë edhe në origjinal në vendin ku jemi. Kontrata që të trishtojnë. Shkodranja e vocër, i njihte jo vetëm titujt, por edhe shijet e lexuesit gjë që u mungon librashitëseve sot.

"Si ajo kafshëza e zënë në kurth jam këtu në qerthullin tim. Mendohem. Mendimi më shpie disa vite më pas. Më ndalet në një ditë të një fillim muaji. E mallkoj kohën si të ishte një qënie e gjallë. Asaj nuk i bën përshtypje se nuk më dëgjon. Është pa sy, pa vesh, pa gojë. Veç brenda saj jemi ne, njerëzit. Ne i kemi të gjitha ato që kohës i mungojnë. Atëherë, përse e mallkoj atë? ". (P. Ç).

Ajo sot nuk do të dalë se shëndeti nuk ia lejonte, sikur ndonjë librashitës t'i gjente një copëz vend në librarinë e tij, lexuesit do të dinin të shijonin letërsinë.

Nuk më shqitet nga mendja "Shitësja e vogël e librave", titull i një shkrimi nga Jeta Toçila Dedja. Sikur çdo qytet t'u ofronte turistëve, veç kuzhinës dhe historikut të vet, edhe autorët që ia njohin skutat dhe emocionet e shpirtit. Turistë, shitësja ndodhet në fund të shëtitores aty ku fotot e detit tërheqin selfiet tuaja. MK