Blog

Kur zemra nis e flet!

Nga: AGIM XHAFKA

(Tregimi i së dielës) 

Olta kishte dy ditë që doli nga spitali. Qëndroi atje rreth një javë. Pati një rrëshqitje te shkallët e fasonerisë dhe humbi ndjenjat. Pasi bëri rezonancën, një seri analizash e grafish rezultoi pa dëm të madh. Për fat veç një njollë e zezë te bërryli i majtë. Kaq. U gëzua shumë dhe kur doli në ajër të pastër iu duk sikur nxorri kokën nga uji kur zhytej në det dhe mbante frymën sa më gjatë kur bënte gara në fillore. Te dera e priste Liri, burri i saj me dy fëmijët, Gretën 6 vjeçe dhe Erionin 4 vjeç. U përqafuan të katër dhe aq i kishte marë malli saqë nisën të rrotulloheshin aq shpejt si ata uraganët që shihen në dokumentarët shkencorë. 
Olta sa hyri në shtëpi kuptoi se e kishin pastruar që ajo të ndjehej sa më rehat. Do i kishte marrë Greta pluhurat, mendoi. U ulën në tavolinë dhe dreka e thjeshtë me thjerrza i shijoi si drekë “Rogneri”. 
Pas pak Liri tha se do ikte në punë. Në fakt ai ishte teknik ndërtimi, por mbasdite punonte si taksist se nuk ia delnin dot me shpenzimet. Shtëpia ishte në cep të qytetit, por qiraja ishte e lartë. Shto dhe shpenzimet e ushqimit dhe shkollat e kopshtin e fëmijëve e muaji i gjente pa kokërr leku.


Olta kishte disa muaj që punonte në një fasoneri këpucësh, si prestare. Dy muaj pa rrogë sa mësoi teknikat e prerjes së lëkurëve. Lodhej shumë e paguhej pak. Por ja që ndihma e saj ishte e dukshme. Se tani hanin ndonjë ditë pulë a blinin picë të dielave.
Pas një jave Olta u ngrit herët se do kthehej në punë. Në fakt ndjente dhe gëzim. Nga që shkonte mirë me shoqet atje, mezi priste t’i shihte e t’i përqafonte. Edhe në spital thuajse i erdhën krejt grupi i repartit. E përjetoi si ngazëllim dhe u emocionua tepër.
Por sa hyri në repart iu përplas në fytyrë një lajm i tmerrshëm. Pronari u kishte thënë punonjësve se deri sa po e përballonin punën pa Oltën mendonte që ta shkurtonte vendin e saj dhe rrogën vjetore ta shpërndante tek 12 gratë si shpërblim. Duke parë një ngurrim të tyre propozoi ta hidhnin në votë. E rezultati doli 12:0. Pra Olta të pushohej.


Nuk e besonte. Nuk e imagjinonte. Të paktën Vera mund të kishte votuar kundër? Ose Shpresa, ose Vjollca. U trishtua dhe nuk po dëgjonte se çfarë po i llomotiste pronari. Kapërceu shkallët dy nga tre dhe iku me vrap në shtëpi. Atje qau e qau deri sa fëmijët erdhën nga shkolla e kopshti. U qetësua disi dhe kur hapi derën Liri ia tha ngjarjen mes lotëve.
Ai u nguros. Jo aq për pushimin se sa për gjendjen shpirtërore të gruas. Si mund ta trajtonin si kafshë një njeri që ishte në spital kur votohej flakja e saj në rrugë. U bë konfuz e nuk dinte ç’të thoshte. Përqafoi Oltën e gati po qante dhe ai.
Më pas iku në punën e dytë. Me këmbët zvarrë. Nuk donte, por nuk kishte zgjidhje tjetër. Duhet menduar për punë të tretë, i foli vetes. Dera u mbyll e Olta shihte jashtë si e përhumbur. E solli në vete zilja e celularit. Ishte Vjollca, shoqja e ngushtë në punë.
-Mos më mbaj mëri,-ia nisi ajo.-Nuk doja të votoja, por shpërblimi më duhet. Kam djalin dhe vajzën pa punë. U bënë 20 dhe 26 vjeç e asnjë lekë nuk kanë sjellë. Burri qëkur pësoi aksident mezi gjen punë me ditë si murator. Ashtu çalë-çalë del nga shtëpia e sjell ndonjë ditë pesë mijë lekë.
Kjo bisedë e mërziti më shumë. Pas pak hapi numëratorin dhe mori Shpresën. Por zilja binte e binte e nuk ia hapte shoqja e vet. Ndërsa Vjosa ia preu shkurt: ”Kam borxhe se djali iku në Gjermani e atje nuk ka gjetur ende punë. Më duhet shpërblimi, janë goxha lekë.”


Ashtu të pagjumë e zuri mëngjesi. Sa iku Liri në kantier e fëmijët në shkollë, doli nga shtëpia e vrap te puna, ose te ish-puna. Kërkoi Masimon, pronarin italian, por shqip dinte shumë mirë. 
-Dua edhe një votim tjetër, të fshehtë madje. Nuk besoj se kanë votuar kundra shoqet e mia.
Ai nuk e refuzoi. Mblodhi gratë në zyrën e vet e u tha:
-Olta kërkon të votoni edhe njëherë nëse doni shpërblim rrogën e saj, apo pushimin e saj nga puna?
Të gjitha rrinin me kokat ulur. Olta vendosi veten në rolin e tyre. U trondit se kur kujtoi hallet e veta mbase dhe ajo do votonte për pushimin nga puna të dikujt. O zot, pse mund të transformohemi nga pengesat që na vendos jeta! Pse?
Vunë një kuti mbi tavolinë, iu dhanë një letër me dy katrore PO, JO e 12 punëtoret u shpërndanë në cepat e dhomës. Bënë një kryq dhe e hodhën letrën në kuti.
-Lexoji vetë tani,-i tha Masimo.
Olta përmbysi kutinë e ia nisi:
-Po, po, po, jo...
Mori frymë, qeshi, pa nga shoqet, por ato ishin me fytyra të ngurosura, sikur ishin me maska dylli.
-Po, po, jo, po, jo, jo, jo, po,
-Shtatë me pesë, e sheh, pushohesh,-i tha pronari.


Por Olta qeshte. E dinte që e donin të gjitha, por jeta ua kishte marrë dinjitetin dhe hallet i kishin nështruar. E besonte që më parë që ajo kishte një vend në zemrën e tyre. Deri sa pesë, afër gjysma, guxoi dhe hodhi aq e aq para në rrugë, kur edhe një lekë u bënte punë, tregonte se Olta qe zonjë, qe shoqe me dinjitet dhe i bënte krenare koleget.
Ndaj e mori tufën me letra, i mblodhi shuk, i futi në çantë dhe iku. Iku shpejt, me gëzim, me ngazëllim. Kuptoi që ishte njeri, vërtet jetoi mes njerëzve plot halle, por ama nuk qe numër.
Ju falenderoj shoqe dhe më lumturuat që vutë dashurinë e respektin ndaj meje para jetës mizerje ku jetoni, para dhimbjeve të së përditshmes...Kjo sot qe provë humanizmi. E kaluat provimin edhe ju, edhe unë.


I telefonoi Lirit. Nga zëri i Oltës mendoi për mirë.
-Të mbajtën në punë?
-Më mbajtën në zemër,-foli butë ajo.

 

19.08.2018

Tagged under Agim Xhafka